OPINION

Reflektim në 7 Mars

09:56 - 07.03.19 Aleko Miho
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Historia e arsimit në Shqipëri nis në 7 mars 1887, me çeljen e mësonjëtores në Korçë. Rreth 130 vite nuk janë shumë për hir të vërtetës po të krahasohet me shumë vende në rajon, prandaj kjo ngjarje do të thotë shumë për Shqipërinë, për gjithë kombin tonë. Këtë vit ajo merr edhe më shumë rëndësi pasi arsimi u bë çështja e ditës, në veçanti arsimi i lartë publik, çështje shumë e nxehtë, shumë e debatuar për thuajse dy muaj në fundvitin që shkoi dhe këtë fillim viti.




Pa diskutim që shkollimi është ushqim i përditshëm për shëndoshjen e një shoqërie, për zhvillimin e saj, për shërimin e plagëve të trashëguara ose të importuara, për demokratizimin e saj në të gjitha nivelet. Shkolla asnjëherë nuk është e tepërt për këdo qoftë, edhe sikur pasurinë ta ketë me thasë! Unë këtu dua të ndaj me lexuesin disa mbresa lidhur me këtë ditë të shënuar në historinë tonë. 

Përkujtim dhe mirënjohje

Unë përulem në këtë ditë me shumë me respekt ndaj gjithë atij brezi mësuesish që na kanë mësuar, që kanë punuar me ne me shumë përkushtim, me shumë pasion dhe ndershmëri, por dhe shumë dhembshuri, duke na bërë të ndjeheshim në shkollë si në një familje të madhe, jo vetëm mes nesh si nxënës, por edhe bashkë me gjithë stafin pedagogjik! Një pjesë e mirë e formimit tonë dhe arritjeve tona kudo ku ndodhemi sot u përket edhe këtij brezi mësuesish! Nëpërmjet tyre, mirënjohja shkon te gjithë mësuesit, në detyrën e tyre, sa fisnike aq dhe të vështirë. Përkujtoj këtu të gjithë ata që nuk jetojnë më, sidomos ata që kanë hedhur themelet e para të arsimit shqiptar! Të tjerë janë sot në pension, të cilëve ju uroj jetë të gjatë, gjithmonë shëndet e gëzim! Shumë të tjerë përpiqen sot në gjithë shkollat e vendit që me mish e shpirt të përcjellin dijen tek të rinjtë, të ndriçojnë sadopak mendjet e tyre për të ecur më mirë dhe më larg! Kush nuk është pjesë e kësaj armate e ka të vështirë të kuptojë se sa i kushton një mësuesi kjo gjë, sa mund duhet për të ’qepur’ tek të rinjtë një kostum të dijes, që ky kostum t’i rrijë mirë secilit! Dhe sa e vështirë bëhet ajo kur rrethohesh nga varfëria, nga pabarazia, nga kushte gjithmonë e më minimale, kur sheh shpërfilljen e pjesës tjetër të shoqërisë, ndonjëherë dhe përbaltjen, për fat edhe nga vetë politikëbërja dhe vendimmarrja!

Por shkollimi është i lidhur ngushtë edhe me atë që kërkon dijen. As që mund të kuptohet shkolla pa shkollarët! Nuk mund të rri pa u përulur këtu me shumë respekt në veçanti ndaj gjithë asaj armate të rinjsh që e bëjnë natën ditë për të marrë sa më shumë dije. Nuk janë pak ata që janë diplomuar dhe vazhdojnë edhe sot të diplomohen shkëlqyer, të cilët kanë ndjekur apo ndjekin sot rregullisht shkollën, mbajnë gjithmonë me vete librin. Të gjithë këta e kanë kuptuar se vetëm në këtë mënyrë mund të ecin përpara, ’mund të ’çajnë në jetë’, si thuhet rëndom. Unë ju jam shumë mirënjohës atyre studentëve që i gjej të ulur në auditor para orës 08.00 në mëngjes kur unë shkoj për të filluar leksionin. Janë këta që të ndjekim me kureshtje në leksion, që janë aktivë në laboratorët tanë, si dhe gjatë praktikave botanike në terren. Të gjithë këta na nxitin për të punuar edhe më shumë me ta, por edhe na japin shumë kënaqësi dhe çlodhje kur dëgjojmë për arritjet e tyre. Shpesh ky grup të rinjsh është edhe i heshtur! Kush punon nuk ka kohë shumë të bëjë zhurmë apo të merret me veset e ditës. Ky grup është gjithmonë krenaria e shkollës, por dhe krenaria dhe shpresa familjeve të tyre dhe e gjithë vendit! Në një Tempull të tillë të dijes, si Shkolla meriton të quhet, binomi mësues-nxënës, apo pedagog-student është i pazgjidhshëm, ata ecin bashkë dhe rriten sëbashku!

