OPINION

Një kryeministër mjeran e i izoluar

07:40 - 08.03.19 Bardh Spahia
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Duhet pranuar se propaganda mbetet pika e fortë e Edi Ramës, e aty nuk ka rivalë. Por nëse brenda vendit, me kontrollin financiar që ushtron ndaj mediave, e ka orientuar debatin tek dhuna në protestë, duke anashkaluar plotësisht arsyet që nxorën opozitën nga parlamenti, e kërkuar bashkimin e qytetarëve në shesh kundër tij, jashtë vendit po bën një figurë qesharake teksa shfaqet si europiani reformator përballë një opozite xheloze ndaj tij. Kështu, si kurrë ndonjë shtetar më parë, mori rrugën drejt Italisë e po vetëofrohet për intervista, për të thënë se mijëra qytetarët në shesh nuk janë populli i revoltuar ndaj tij, ndërsa normaliteti shqiptar ka personazhet qesharake që i solli në kuvend si opozita që atij i duhet. Falsiteti i kësaj fasade i spikati turpshëm pikërisht në prag të intervistës së siguruar në emisionin “Porta a Porta“ në kanalin kryesor televiziv publik italian. Kryeministri u kryqëzua nga komentet e pacensuruara të shqiptarëve në faqen zyrtare të programit, ndërsa në mënyrë edhe më qesharake se vetë kryeministri, dy zëvendësministra të tij, postonin elozhe për kryeministrin.




E gjithë kjo akrobaci fsheh edhe një tjetër realitet kokëfortë. Edi Rama po përpiqet pa shumë sukses, të kompensojë takimet e munguara me homologë qoftë rajonalë, qoftë europianë me “ftesa“ për intervista në mediat e vendit fqinj. I spostuar në një cep të “Porta e porta“ në kanalin kryesor publik italian mbas mesnate, me panelistë të zgjedhur me kujdes, për të dhënë mesazhet e duhura në mbështetje të kryeministrit, do dukej deri diku interesant, nëse stili i tij i njohur i vitit zero, që kur mori detyrën, të mos shkëlqente që në nisje, me një insert televiziv, ku Shqipëria e para Edi Ramës, identifikohej me atë të eksodit të marsit 1991. Këtij krahasimi që vetëm një mendje si e Edi Ramës mund të guxojë ta bëjë, i mëshoi sipas skenarit, edhe miku i tij i vjetër Igli Tare, duke kapërcyer pacipësisht arritje kokëforta të Shqipërisë, jo nën qeverisjet socialiste, si anëtarësimi në NATO apo liberalizimi i vizave.

Qesharake deri në dhimbje akrobacitë e një kryeministri, që në gjashtë vite nuk ka asgjë për të shënuar në avancimin e vendit drejt BE, e sot akuzon opozitën, se po pengon integrimin, pasi bëri sakrificën radikale për një forcë politike, dorëzimin e mandateve, për t’u bashkuar me qytetarët kundër këtij kryeministri, që propagandën e kushtueshme e ka investimin primar të qeverisjes së tij.

Kryeministri i një vendi që pret hapjen e negociatave, pasi i hapi njëherë një vit më parë, ka detyruar opozitën të braktisë parlamentin, pasi njihte si formë dialogu vetëm forcën e kartonëve dhe kapjen e çdo institucioni të pavarur. Edi Rama e kupton se afera e vjedhjes së zgjedhjeve e korrupsionin galopant, që mban peng në sirtarët e prokurorisë, i kanë edhe partnerët e fuqishëm ndërkombëtarë, të cilët prej kohësh tashmë refuzojnë t’i japin mundësi kontakti direkt. E para Kancelarja Merkel, e pas saj edhe udhëheqës të tjerë, të cilët në fillim nën shembullin e Merkel, e pritën dhe e inkurajuan Edi Ramën si kryeministër, por më pas, u stepën, kur kuptuan se raportet që u vinin nga Komisioni Europian, nuk përkonin me informacionet, që secili vend i siguron nga burime të veta, zyrtare apo të hapura. Edi Rama ia doli t’i fshinte nga raporti i progresit, edhe ish-ministrin e Brendshëm nën akuzë për trafik ndërkombëtar droge, edhe personat me rekorde kriminale në pushtetin qendror e vendor, edhe blerjen e zgjedhjeve, edhe korrupsionin galopant me PPP, edhe varfërinë e mungesën e shpresës që i sjell një eksod të heshtur të qytetarëve të vet.

Atë ndikim të errët të këtij kryeministri në administratën aktuale të Komisionit Europian,  është diçka që Merkel me të ngjashmit e vet në Këshillin Europian, e kuptojnë qartë, dhe e shprehin përmes votës ndaj Shqipërisë. Njëlloj e kuptojnë se ai lobim i kushtoi edhe Maqedonisë qershorin e kaluar, që u tërhoq pas nga Shqipëria, pasi kryeministri nuk e kishte “luksin” të spikaste si i refuzuari i vetëm për hapjen e negociatave të anëtarësimit.

Fatkeqësisht kostoja e lobingjeve të kushtueshme të kryeministrit i mbeti shqiptarëve, sepse përgjigja e vendimmarrësve të BE, që në vendet e tyre kanë parime krejt të kundërta pune e demokracie me kryeministrin artist shqiptar, ishte lënia jashtë dere e Shqipërisë. Por kryeministri i Shqipërisë po u rezulton edhe më i rrezikshëm se ai lloj lobimi. Tashmë e kanë parë qartë rolin e tij në idenë e shkëmbimit të kufijve mes Kosovës e Serbisë, ku kufiri mes delirit për t’u faktorizuar në sytë e kujt ka zhgënjyer, dhe përdorimit të turpshëm për interesa të errëta, është tejet i hollë.

Eshtë normale që kancelaritë europiane të mendojnë se Edi Rama është problem i shqiptarëve, sepse ai këtu i ka marrë votat, me hir e pahir. Prandaj aksioni ynë opozitar me protestat qytetare ka marrë vëmendje të lartë, sepse nuk janë vetëm opozitarët, por edhe shumë qytetarë të revoltuar para kryeministrisë e para parlamentit. Zërat e koordinuar të burokratëve të Brukselit, të njëjtët që shkruan turpshëm vetëm arritje në progres raportin e fundit të Shqipërisë, nuk e zhurmojnë dot heshtjen e vendimmarrësve të lartë politikë të Bashkimit Europian, për aksionin ku opozita ka ftuar qytetarët. Mediat e vendeve të tyre, ndryshe nga kryeministri, flasin për një qeveri të korruptuar e një kryeministër që pasi ka blerë votat, ka kapur çdo pushtet e sidomos gjyqësorin, që nuk e lejon të ndëshkojë asnjë prej të vetëve, edhe pse ka fakte flagrante.

E Edi Ramës tashmë i ka mbetur veçse të bëjë lolon në Itali, i ndihmuar nga miq po aq kontroversë sa ai, duke lypur vëmendje si artist i pazbuluar, pasi tashmë besueshmërinë si kryeministër, jo vetëm nga shqiptarët, por edhe nga ndërkombëtarët, e ka në shifrën e vet të preferuar, ZERO.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.