OPINION

Hapësira e pashfrytëzuar e forcimit të lidhjes mes Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës

11:20 - 05.12.18 Adri Nurellari
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Para pak ditësh lamë pas festën tonë kombëtare, mbledhjen mes dy qeverive të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës dhe tanimë kemi nisur muajin e fundit të këtij viti, të mbushur me jubile patriotike. Ky vit përveç se ishte 550-vjetori i vdekjes së Skënderbeut, ishte 10-vjetori i pavarësisë së Kosovës, 140-vjetori i Lidhjes së Prizrenit, 110-vjetori i Kongresit të Manastirit dhe 100-vjetori i krijimit të Komitetit të Mbrojtjes së Kosovës. Kjo ishte mbledhja e pestë e mbajtur mes qeverive të Tiranës dhe Prishtinës e spikati për nga retorika dhe simbolika e ndezur patriotike si dhe buja që shkaktuan deklaratat që dolën prej saj. E vërteta është se marrëdhëniet dhe lidhja mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk ka qenë kurrë më e mirë ndonjëherë më parë, por nga ana tjetër ka mundësi të jetë shumë më e mirë sesa është tani.




Po të shikohet konkretisht lista e marrëveshjeve në Pejë, aty shikohet se janë marrëveshje normale e karakteristike që janë bërë edhe mes shteteve që kanë marrëdhënie të mira dypalëshe. Pra, qoftë për nga numri e qoftë për nga përmbajtja, nuk janë në nivelin e avancuar që do duhej të ishin për dy shtete me marrëdhënie të shkëlqyera e vëllazërore, sikurse janë dy shtetet tona. Kështu për shembull, marrëveshja për heqjen e roamingut mes dy shteteve tona mund të konsiderohet diçka e vonuar, sepse është tashmë realitet për 28 shtetet e Bashkimit Evropian prej vitit të kaluar si dhe është gjithashtu një nismë rajonale mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Nga ana tjetër, janë të tjera marrëveshje të nënshkruara më herët, të cilat janë pluhurosur nga harresa e nuk vihen në jetë. Kështu për shembull, është për të ardhur keq që në kuadër të kalendarit të përbashkët kulturor që u proklamua e nënshkrua që në vitin 2014, nuk kemi ndonjë intensifikim kushedi të aktiviteteve të përbashkëta apo shkëmbimeve. Për shembull, është për të ardhur keq që premierat e baletit apo Teatrit Kombëtar të Kosovës nuk shfaqen në Tiranë dhe anasjellas. Po ashtu, është e padrejtë dhe e pandershme që Kosova e ka si pjesë të detyrueshme të arsimit parauniversitar ekskursionet për të vizituar qytetet kryesore, monumentet, vendngjarjet historike në Shqipëri, ndërkohë që kjo gjë nuk vlen për nxënësit e Shqipërisë.

Në disa raste kemi edhe ripërsëritje, si për shembull themelimi i një dhome tregtie dypalëshe në Pejë, ndërkohë që në një mbledhje të mëhershme ishte firmosur tashmë iniciativa e krijimit të një ode tregtie mbarëkombëtare. Me pak fjalë, marrëveshjet dhe veprimet konkrete janë shumë më poshtë, krahasuar me retorikën dhe ngjyrat e ndezura kuq e zi që shoqërojnë këto takime.

Për hir të së vërtetës, duhet thënë madje se takimet mes dy qeverive tona nuk duhet as të konsiderohen si ndonjë simbolikë e madhe e nivelit të ngushtë të marrëdhënieve. Vendet fqinje tonat kanë bërë kësilloj takimesh ndërqeveritare të shumta me vendet që i rrethojnë. Kështu për shembull, ndërsa ne rrahim trumbetat e mbledhjeve tona, Serbia tashmë jo vetëm ka bërë takime me të gjitha vendet fqinje, me përjashtim të Kosovës, por edhe ka organizuar tri mbledhje ndërqeveritare me Italinë.  Republika e Shqipërisë mezi e ka bërë një mbledhje tjetër ndërqeveritare me Maqedoninë, ndërkohë që Kosova ka dy- tri vite që e përflet për ta bërë një me Maqedoninë, por ende nuk e ka materializuar. Kjo do të thotë se jo vetëm që këto mbledhje të shpeshta nuk po thellojnë marrëdhëniet ndërshtetërore në nivelin e duhur e të mundur, por në njëfarë mënyre duke u marrë vetëm me njëri-tjetrin, po na largojnë nga të tjerët. Pra, është një kosto oportune që nuk po thellojmë marrëdhëniet me shtete të tjera fqinje me të cilat kemi lidhje të mira e mundësi për të bërë mbledhje ndërqeveritare sikurse mund të jenë Kroacia, Hungaria, Bullgaria, Mali i Zi apo Sllovenia.