Shkollimi dhe zhvillimi

Është një tjetër binom i pandashëm. Kush zgjedh shkollimin, pa diskutim që ka zgjedhur progresin dhe mirëqenien, dhe ka shqelmuar varfërinë. Unë flas për shkollim të vërtetë, të përftuar me punë dhe djersë. Nuk flas për nota të marra me pahir, apo për diploma të siguruara me rrugë ndryshe nga ajo që përmenda më sipër. Për fat të keq edhe kjo ndodh në sistemin tonë arsimor në këtë periudhë tranzicioni! Besoj se Shqipëria mund të jetë ndër vendet e rralla ku ndërhyhet ende për të kaluar, apo për të marrë një notë më të lartë! Dhe mësuesi i gjorë duhet të përballet edhe me këtë dukuri përditë! Para se të jetë mësues, edhe ai është njeri, familjar, me lidhje fisnore e shoqërore, apo me halle jete dhe karriere, të cilat kthehen shpesh në forma ndërhyrje, për ’të ndihmuar’ djalin, nipin, apo djalin e mikut që është në shkollë. I gjithë profesioni ynë i pedagogut në universitet është shumë i pëlqyer, me përjashtim të kohës së provimeve, ku secili prej nesh uron për të pasur sa më pak ndërhyrje! Dhe të më besoni ndërhyrjet për të kaluar apo për notë më të mirë nuk janë për ata që përmenda më sipër, për kokëulurit dhe punëtorët, por për ata që nuk vijnë rregullisht në shkollë, që dhe kur vijnë rrinë atje në fund, më shumë për të prishur mësimin se për të dëgjuar, që dhe me librin janë ’divorcuar’! Nëse duam të luftojmë varfërinë, nëse duam progresin e individit dhe të gjithë shoqërisë duhet patjetër të luftojmë vendosjen e notës dhe dhënien e diplomës së pamerituar, kjo në gjithë sistemin, parauniversitar dhe universitar, publik dhe privat. Kjo e prish shumë cilësinë, duke i hyrë në pjesë në mënyrë të padrejtë dhe të pandershme gjithë shkollarëve që punojnë dhe me intelekt të lartë. Është këtu që duhet të tregojë më shumë vëmendje familja, shoqëria dhe politikëbërja me gjithë rregullat e saj.

Por cilësia e shkollimit në gjithë këto vite tranzicioni është rënduar nga mbështetja e munguar në infrastrukturën e duhur në përputhje me standardet, në pajisje laboratorike, në kimikate dhe qelqurina, në libra cilësorë, dhe mbi të gjitha nga motivimi tepër modest i stafit arsimor. Arsimi cilësor nuk mund të arrihet kurrsesi me mbështetjen financiare më të ulëtën në rajon, sado të përparuara të jenë ligjet dhe aktet e tjera! Për hir të së vërtetës edhe këto të fundit nuk kanë shkëlqyer, ose kanë qenë të munguara ose të bëra jo si duhet. Në Shqipëri gjenden sot dy sisteme arsimimi, ai publik dhe privat, njëri i lënë në harresë me një mbështetje minimale, kurse tjetri vjel tarifa të majme nga vetë nxënësit apo studentët në universitet. Natyrisht të dy sistemet i bëjnë konkurrencë të pastër njëri-tjetrit, dhe jo vetëm kaq, por edhe karshillëk nëpër shumë nga mediat e shkruara dhe ato elektronike! Për më tepër tek njëri pagat për stafin mësimor janë modeste, krahasuar me pagesën për ata që japin mësim tek tjetri, të cilët janë përgjithësisht mësues apo pedagogë të sistemit publik të kontraktuar me orë pune. Unë e kam të vështirë të kuptoj që një sistem i tillë i dyzuar të ofrojë cilësi në rritje në përputhje me kërkesat e kohës.

