OPINION

Një jetë – mësues, drejtues dhe specialist i spikatur i arsimit

14:47 - 05.03.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fran Cara (mësues) – Prag festash të 7-8 marsit 1994. Nxënësit e mësuesit e Shkollës së Mesme të Përgjithshme Pukë vlonin nga puna për realizimin e veprimtarive sa më të larmishme dhe cilësore kushtuar festës së “Mësuesit” dhe të “Gruas”.
Në ballë të garës ishte viti IIIA. Entuziazmin që sillnin veprimtaritë për këto festa i shihje në sytë e nxënësve.
Por, … jo! Ky entuziazëm na u shua pamëshirshëm në prag të atij 7-8 Marsi.
Sabah Sinani na u nda nga jeta. Ai këtë 7 mars nuk do festojë me ne, me familjen, as me nxënësit e vitit të tretë, me të bijën e tij të mrekullueshme, nxënëse e dalluar e kësaj klase Aida Sinani, e cila ishte dobësia e tij.
E sot pas 25 vjetësh po u përcjellim familjes, të afërmve, kolegëve dhe nxënësve të tij këtë homazh në shenjë nderimi e respekti për jetën dhe punën e tij.
Vijimit të këtij shkrimi do t’i paraprijë me thënien brilante të Edmond de Amiçis: “Shqiptoje gjithnjë me nderim emrin “mësues” që pas emrit të prindit, është më bujari dhe më i ëmbli, me të cilin mund ta quajmë një tjetër”.
Jemi të bindur se shqiptimi i këtij vlerësimi i shkon për shtat Sabah Sinanit, e sikur është shkruar enkas për të.
E aq më tepër kur obligohemi të shkruajmë për bashkëkohës, kolegë, e mbi të gjitha, shokë dhe miq të këtyre vlerave e përmasave, që rrallë na i sjell fati në jetë.
“Sabah Sinani” – jo thjeshtë një emër. Madje, që nga emri – një rrezatim drite. Vetë emërtimi i tij prindëror përkon me lindjen e dritës dhe të ditës pas errësirës së natës. E koha kur lindi, në ato vitet e para pas Çlirimit, shënon luftën e madhe si pas lajtmotivit naimjan “Dhe dritë e diturisë përpara do t’na shpjerë”.
Dhe Sabahu – dritë, dritë filloi të shpërndajë, që nga bankat e Shkollës së Mesme të Përgjithshme “Migjeni” Pukë, në UT si student i gjuhës dhe i letërsisë e gjatë gjithë jetës si “Pishtar i dritës”. I tillë ishte deri sa na u nda nga jeta në atë prag të festës së mësuesit të vitit 1994, të cilën na e ktheu në ditë zie e të dhimbjes së madhe për të gjithë ne: fëmijët e tij të shpirtit, bashkëshorten dhe kolegen e mrekullueshme Drita, farefisin, kolegë dhe shokë e miq anembanë, jo vetëm në Pukë, por kudo nëpër Shqipëri. Dhe i tillë do të mbetet në shpirtin dhe kujtesën tonë: mësues i dashuruar me profesionin, drejtues dhe specialist i spikatur në arsim, hulumtues dhe studiues i përkushtuar i historisë së zhvillimit të arsimit në rrethin e Pukës, publicist i talentuar, prind shembullor dhe bashkëshort i devotshëm që, gjithë jetën me shpirtin e tij të madh e vizionin për të ardhmen, luftonte të mbillte pemët e dashurisë ndërmjet njerëzve, të paqes dhe të shpresës.
Sabah Sinani pati një jetë të vrullshme intelektuale, sociale e familjare. Njerëz të tillë, pavarësisht se jetojnë pak, kujtohen gjatë.
Ai çdo punë që i ngarkohej e kryente patjetër dhe mjaft mirë.




Shkolla shqiptare, si kudo në botë, edhe në Atdheun tonë është një teatër gjigant që kërkon aktorë profesionistë.
Sabah Sinani ishte një i tillë. Ai tërë jetën e tij si mësues, drejtues shkolle dhe specialist në Kabinetin Pedagogjik të rrethit Pukë u orientua nga kredoja themelore, nga më të përparuarat për kohën, që udhëheq dhe motivon tërë procesin mësimor-edukativ sipas parimit pedagogjiko-psikologjik: “Tërë ky proces do të synojë, jo t’i mësojë nxënësit se çfarë të mendojnë, por t’i mësojë se si të mendojnë”.