Fatmirësisht, edhe pse si dy shtete institucionalisht e proceduralisht nuk po merren iniciativa intensive për të forcuar e thelluar bashkëpunimin mes dy shteteve, populli vetë po e bën këtë bashkim në mënyrë spontane e të natyrshme. Dora e fshehtë e tregut ka bërë punën e vet dhe tanimë të dyja shtetet jemi bërë partnere kryesore tregtare për njëra-tjetrën. Kosova është destinacioni i dytë i eksporteve të Republikës së Shqipërisë me 151 milionë euro të eksportuara në vitin 2017. Nga ana tjetër, Shqipëria është destinacioni numër një i eksporteve të Kosovës me 60 milionë euro të eksportuara gjatë vitit të kaluar. Ky volum tregtar vështirë se mund të rritet më shumë për sa kohë të dy ekonomitë tona e kanë strukturalisht sektorin e prodhimit të brishtë e të kufizuar. Pra, jemi duke tregtuar me njëri-tjetrin maksimumin e asaj që mund të prodhojmë, sepse të dyja ekonomitë tona janë ekonomi importuese. Po ashtu, një tjetër indikator i rëndësishëm është se Rruga e Kombit nuk po shfrytëzohet vetëm me një drejtim, sepse është rritur ndjeshëm çdo vit numri i turistëve që kanë ardhur në Kosovë prej Shqipërisë. Shqipëria përbën vendin numër një të origjinës së turistëve që vijnë në Kosovë, me më shumë se çerekun e vizitorëve. Mirëpo po të kemi parasysh se një pjesë e mirë e diasporës kosovare në Gjermani e Austri kanë vetëm shtetësinë e këtyre vendeve pasi në to nuk lejohet dyshtetësia, atëherë i bie që kjo përqindje e shtetasve të Shqipërisë në kuadër të vizitorëve që realisht janë prej jashtë Kosovës, të jetë edhe më e madhe. Po ashtu, për të disatin vit radhazi Republika e Shqipërisë është vendi i tretë në renditje për sa u përket investimeve të drejtpërdrejta të huaja. Prej çlirimit të Kosovës dhe hapjes me Shqipërinë llogariten mbi 19 mijë martesa ndërshtetërore dhe një numër gjithnjë në rritje të qytetarëve që kanë shtetësi të dyfishtë, ku përfshihem këtu edhe unë. Kjo tendencë do të thotë se atë që nuk e bën shteti, po e bëjnë natyrshëm qytetarët.

Në gjithë këto 19 vite prej çlirimit të Kosovës, mund të thuhet pa kurrfarë dyshimi se nisma më e rëndësishme mes Shqipërisë e Kosovës, e bërë deri tani ngelet ende Rruga e Kombit e ndërmarrë para 10 vitesh, pra shumë kohë përpara se të fillonin mbledhjet mes dy qeverive. Edhe një projekt tjetër me rëndësi që u bë me fonde gjermane, e që ishte linja e interkonjeksionit së rrymës elektrike mes Shqipërisë e Kosovës, ende nuk është vënë në funksion si pasojë e sabotimit të Serbisë. Me sa duket, ky projekt nuk ka ndonjë peshë të madhe për qeverinë aktuale të Shqipërisë, sepse nuk ka bërë ndonjë presion ndaj Beogradit për ta zhbllokuar këtë projekt.

Ndërkohë që ka të tjera projekt-ide të mëdha infrastrukturore, që vetëm shtetet mund t’i bëjnë, të cilat do të duhej së paku të trajtoheshin e merreshin në konsideratë në këto takime. Të tilla mund të ishin ndërtimi i një hekurudhe nga bregu i Adriatikut deri në Prizren, ndërtimi i një degëzimi të gazsjellësit të TAP deri në kufirin e Kosovës, sigurimi i qasjes së lirë në det për Kosovën dhe dhënia në përdorim i lehtësirave portuale tona ndaj doganës së Kosovës. Është për të ardhur keq që prej ofrimit të portit të Shëngjinit për Kosovën një dekadë më parë nga ish-kryeministri Berisha, asgjë konkrete nuk është bërë për t’i dhënë Kosovës qasje të lirë në det. Po ashtu, me interes mund të ishte ndërtimi i një tubi naftësjellës prej Shëngjinit deri në Prizren, që do të mund të shoqërohej me ndërtimin e një rafinerie nafte në formën e Partneritetit Privat-Publik, i cili do të garantonte sigurinë energjetike të Kosovës. Ky projekt mund të imitonte atë që ka bërë Maqedonia me rafinerinë e Kumanovës, e cila është e lidhur me një tub naftësjellës me Selanikun.

