OPINION

Hapësira krijuese – shkatërruese, edukative apo asnjëra?

07:20 - 04.03.19 Pëllumb Karameta
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fakti 1: Një projekt i promovuar nga Bashkia e Tiranës do ta shndërrojë piramidën në një qendër me shumë funksione që do të shërbejë si hapësirë për shkëmbim idesh e nismash, me fokus arsimimin digjital, kulturën TIK dhe në dobi të artit, kulturës, kurseve profesionale apo hapësirave të tjera rinore.




Fakt 2: Hapësirat (laboratorët e informatikës, pajisjet digjitale etj.) që mundësojnë përdorimin e TIK për formimin e kompetencës digjitale, janë një nga ndryshimet reformuese edhe në arsimin tonë.

Zhvillime të tilla synojnë ato që, sot, në botë, njihen me termin ‘Makerspace’ (Hapësira Krijuese – HK). Shkrimi shtjellon aspekte të saj, duke respektuar kufizimin mediatik që përjashton diskutimin e detajuar.

Hapësira krijuese është hapësirë pune bashkëpunuese brenda një strukture të veçantë publike/private, shkolle, biblioteke për të bërë, nxënë, eksploruar dhe ndarë produkte përmes teknologjisë. HK “i lejon njerëzit të punojnë në projekte me interes, përmes ndarjes së burimeve dhe njohurive” (Fleming, 2015; Roslund & Rodgers, 2014). “Ajo mund të përfshijë elemente nga studiot e artit / zejtarisë, punëtori inxhinjerike, hapësira multimediale ose laboratorë kompjuterikë / shkencorë / robotikë etj. Jo që personat të specializohen apo të nxënë aftësitë specifike të disiplinave lëndore, përkundrazi. Të nxisin bashkëpunimin, larmitë dhe përkëmbimin e materialeve, teknikave dhe ekspertizave të ndryshme” (Cooper, 2013). Në HK, ‘bërja kolektive’ dallohet nga aktivitetet – zakonisht vetjake – të riparimit apo shpikjes. Disa mbrojtës të saj flasin për ‘mentalitetin krijues’ ose ‘identitetin’ me të cilin kuptojnë “angazhimin për ndërtimin e njohurive bashkë me të tjerët, duke i materializuar këto në veprime” (Dougherty, 2013; Fleming, 2015).

Dekada e kaluar pa botimin e qindra artikujve që lartësojnë virtytet e kulturës HK. Kjo shihet me potencial, sepse: a) skalit forma të reja të prodhimit të demokratizuar; b) prodhon ndryshimin që na zhvendos nga “konsumi” tek “krijimi”; c) ndez, sërish, interesin për profesionet shkencore, teknologjike, inxhinierike dhe matematikore. Platformat digjitale apo hapësirat fizike si HK, FabLabs dhe Hackerspaces po krijohen në hapësira komunitare dhe bibliotekat publike; kompanitë i ofrojnë për punonjësit e tyre, ndërsa qeveritë po krijojnë programe për të nxitur ‘kulturën e krijimtarisë’ (maker culture). Këtu përfshihen iniciativa ‘Kombi i krijuesve’ në SHBA (https://obamawhitehouse.archives.gov/node/316486) ose iniciativa kineze ‘Mass Makerspace’ (http://techculturematters.com/2015/11/06/mass-making-in-china).

Konstatohet që HK, gjithnjë e më shumë, po ndikon kontekstin arsimor. Disa thonë që përmes saj ndërtohen njohuri dhe dispozita ‘të së ardhmes’ dhe se “HK thyen barrierat midis grupit të lëndëve tradicionale” (Osborne, 2014; Wenmoth, 2015).

Në këtë logjikë, në arsim, HK i referohet vendit ku nxënësit me interesa të përbashkëta, veçanërisht në kompjuter ose teknologji, mblidhen për të punuar në projekte, nxënë të përdorin mjete dhe materiale, fizike ose virtuale, ndërkohë që ndajnë ide, pajisje dhe njohuri. Në mjaft vende të botës, shkollat ​​e reja, tani, i përfshijnë në mënyrë rutinore HK-të. Mjaft të tjera po riorientojnë klasat si të tilla. Për disa mbrojtës, HK janë forca ‘që shkatërrojnë tradicionalen’. Të tjerë e shohin HK të fokusuar në të ardhmen, duke argumentuar se “zhvillon aftësitë e shekullit 21” dhe u siguron subjekteve mundësi të angazhohen në nxënien e thellë / konstruktive” (Amos, 2014).

Në sintezë, për potencialin e HK në arsim, pohohen dy ide të gjëra. Njëra thekson HK si strategji për nxënien më të mirë. Tjetra, e vlerëson si strategji për arsimin e të ardhmes. Këto dy ide – mendojnë mjaft studiues – dallojnë, sepse, “në formën e tyre të tanishme, HK janë të dëmshme për kulturën dhe edukimin e nxënësit krijues. Ato nuk kanë gjasa të jenë ‘edukative’, në kuptimin që pati për këtë koncept edukatori i famshëm Xhon Djui. Veçanërisht, nuk janë as “të fokusuara në të ardhmen” ose të afta “të shkatërrojnë” arsimin tradicional. E megjithatë, potencialisht, HK është e dobishme në konteksti arsimor (J. Gilbert, 2017). Si mundet HK të ‘shkatërrojë tradicionalen’ apo ‘të edukojë’?