Duhet thënë me forcë se arsimi është faktor drejtues kyç për rritjen ekonomike të një vendi, veçanërisht arsimi i lartë. Në gjithë këta vite tranzicioni numri i studentëve vërtet është shumëfishuar, por cilësia e masës studentore që hyn në universitet ka pësuar rënie të dukshme. Dhe të mendosh se shumë prej tyre vijnë me rezultate shumë të mira nga shkolla e mesme! Do të thotë që në arsimin parauniversitar ka një fiktivitet të madhe të vendosjes së notës. Kjo ka qenë falë një vizioni jo të qartë të politikëbërjes për rëndësinë jetike që ka arsimi në progresin e vendit. Qeveritë në vite asnjëherë nuk kanë parë detyrimin për të shtuar mbështetjen financiare, mbështetjen në infrastrukturë, ndaj shtimit të numrit të nxënësve apo të studentëve në universitetet publike. Asnjëherë ministria përgjegjëse për arsimin nuk ka bërë parashikime se cilat janë nevojat për të arsimuar me shkollë të lartë, në cilat degë, të bëjë si duhet shpërndarjen e kuotave në gjithë sistemin publik dhe privat bashkë, të përcaktojë sa është kostoja në vend për secilin student për një arsim sipas kërkesave, cilat janë standardet që duhet të përmbushen, etj. Në një situatë të tillë lind pyetja se a ka vërtet Shqipëria nevojë për 140 mijë diploma, prej të cilave 123 mijë nën mbështetjen e buxhetit të shtetit në universitetet publike, sa janë sot në gjithë shkollën e lartë?

Në të vërtetë është një rreth vicioz, ku dobësimi i arsimit sjell dobësi në gjithë zhvillimin e shoqërisë, në ekonominë e vendit, përfshirë këtu edhe vetë cilësinë e politikëbërjes. Një shoqëri e ditur nuk hedh lekët nëpër piramida, nuk ndjek rrugën e kanabisit, apo të betonimit të qyteteve, të bregdetit, nuk pushton tokën e bukës me ndërtime, nuk shfaros në masë pyjet, bimët mjekësore dhe sot edhe lumenjtë! Për më tepër, dija dhe demokracia udhëtojnë së bashku! Pra, sa më shumë përparon dija, aq më shumë përparon edhe vetë demokracia në vend. Një shoqëri që vendos diturinë në qendër të vëmendjes ka më pak kriminelë, më pak korrupsion, më pak dhunë në rrugë, në familje, nëpër protesta dhe në stadiume, ka më shumë mirëkuptim mes shumicës dhe pakicës në kuvend dhe jashtë tij, më pak arrogancë dhe ironi nga udhëheqësit, si dhe shfaqje të tjera të pa merituara në gjithë këta vite tranzicioni. Vetëm me përpjekje të mëdha nga e gjithë shoqëria mund të rimëkëmbet shkolla në të gjitha nivelet, mund të kapërcehen shumë nga vështirësitë në arsim të grumbulluara në vite. Me dije sa më të shëndosha mund të kemi nesër më pak të papunë, dhe më shumë shkencëtarë, inxhinierë, agronomë, mjekë, juristë, mësues, pse jo dhe politikanë dhe qeveritarë më të zot.

Shpesh nga shkolla kërkohet shumë, kërkohet shumë nga familja, kërkohet shumë dhe nga ministria përgjegjëse, kërkohet shumë edhe nga vetë shkollarët. Dhe mirë bëjnë që kërkojnë, se ne vërtetë meritojmë më shumë dije, se koha sot kërkon më shumë dituri për të përballuar sfidat e zhvillimit! Por kjo nuk mund të bëhet pa mbështetjen e gjithë shoqërisë, të vetë familjes, por dhe të biznesit dhe sidomos të politikës dhe qeverisë. Shpesh shoh të kujdeset më shumë për ‘dekorin’ në jetën tonë dhe jo shumë të përballemi me nevojat tona jetike, siç është shkollimi. Të kuptohemi, edhe ‘dekori’ ka rëndësinë e vet; kur është i bukur, ai është çlodhës dhe tërheqës edhe për turizëm. Por gjithmonë përparësi duhet të ketë zgjidhja e kërkesave të tilla jetike, ku pa diskutim arsimi duhet të jetë ndër më kryesorët. Le ta ’shkurtojmë ca më shumë jorganin’ për ta arritur këtë! Kjo kërkon më shumë vullnet, më shumë mirëkuptim mes palëve të interesuara, më shumë përpjekje fizike, dhe natyrisht më shumë mbështetje ekonomike. Edhe një herë mirënjohje 7 Marsit, dhe ndaj gjithë atyre që nuk kanë reshtur përpjekjet për shkollën shqipe dhe dijen në Shqipëri!

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.