Drejtimin e mirë e me përgjegjësi të shkollës, Sabahu e shihte dhe e vlerësonte si parakusht për një ecuri të mirë të arsimimit të nxënësve, kudo që ka punuar e drejtuar. Ai i vlerësonte sfidat që i dilnin gjatë rrugës dhe përpunonte ide të qarta e të qëndrueshme, jo vetëm për t’i shërbyer aktualitetit, por edhe perspektivës.
Krahas përkushtimit dhe kompetencës profesionale si drejtues shkolle, Sabahu ishte intuitiv për t’u bërë parapritë problemeve shqetësuese që mund të ndodhnin. Ai zotëronte aftësitë e nevojshme për krijimin e marrëdhënieve të ngrohta e miqësore me kolektivin e mësuesve dhe të nxënësve, me komunitetin e prindërve, me drejtuesit e pushtetit vendor dhe me organet eprore të arsimit. Këto cilësi dhe virtyte i shërbenin si forca lëvizëse për të realizuar pritshmëritë në tërë veprimtarinë drejtuese dhe pedagogjike të shkollës.

Sabah Sinani ishte një specialist vullnetmirë, i kultivuar dhe i papërtuar në Kabinetin Pedagogjik të rrethit. Kishte kërkesa rigoroze ndaj vetes për të ndjekur dhe përvetësuar avancimet metodike e shkencore, psiko-pedagogjike dhe përvojat më të përparuara në shkallë vendi. Dhe këto s’i mbante si stoli për vete. Ai i përpunonte në kushtet konkrete të arsimit në rrethin tonë dhe ua transmetonte mësuesve në të gjitha veprimtaritë trajnuese, metodiko-shkencore në bazë rrethi, zonash metodike e deri me grupe të vogla mësuesish e mësues të veçantë.

Pasioni, njëherazi edhe shqetësimi i tij i përhershëm ishte puna me librin dhe bibliotekat e shkollave. Është meritë e këmbënguljes dhe e punës së tij që, jo vetëm të pasuroheshin, por edhe të sistemoheshin, inventarizoheshin e skedoheshin pothuajse të gjitha bibliotekat e shkollave të mesme e 8-vjeçare nga vitet 1985-1990. Sabahu ishte vetë i pasionuar me librin dhe përpiqej në çdo rast që i jepej mundësia t’i motivonte mësuesit për kultivimin te nxënësit pasionin e leximit dhe të studimit të vazhdueshëm.
Unë, autori i këtyre radhëve, kam pasur fatin, jo vetëm kur isha inspektor arsimi, por edhe në vitet e tjera, të bashkëpunonim dhe të koordinonim veprimtaritë metodike, vëzhguese, kontrolluese, trajnuese dhe ndihmuese në shkallë rrethi, në zona e shkolla të ndryshme, si edhe në disa veprimtari kombëtare.
Në këto veprimtari ai e shihte veten si një partner aktiv e bashkëpunues me çdo mësues për të arritur më të mirën e mundshme. Mbi të gjitha, tek ai spikaste dashamirësia dhe takti i komunikimit, duke u zhveshur plotësisht nga hija imponuese e specialistit apo e eprorit. Ai ishte një model para nxënësve, prindërve dhe instancave eprore të arsimit.

Krahas vlerave të mësipërme, spikat puna voluminoze dhe sistematike gjatë aksionit kombëtar për hulumtimin dhe grumbullimin e fjalës së rrallë. Me mijëra skeda me fjalë dialektore, të sjella nga mësuesit e të gjitha shkollave të rrethit, janë ballafaquar me Fjalorin e Shqipes së Sotme, janë seleksionuar, sistemuar e shpjeguar me kritere rigoroze shkencore dhe i janë dërguar Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë.
Për këtë punë, sa voluminoze dhe shkencore, Sabah Sinani është vlerësuar së tepërmi nga sektori i leksikografisë pranë këtij Instituti; dhe ne si rreth kemi dalë faqebardhë në këtë aksion, falë punës profesionale të tij.

Publicistika ishte një pasion tjetër i tij. Ai që student ka qenë vazhdimisht prezent në disa nga organet më në zë të shtypit, por gazeta “Mësuesi” ka qenë “shtëpia” e tij e dytë. Falë dëshirës, vullnetit të tij të mirë, prirjes për t’u kapur nga e mira dhe arritjet por pa lënë në heshtje shqetësimet dhe problemet, Sabahu ishte një zë kumbues i vazhdueshëm për arritjet e arsimit e të kulturës në rrethin e Pukës.
Në punën e tij 23-vjeçare pedagogjike, hulumtuese dhe studimore, spikat edhe puna për historikun e arsimit në këtë rreth. E ai vetë është një vlerë e shtuar dhe mjaft e rëndësishme në tërë këtë rrugë më se 100-vjeçare, sa fisnike e të vështirë.
Kontributi i tij ka lënë gjurmë në zhvillimet sasiore e cilësore të arsimit.

…Dhe dhënia e emrit të tij Shkollës së Mesme të Përgjithshme të qytetit të Pukës është një regjistër memorial që flet shumë për përgjegjshmëri intelektuale të bashkësisë së mësuesve dhe arsimdashësve pukjanë. Ky vlerësim na bën të ndjehemi krenarë për Sabah Sinanin e figura të tilla të spikatura të arsimit në Pukë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.