Intervista

Albana Duni: Si trajtohen çrregullimet e traktit gastro-intestinal

18:20 - 14.01.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Rreth 40% e personave të moshës së tretë vuajnë nga çrregullimet e traktit gastro-intestinal. Në një intervistë për suplementin “Life Pages” në “Gazeta Shqiptare”, mjekja gastrohepatologe, Albana Duni tregon se ankesat më të shpeshta nga të moshuarit përfshijnë diarrenë, inkontinencën fekale, refluksin g-e (pirozë, dhimbje retrosternale) çrregullimet e gëlltitjes, humbjen e oreksit, të vjella apo dhe dhimbje abdominale. Ajo shton se refluksi ndodh shpesh te të moshuarit e me kalimin e kohës shkakton inflamacion, i cili redukton dhe dëmton mukozën e ezofagut. Duni më tej jep disa këshilla të vlefshme për trajtimin e çrregullimeve të traktit gastro-intestinal.




Cilat janë moshat më të prekura nga çrregullimet e traktit gastro-intestinal?
Shumë nga ankesat gastro-intestinale mund të jenë si rezultat i proceseve normale të moshës, por edhe domethënëse për probleme serioze që mund të ketë personi i moshuar. Kjo do të thotë që nuk duhen neglizhuar. Këto ankesa mund të limitojnë cilësinë e jetës së personit të moshuar. Të moshuarit shfaqin më shumë sëmundje të traktit digjestiv sesa të rinjtë. 40% e personave të moshës së tretë do të kenë të paktën një simptomë gastro-intestinale çdo vit.

Mund të përmendni disa prej shqetësimeve më të shpeshta që kanë pacientët?
Ankesat më të shpeshta përfshijnë: konstipacionin dhe/ose diarrenë, inkontinencën fekale, refluksi g-e (pirozë, dhimbje retrosternale) çrregullimet e gëlltitjes-disfagi, humbjen e oreksit, nauze/të vjella apo dhe dhimbje abdominale.

Cilat janë sëmundjet më të shpeshta që shfaqen te personat mbi 65 vjeç?
Sëmundjet më të shpeshta mbi moshën 65 vjeç janë: refluksi gastro-ezofageal, hemoragjia gastro-intestinale, divertikuloza e divertikulitet, tumoret si dhe sindromi i zorrës së irrituar.

Mund të na tregoni disa prej rreziqeve që mund të sjellë diarreja?
Diarre do thotë dalje të shpeshta dhe të ujshme mbi tri herë në ditë. Me rëndësi të veçantë tek pacientët e moshuar me diarre është rreziku i dehidrimit. Në qoftë se simptomat si etja, lodhja, marramendja, palpitacionet dhe këputja trupore shoqërojnë diarrenë, atëherë është e rëndësishme kontaktimi me stafin mjekësor. Diarretë e rënda mund të jenë kërcënuese për jetën, shpesh e çojnë personin në gjendje delirante për shkak të humbjes së likideve, në rrëzime e më pas në fraktura.

Si bëhet trajtimi i saj?
Në varësi të shkakut, mjeku mund të përshkruajë: antidiarreike ose antispazmatike. Antibiotikët gjithashtu mund të rekomandohen, grupi i ushqimeve BRAT (banane, oriz, pure molle) gjithashtu mund të rekomandohen edhe lëngjet e kthjella. Por, nëse diarrea vazhdon, atëherë kërkohen nga mjeku ekzaminime dhe analiza si: ekzaminimi i feçes, i gjakut, testet e intolerancës ushqimore e deri në ekzaminimin endoskopik të zorrës. Kolonoskopia bëhet për të përjashtuar patologji të tilla si koliti ulçeroz, tumoret, polipet, divertikujt e zorrës etj.

