OPINION

Një ritakim me profesor Kabon *

07:24 - 03.03.19 Luan Malltezi
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Vitet e fundit Tirana është bërë një qytet i madh dhe me njerëz të shumtë, që lëvizin në rrugët kryesore të saj. Të gjithë e dinë sot se është e pamundur të takosh të njohur apo miq, pa fiksuar më parë një vend takimi. Ndonëse jetoj prej vitesh në Tiranë, vetëm këto dy vitet e fundit më është dhënë rasti të takoj, në rrugën e re që më çon në qendër të qytetit, profesorin tim të universitetit, Mevlan Kabo. Për profesorin ruaj kujtime të shkëlqyera si pedagog. Ai jepte lëndën Gjeografi Krahinore, një lëndë që profesori e jepte në mënyrë të këndshme. Atëherë profesori gëzonte autoritet të plotë mbi ne studentët. Ai ishte atëherë jo vetëm profesor lënde, por edhe shef i katedrës të gjeografisë. Në katedër kishte edhe pedagogë të tjerë si profesor Pandi Geço, ky kishte qenë më parë shef sektori. Profesor Geço ishte mjaft serioz dhe i zoti. Ai kishte kryer studimet në Francë dhe jepte Gjeografinë e Shqipërisë. Një pedagog tjetër ishte Vasil Naço, ai kishte kryer studimet në BS dhe jepte Gjeografinë Ekonomike të botës. Lënda e këtij ishte e vështirë se kishte të dhëna të shumta lidhur me zhvillimin ekonomik të vendeve të botës. Studentët me pak përpjekje, gjithsesi arrinin ta kalonin provimin e lëndës së tij. Një pedagog tjetër nga këto ishte profesor Riza Lalo, ai ishte i rëndë si karakter, serioz dhe i mbyllur. Profesor Lalo kishte kryer studimet në Rumani dhe jepte lëndën e Gjeografisë Fizike. Lënda ishte voluminoze dhe e vështirë, por ai e shpjegonte në mënyrë të shkëlqyer. Ne studentëve na bënte shumë përshtypje fakti që profesor Lalo arrinte të jepte leksionet e tij “përmendsh”, pa lexuar asgjë nga fillimi deri në fund. Profesori kishte zakon të ndërpriste leksionin menjëherë sapo binte zilja e fakultetit. Për ne si studentë ishte e vërtetë e habitshme që profesori ishte në gjendje të vijonte leksionin e radhës pikërisht në atë pikë ku e kishte lënë më parë. Profesor Lalo ishte i dobët dhe pinte shumë cigare. Mua më bënte përshtypje se pinte cigare të paketës “Vullneti”, që kishte çmimin më të ulët në treg. Kjo më bënte të mendoja se mund të ishte në gjendje jo shumë të mirë ekonomike. Me gjithë këto zotësi, profesor Lalo njihej si pedagog “i tmerrshëm”. Ai linte çdo vit jo pak, por mbi njëzet studentë në lëndën e tij. Ne, studentët, thoshim midis nesh, se ai ishte bërë shkak që në sektorin e gjeografisë të kishte grindje midis pedagogëve, por sa ishte kjo e vërtetë, asnjë nuk dinte të thoshte gjë. Thuhej se profesorin e kishin thirrur edhe lart në KQ për t’i tërhequr vërejtje, por ai nuk donte t’ia dinte.




“Doni t’i kaloj – u kishte thënë ai? Thomëni dhe unë i kaloj, por si të bëj që nuk zotërojnë lëndën”?

Që Lalo linte shumë studentë në provim, këtë e dinin të gjithë pedagogët e fakultetit.

Ne kishim atëherë si pedagog në fakultet edhe Todi Naçon nga Elbasani. Profesor Naço kishte kryer studimet në BS dhe jepte Historinë e vjetër të botës. Profesori e shpjegonte shkëlqyer lëndën e tij, duke përsëritur aty këtu fjalët që thoshte më parë. Studentët nuk e kishin problem lëndën e tij në provim në fund të vitit. Kur ndonjë student nuk paraqitej mirë në provim, prof. Naço i thoshte i zemëruar: “Mirë, mirë, unë po të kaloj po shko, shko jep provimin tjetër te Lalo, ta tregon ai qejfin ty, ai ta tregon”.

Ndryshe nga profesorët që zumë në gojë, profesor Kabo ishte shumë më i ri. Ai jepte Gjeografinë Krahinore, lënda e tij ishte mjaft e gjerë, por ai e jepte atë shumë mirë. Mua më pëlqente profesori se ishte tip i qetë si njeri. Kabo ishte pastaj edhe mjaft elegant, vishej bukur, me shije dhe ishte i sjellshëm me studentët.

Nga koha si student e deri me sot që po shkruaj këto radhë, kanë kaluar disa dhjetëvjeçarë. Koha ka bërë të vetën, profesor Kabo nuk është më i ri dhe unë kam kaluar në të shtatëdhjetat. Në takimet e mia të rastit me të, më bën përshtypje fakti që e ndjej akoma sot zotin Kabo si “profesor”. Ajo që më bëri përshtypje në takimin e parë është fakti se profesori më paska ndjekur në punën time si studiues, si historian. “Kam pyetur shumë herë profesor Stefanaq Pollon për ty dhe ai më ka thënë se punoje shumë, kjo më ka kënaqur jashtëzakonisht shumë”. Mbeta i befasuar nga ky pohim i papritur dhe ndonëse nuk e dhashë veten, mund të them ky pohim më bëri të jepesha plotësisht pas tij si pedagog dashamirës. Në takimet e shkurtra midis nesh, biseda kalon te kërkimi shkencor, tek Akademia e Shkencave, grindjet që kanë akademikët midis tyre sot dhe te prof. Aleks Buda, kryetari i parë i Akademisë së Shkencave, sukseset e mëdha që arriti ai si studiues dhe historian në drejtimin e Akademisë.