Kemi gjithashtu hapësirë të madhe për të investuar së bashku në energjetike. Shqipëria harxhoi 130 milionë dollarë si pjesë e një projekti të dështuar të financuar nga Banka Botërore për të ndërtuar një termocentral me gaz natyror në bregdetin e Vlorës, i cili sot është jashtë funksionit. Më mirë do ishte që të kishim ndërtuar në zonën kufitare të Kukësit një termocentral që do furnizohet me linjitin e pamatë të Kosovës ose që të merrnim pjesë si bashkinvestitore në termocentralin Kosova C. Nga ana tjetër, nuk do ishte ide e keqe që edhe Kosova të pluralizonte burimet energjetike dhe të ishte bashkinvestitore me qeverinë e Shqipërisë për projektin e hidrocentralit të Skavicës.

Një tjetër ide me vlerë do të ishte një projekt i madh ndërshtetëror për një kompleks ndërkufitar të turizmit malor. Tanimë që projekti madhor i Brezovicës nuk u realizua, përse të ngelemi peng i këtij projekti kur potenciali për pista skijimi e resorte të turizmit dimëror janë të shumta tjetërkund. Kështu për shembull, malësia e Dragashit mund të kombinohej fare mirë me pjesën e Shishtavecit dhe Lumës për të studiuar e projektuar një resort të ri malor nga e para. Në Shqipëri zona e Shishtavecit është zona me traditën më të madhe të skijimit. Në këtë projekt madje mund të përfshihet edhe Maqedonia. E njëjta gjë vlen për potencialin e jashtëzakonshëm që kanë edhe Bjeshkët e Nëmuna. Kështu për shembull, pjesa e bjeshkëve të Belegut në Kosovë mund të ishte kombinuar me Dobërdolin, Sylbicën, Trokuzin në Shqipëri si dhe me pjesën e Bogiqevës në Mal të Zi për të bërë një qendër fenomenale skijimi treshtetërore. Të tilla projekte funksionale e të suksesshme janë të shumta që mund të imitohen, sepse janë ndërtuar tashmë prej dekadash mes Zvicrës e Francës, Zvicrës e Italisë,  Francës e Italisë, Gjermanisë e Austrisë, Italisë e Austrisë e kështu me radhë.

Përpos kësaj, ka mundësi të jashtëzakonshme për të bashkëpunuar edhe në sfera të tjera, ku kemi të dyja shtetet mangësi e mund të ndajmë kostot. Për shembull, mund të mendojmë seriozisht që të blejmë bashkë si dy shtete avionë të specializuar për shuarjen e zjarreve  duke ndarë shpenzimet. Ne mund të ndërtojmë një njësi ajrore zjarrfikëse dhe kërkim-shpëtimi të vendosur në aeroportin e Gjakovës apo Kukësit, që t’i shërbejë të dy shteteve në rrezik apo nevojë. E njëjta gjë mund të bëhet ta zëmë për të ndërtuar një shkollë pasuniversitare cilësore për biznes e administrim dyshtetëror  ndërkufitar, siç është universiteti i Viadrinës mes Gjermanisë dhe Polonisë në Frankfurt, mbi Oder dhe Slubice. Po ashtu, mund të investojmë bashkë për një laborator të avancuar, që merret me analiza ADN e të tjera të ngjashme, të cilat sot i bëjmë jashtë vendit. Me këtë logjikë mund të ndërmarrim investime të përbashkëta për projekte kapitale si për shembull të ndërtojmë një observator astronomik në malet ndërkufitare, një planetarium, një arboretum apo park botanik, një fshat olimpik të përbashkët, një institut apo shkollë të përbashkët restaurimi etj., etj.

Këto janë vetëm disa propozime potenciale që japin një ide se sa shumë gjëra të përbashkëta mund të bëjnë këto dy shtete të banuara nga shqiptarët. Këtu nuk bëhet fjalë për të shpikur rrotën, sepse ka projekte e modele të panumërta për të imituar. Duke nisur nga traktati Cobden–Chevalier, të nënshkruar mes Francës dhe Anglisë në 1860, i cili kishte një logjikë shumë praktike të tipit: ajo që është legale në këtë anë të kufirit, pranohet si legale edhe në anën tjetër. Po ashtu, mund të huazojmë praktikat e Beneluksit, që e ka nisur më herët se Bashkimi Evropian integrimin ndërshtetëror. Po ashtu, mund të mësojmë nga politikat dhe praktikat e rasteve të ngjashme me Kosovën  e Shqipërinë të shteteve që kanë popullsi të së njëjtës kombësie, sikurse janë për shembull Qiproja dhe Greqia. Po ashtu, mund të imitohen praktikat dhe iniciativat bilaterale të shteteve të tjera, që kanë marrëdhënie të shkëlqyera me një shtet tjetër, sikurse janë për shembull SHBA dhe Kanada, Australi e Zelandë e Re, Mbretëri e Bashkuar dhe Irlandë etj. Prandaj në një reflektim për këtë vit jubilar që po mbyllet, mund të thuhet se të dyja shtetet kanë bërë goxha avancime në forcimin e marrëdhënieve me njëra-tjetrën, ama ekziston një hapësirë e jashtëzakonshme e pashfrytëzuar për ta intensifikuar e konsoliduar edhe më tej këtë marrëdhënie.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.