OPINION

Në pritje të Godo-së popull

07:38 - 04.03.19 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Një nga shqetësimet(gati makth) realë të opozitës sonë të këtyre dy viteve të fundit ka qenë se a do të mblidhte popull(njerëz) sa duhet në protestat që thërriste. Prandaj dhe sa herë shpallte sezone protestash, mjaftohej me një apo dy maksimumi. Duke parë që njerëz nuk kishte mbledhur mjaftueshëm thirrja e saj e parë. Opozita jonë e di mirë pafuqinë e saj. Mungesën e besimit dhe të ngjalljes së shpresës për ndryshim, për një frymë opozitare tek njerëzit. I di të gjitha skeletet përvëluese që fshehin në dollap shumë prej drejtuesve të saj. Megjithatë, është e dënuar të aktrojë sikur e ndjek populli. Tani, me harakirin(vetëvrasjen) politik të kryer me dorëzimin e mandateve, ka shpresë mos kjo lëvizje ka ngjitur tek njerëzit. Demonstrata e dhunshme e 16 shkurtit ishte përpara dorëzimit. Atje njerëz dolën. Jo sa për të thënë “kam popullin me vete”, por dolën. Protesta tjetër përpara Kuvendit më 21 shkurt nuk mund të kuptohej, pasi vendi aty është shumë i ngushtë dhe prania e popullit nuk arrihet të vlerësohet. Ah, sikur kjo pakicë, qofte edhe njëherë të vetme të kishte provuar të bënte kundërshtaren e shumicës që ndërton vlera në këto dy vjet! Që u jep një alternativë qytetarëve, që nuk lodhet së menduari e sjelluri si qeveri në hije. Që shpalos orë e çast personalitete të panjolla në fusha të ndryshme, që po të ishin në qeverisje, njerëzve t’u mbushej mendja se do të bënin më mirë. Ose së paku, të shpresonin për këtë. Kjo shpresë mund të ngjallej nga puna e papërtuar e opozitës.




Në përgatitje projektesh, programesh zhvillimi, buxhetesh alternative, propozimesh për ndryshime ligjesh, interpelancash(seanca pyetjesh) pa fund. E kështu me radhë. Po t’i kishte bërë të gjitha këto dy vjet, njerëzit do ta shikonin ndryshe. Mirëpo kjo është një opozitë që nuk ka lexuar një herë të vetme nga fillimi deri në fund raportet e kontrolleve të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Pakica jonë edhe kur u referohet shifrave të tij, i thotë gabim. Gjetjet për tenderë jo të rregullt, për abuzimet e pafund me tokat në bregdet apo edhe më brenda vendit. Për 467 mijë kontrollet “check-up” që nuk janë kryer ndonjëherë dhe që Buxheti ynë i Shtetit vijon t’i paguajë, për shkak të një kontrate partneriteti publik-privat(PPP) të lidhur keq, Për qindra dhe mijëra raste të tjera keqpërdorimi apo abuzimi me pronën dhe paranë e të gjithëve. Që janë “Hapu Sezam” për këdo që dëshiron ta mbajë përgjegjëse qeverisjen tonë publike. Vetëm pak ditë më parë, KLSH, në buletin e vet statistikor vjetor kumtoi se kjo qeverisje ka shpërdoruar 1.7 miliardë euro vetëm për 2018-ën! Në dëm ekonomik(193 milionë euro), të ardhura të munguara(923 milionë euro) dhe shpenzime të kryera jo si duhet(587 milionë euro). Këto shifra të vetme do të mjaftonin për të kryqëzuar një qeveri në punën e saj për të administruar paranë e qytetarit. Por jo. Kjo opozita jonë e sotme nuk ka kohë dhe vëmendje për këto. Është vetë pakica politike që qëndron e kryqëzuar në fajet dhe gabimet e saj të një të shkuare jo dhe aq të largët në pushtet. Dhe qytetarëve u ka servirur këto dy vjet vetëm hartime nga foltorja e Kuvendit apo nga foltoret e konferencave për shtyp, për një qeveri të krimit e të drogës.

Pa asnjë dokument të vërtetë tronditës për ndërthurjet e qeverisjes së sotme me elementë të krimit të organizuar(që megjithatë janë aty!). Por vetëm regjistrime pa kurrfarë vlere dhe pseudo-denoncime që kanë tronditur besimin e qytetarit tek opozita e vet. Opozita jonë ka bërë gabim fatal kur ka kujtuar se hartimet e veta plot pathos e pezm opozitar(njerëzit kanë parë se si opozitarët tanë grindeshin kinse përpara kamerave televizive, pastaj me deputetët “armiq” të pozitës me duart hedhur krahëqafë pinin kafe e bënin shaka), qytetari mund t’i hajë si dosje reale të lidhjeve të qeverisë së sotme me krimin e organizuar. Aty ku vërtet kishte dosje të kopsitura mirë, denoncimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, opozita nuk ka ditur t’i përdorë. Sot pret t’i vejë popull në protestat e saj. Të gjithë shpresën e ka vënë në praninë e qytetarëve më 16 mars. Në 200 mijë njerëz që thotë se do të derdhen në rrugët e Tiranës. Me idenë e fiksuar se po pati popull mjaftueshëm në protestat e saj, ndërkombëtarët do të ndërrojnë qëndrim dhe do ta përkrahin. Ose ndoshta aq i bën për ndërkombëtarët. I mjafton të ketë popullin me vete. Por a do ta ketë mjaftueshëm? Populli ynë thotë: ”Çfarë mbjell, atë dhe korr”. Nga mënyra se si është sjellë këto dy vite, ka rrezik që pakica jonë politike të presë, si personazhet e veprës së mirënjohur të dramaturgut Samuel Beket “Në pritje të Godo-së”. Të dikujt që e presin me padurim e përgjërim çdo ditë, por që nuk vjen kurrë. Dhe kjo nuk është në të mirë të vendit, pse na duhet një opozitë e fortë për sot dhe për nesër.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.