“Por, nuk ishte vetëm prof. Buda – tha pastaj prof. Kabo – ishte një plejadë e tërë profesorësh të nderuar që punuan me përkushtim në fushat e tyre. Kur u krijua Akademia e Shkencave më 1972 – vazhdoi ai – shkova dhe takova prof. Aleksin. Sektori i gjeografisë që drejtoja unë atëherë nuk bënte pjesë në Akademi”. “Pse profesor i thashë – të mos jetë edhe qendra jonë gjeografike në Akademinë e Shkencave? Në kohën që po bisedoja me të, në zyrë u fut prof. Ҫabej. “Eqrem – tha prof. Aleksi – Mevlani po më thotë pse të mos jetë edhe qendra e studimeve gjeografike në Akademi, ç’mendon ti?”. “Shumë mirë thotë – tha prof. Ҫabej – Deri më sot ne gjuhëtarët kemi qenë të detyruar t’u drejtoheshim studimeve të gjeografëve të huaj për Shqipërinë; le ta  përfshijmë edhe atë në Akademi që të punojë e të shkojë përpara si të gjitha institutet e tjera të Akademisë”.

“Përfshirja e qendrës sonë në Akademi vazhdoi – tha prof. Kabo – dhe nuk ishte një punë e lehtë. Prof. Aleksi më këshilloi të bënin disa veprimtari të rëndësishme shkencore, që ai ta kishte më të lehtë dhe më të argumentuar të tërhiqte miratimin nga lart për përfshirjen e qendrës sonë kërkimore në Akademinë e Shkencave. Dhe kështu bënë”, tha prof. Kabo.

Profesorin e takova përsëri këto ditë aty nga ora 10:00 e mëngjesit, po kthehej në shtëpi pas një takimi që kishte pasur me një mik të vetin. “Profesor, – thashë në bisedë e sipër, i shihni ju emisionet në ‘You Tube’, në televizion”? Sigurisht nuk e pyeta kot, unë kisha dhënë një intervistë në “SCAN”, ku kisha folur shumë për Budën, Pollon, për profesorët të cilët kishim folur bashkë me shumë nderim, për këtë dëshiroja të më ndiqte në televizor. “Kam folur edhe për prof. Riza Lalon”, – i thashë për ta shtyrë.

Sapo dëgjoi emrin e prof. Lalos, profesori shtangu dhe mu përgjigj i nervozuar:

“Prof. Riza Lalo – tha ai – ka qenë një pedagog shumë i mirë, unë e kam pushuar atë nga puna. E kam kontrolluar tri herë në leksione, por leksionet e tij ishin korrekte. Mua më urdhëroi për pushim e tij të menjëhershëm sekretari i pare i partisë së universitetit – tha ai duke përmendur edhe emrin e tij me nervozizëm. – Unë – tha ai – kam qenë më parë kuadër i lartë, specialist në Ministri të Arsimit. Mua më solli në fakultet si shef sektori Kahreman Ylli kur u caktua rektor i universitetit. Po ç’më çon mua atje profesor i thashë sepse pedagogët atje i kam pasur vetë pedagogë. Jo, jo – më tha – është mirë të jetë një njëri si ju atje. Kështu që pas urdhrit që më dha sekretari i parë i partisë së universitetit, njoftova menjëherë Kahremanin në telefon. Ai më dëgjoi pa folur, por edhe sot kujtoj frymëmarrjen e rëndë të tij për këtë ndërhyrje brutale nga lart në kuadrin e universitetit. ‘Do të njoftoj unë në telefon’ – më tha dhe mbylli telefonin. Pas gjysmë ore më mori në telefon dhe më tha ‘Zbatoni menjëherë urdhrin’ dhe mbylli telefonin. Riza Lalo ndërkaq kishte hyrë në auditor dhe kishte filluar leksionin. Shkova në auditor, hapa derën dhe i thashë – paraqituni menjëherë në katedër. – Kur erdhi i komunikova pushimin nga puna. Kur mbarova mbaj mend që më tha ‘Më hodhët si këpucë të vjetër’. Pas fakultetit, Lalo u emërua si punonjës në ish- Ndërmarrjen e Mjeteve Arsimore, si specialist për botimin e hartave, etj.. Edhe sot më vjen turp kur kujtoj profesor Lalon, duke shitur në tregun e qytetit ç’të mundte për bukën e gojës. Profesor Lalo – tha ai – ishe njeri me moral, ai nuk bënte pazar me detyrën e tij, ishte serioz si pedagog dhe kishte kërkesa për nivelin e institucionit ku jepte mësim. Më vjen keq, shumë keq kur mendoj atë”, vijoi ai i nervozuar. Sakaq  zgjati dorën, më përshëndeti, u kthye nga rruga e vet dhe u largua me hap të ngadalshëm.

*Titulli i origjinalit: Profesor Kabo

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.