Çfarë e shkakton konstipacionin te të moshuarit?
Konstipacioni është më shumë i shpeshtë tek të moshuarit sesa në moshat e reja. Ashtu sikurse edhe diarrea është e rëndësishme të determinohet se çfarë të moshuarit kuptojnë kur thonë se kanë konstipacion. Jashtëqitjet e rralla në numër (mbi tri ditë) dhe të thata në konsistencë zakonisht janë prej konstipacionit, të cilat mund të vijnë si rezultat i disa shkaqeve ku përfshihen: dietë e varfër në fibra; marrje të pakta në sasi të lëngjeve, medikamentet siç është hekuri ose antiacidet, fecal impaction, carcinoma apo dhe depresioni.

Si mjekohet konstipacioni?
Trajtimi i konstipacionit mund të përfshije rritjen e sasisë së lëngjeve dhe fibrave në dietë dhe uljen e rregullt në tualet për të defekuar. Mjeku gjithashtu mund të rekomandojë laksativë, medikamente për të zbutur feçet ose për të rritur levizshmërinë e zorrës. Ndërkohë për të menaxhuar konstipacionin kronik duhet të ndërpriten të gjitha medikamentet që shkaktojnë konstipacion; duhet të rriten fibrat në dietë në marrje ditore 6-25g/d, të rritet sasia e marrjes së lëngjeve në ? 1500mL/d, të rritet aktiviteti fizik. Gjithashtu, pas këtyre këshillohet të shtohen osmotikët, laksativët stimulues, madje mund të përdoret klizma me ujë ose me kripëra 2 herë në javë ose me vajra për konstipacionin refraktar.

Cilat janë pasojat e vështirësisë në gëlltitje?
Shoqërohet me dhimbje gjatë gëlltitjes, humbje peshe, të vjella, regurgitim të përmbajtjes ezofageale dhe sëmundje pulmonare aspirative. Për shkak të shkaqeve të shumta që e shkaktojnë disfaginë rekomandohet laringo-ezofago-gastroskopia. Shkaqet e disfagisë janë ezofageale dhe ekstra ezofageale si: kanceri oral, i laringsit dhe i ezofagut, spazmat ezofageale, refluksi gastro-ezofageal, infarkti cerebro-vascular, sëmundja e Parkinsonit si dhe Alzheimeri.

Si bëhet trajtimi i refluksit gastro-ezofageal?
Refluksi ndodh shpesh te të moshuarit, edhe pse nuk është një ndryshim normal i moshës. Ai ndodh kur sfinkteri i poshtëm ezofageal nuk mbyllet mjaftueshëm duke lejuar lëngjet gastrike, të cilat janë acide, të kthehen lart në ezofag. Me kalimin e kohës, refluksi shkakton inflamacion, i cili redukton dhe dëmton mukozën e ezofagut. Simptomat tipike të reflukst janë: djegie kraharori, dhimbje retrosternale, regurgitim i materialeve acide. Në qoftë se regurgitimi ndodh, shpesh dhimbja e shkaktuar prej tij mund të imitojë atë të një ataku në zemër. Simptomat mund përkeqësohen pas një vakti të madh ushqimi me përmbajtje të lartë yndyrore ose pikante dhe pas konsumimit të alkoolit. Ndryshimet e mëposhtme në dietë mund të jenë efektive: shumë proteina, sa më pak yndyra, evitimi i duhanit, alkoolit dhe i çokollatës, ngrënia në sasi të pakët dhe shpesh lejon një tretje më të lehtë, mbajtja e një peshe trupore normale, ngritja e kokës së krevatit gjatë natës, shmangia e shtrirjes deri në dy orë pas ngrënies, mosveshja e rrobave shumë të ngushta apo korseve mund të ndihmojnë në lehtësimin e simptomave.

Kur rekomandohet kurimi me medimakente apo dhe kirurgjia?
Për trajtimin medikamentoz, ka një sërë opsionesh të cilat janë: antiacidet, bllokuesit e histamines siç është ranitidina ose PPI siç është omeprazoli. Përfundimisht, kirurgjia mund të jetë e indikuar në rastet me hernie të madhe hiatale, në të cilat stomaku protuberon nën junksionit gastro-ezofageal. Te të moshuarit monitorimi i kësaj sëmundjeje është shumë i rëndësishëm, pasi ajo mund të çojë në ulcerat peptike ose në kacerin e stomakut.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.