Studiuesit pranojnë që importimi në shkolla i ‘kulturës së krijuesit’, ndryshe i ‘nxënësit që bën vetë gjëra’ bazohet tek edukimi progresivist dhe konstruktivizmi. Sepse, në thelb, kjo kulturë thekson ‘aktivizimin, origjinalitetin, autorësinë, bazohet në hetime, është bashkëpunuese dhe ‘praktike’. Kjo është e mundur, pasi mjaft pajisje digjitale mund të sigurohen sot nga shkollat ​​(p.sh., kompjuteri, printeri 3D, laseri formatues, robotika dhe mikroprocesorët e lidhur me Internetin si Arduin ose Raspberry Pi). “Këto teknologji i përfshijnë nxënësit në ‘kulturën e krijuesit’ jashtë klasës, çka e bën atë ‘shkatërruese’ të tradicionales në arsim” (Davis, 2014; Martinez & Stager, 2013). Më tej, pohohet se “krijimi i gjërave i ndihmon njerëzit të nxënë, pasi ata ta do të përdorin përvojën për të bërë gjëra fizike, çka i ndihmon të nxënë, pra, të ndërtojnë njohuri të reja personale”. Ky pretendim ripërcakton vlerat origjinale të kësaj kulture (disa mund të thonë edhe që i nënshtron ato). Njëherazi, pretendimi ripohon disa ide kyçe arsimore që, më shumë e zbehin, sesa e mbështesin rolin e HK.

Ndërtimi i gjërave fizike nuk është i njëjtë me ndërtimin e strukturave mendore/intelektuale. Këto dy procese nuk ngjajnë me njëri-tjetrin, në asnjë mënyrë të drejtpërdrejtë. Në kontekstin arsimor, me rëndësi është ajo që ndodh midis tyre. Psikologë të shquar (Dewey, Piaget, Papert) kanë theksuar që, për nxënësit është relativisht e lehtë të ndërtojnë strukturat intelektuale për disa koncepte, kur kultura rreth tyre është e mbushur me ‘lëndët e para’ të nevojshme. Koncepte të tjera, megjithatë, janë shumë më të vështira të ‘ndërtohen’ për shkak të varfërisë relative të kulturës për këto “lëndë”.

Duke e lidhur këtë me HK, fëmijët dhe të rinjtë mund t’i ndërtojnë strukturat intelektuale, vetëm kur ‘lënda e parë’ – që është përvoja e tyre – të jetë në dispozicion për ta, në kontekstin e tyre të përditshëm kulturor. Që këto përvoja të përdoren për të ndërtuar struktura intelektuale, rreth tyre duhet të bisedohet dhe të formohen ide. Përdorimi i gjërave fizike për të mbështetur ndërtimin e strukturave intelektuale, kërkon përqendrim tek idetë, jo te gjërat. Për qëllime arsimore, “gjërat e ndërtuara nuk kanë rëndësi në vetvete: roli i tyre është të të bëjnë të mendosh” (Papert, 1980). Pranimi i kësaj ideje nënkupton përgjigjen ndaj pyetjes: fokusi edukativ i HK është të nxënit nëpërmjet krijimit të gjërave, apo nxënia përmes punës me idetë që u japin kuptim këtyre gjërave?

Papert-i ishte matematikan. Ai u interesua për teorinë e të nxënit dhe u përkushtua që fëmijët të zhvillojnë vetë përvoja rreth koncepteve të fuqishme, së pari, nga matematika dhe, më vonë, nga shkenca. Në vitet ‘70 ai me bashkëpunëtorët zhvilluan programe kompjuterike (p.sh., LOGO) për t’u dhënë fëmijëve përvojën e modelimit matematik, ndërsa projektuan lojëra, kompozuan muzikë dhe prodhuan filma (d.m.th., produktet për të cilët fëmijët ishin të interesuar dhe i kuptonin). Megjithatë, qëllimi ishte përvetësimi i kuptimeve matematike, jo nxënia në përgjithësi (Papert, 1980). Qëllimi i tij ishte të siguronte kontekstet që mund të nxisin përvetësimin e koncepteve që, siç argumentoi ai, janë të vështira për t’u ndërtuar nga ‘lëndët e para’ të gatshme për fëmijët dhe të rinjtë. Në kontekstin e HK, fokusi duhet të jetë, jo në gjërat që subjektet prodhojnë ose nxënë individualisht në përgjithësi, por nxitja e aftësisë së tyre për të punuar bashkërisht me “idetë e fuqishme” shkencore, përmirësimi i ideve kolektive dhe ndarja e ideve të përmirësuara për zhvillimin e mëtejshëm nga të tjerët, për të mirën kolektive.

Nëse HK pretendon “të përmirësojë të nxënit”, por hesht për ÇKA dhe SI duhet të nxënë subjektet, atëherë, rasti ka gjasa të dështojë. Përpjekjet për ta institucionalizuar atë përmes shkollave dhe / ose programeve pas shkollës etj., mund të shuajnë aftësinë krijuese, novatorizmin dhe frymën sipërmarrëse, shenjë dalluese këto të “revolucionarit”. Dhe ne mund të presim që HK t’u bashkohet ideve të tjera “shkatërruese” (p.sh., 4K-të; të nxënit përmes internetit; BYOD; mjediset mësimore novatore etj.) që pretenduan të “shthurin tradicionalen”, por që humbën, u margjinalizuan ose u asimiluan.

Arsimi ngjan me qenien e gjallë e cila ndryshon vazhdimisht, ndaj sistemet arsimore zgjerojnë këndshikimin e tyre, për ta kuptuar dhe shprehur këtë tipar. HK do ta shprehë më mirë veten kur, personat që i japin jetë, ushtojnë bashkë talentet dhe potencialet e tyre. Aftësia e spikatur e çdo njërit në këtë kontekst është diçka e mrekullueshme, pa dyshim.

Tiranë, më 28/02/2019


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.