Çdo student ekselent i Universitetit të Mjekësisë apo Infermierisë, do të hyjë në procedura konkurrimi për t’u punësuar në qendra shëndetësore ose spitale publike, me 10 pikë bonus. Deklarata u bë ditën e djeshme nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë ceremonisë së diplomimit të studentëve të tre Fakulteteve të Mjekësisë dhe Fakultetit të Infermierisë në Tiranë.
Kërkesat e studentëve
Manastirliu theksoi se do të përmbushen një për një të gjitha angazhimet e marra nga qeveria. “Puna e nisur nuk do të ndalet derisa të realizohet çdo angazhim, që nga përmirësimi i kushteve në konvikte, te biblioteka dixhitale, te tarifat e studentëve, transparenca e buxheteve, punësimi i studentëve ekselentë dhe krijimi i mundësive të barabarta për punësim”, tha Manastirliu. Gjithashtu, ministrja e Shëndetësisë deklaroi se do të garantohet që çdo profesionist, të punësohet me meritë. “Prej një viti po konsolidojmë portalin ‘Infermierë për Shqipërinë’, ndërsa jemi duke punuar për krijimin e portalit ‘Mjekë për Shqipërinë’, ku do të bëhen transparente vendet vakante dhe do të ofrohet më shumë mundësi përzgjedhje për mjekët e rinj, për tu punësuar në sistemin shëndetësor publik”, tha në fjalën e saj Manastirliu. Gjatë ceremonisë së zhvilluar në Pallatin e Kongreseve, u diplomuan 591 studentë të 3 fakulteteve të mjekësisë dhe 1560 studentë të Infermierisë dhe shkencave mjekësore teknike.