MILOSAO

Bartës dhe i bartur- vepra dhe procesi krijues

08:25 - 10.03.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Josif Papagjoni – Të lutesh, përveçse një rit nisur mbase në zanafillë të njerëzimit nëpër shpellat prehistorike, është dhe një pastrim i vetvetes apo një bashkëshoqërim me tjetrin, për të ndarë vuajtjen dhe për të blatuar paqen. Piktori i mirënjohur Gazmend Leka sjell një seri veprash që i kushtohen këtij akti heshtan, përjashtimisht vetanak, kredhur në një botë pa caqe, efemere, si e shpërbërë, apo e tejdukshme, apo e përtejme, ku humbasin caqet, format, realitetet e prekshme, ku hapësirat vizualisht të rrokshme kthehen në shenja, përjetime, dritësime, kryqe, varre, tempuj, muzikë dhe heshtje – Heshtja e Madhe – mu atje ku nis HIÇI i madh, si i zbërdhulët, një Dritë-Terr mes të zezës dhe të bardhës. Një ndërkomunikim. Atje ku artisti, prijëtar dhe i vetë ndëshkuar, bartës i një vuajtje pa emër, ndofta të “ëmbël”, ndofta të hidhur, një ekzorcisti vetvetes por në tjetër domethënie, i të mirës dhe i të bukurës, që kërkon të gjejë një vend diku, gjithsesi.
Kam shkruar me entuziazëm disa herë për pikturën e Gazmendit, sepse më rrëmben filozofia e tij, forma e atypëratyshme, tejet personale e raportit të krijuesit me krijimin, më tutje e raportit të tij me kozmosin, mitin, paramendimin, zanafilloren, hyjnoren, simbologjinë, fuqinë katarsike, të përshpirtshme të artit sa dhe demoniake, ku rendi, harmonia, totaliteti kërleshen po aty me shthurjen, kaosin, copëzimin, zhbërjen. A është procesi i krijimit, para se vepra e artit të sublimohet, një diçka e tillë, ose e ngjashme atypari? Pse vepra është një realitet absolut, i përcaktuar rreptësisht, i “ngrirë” në gjendjen e saj të fundme, e pandryshueshme më, ndërsa procesi paraprak është i gjithi relativ, i papërcaktuar, shpesh konfuz, i ndryshueshëm saora, pa fund e majë, një ecejake e mundimshme drejt fundit të tunelit, ku shfaqet befas drita shpëtimtare? Kjo pyetje dhe ky mundim për t’i dhënë një përgjigjë është ajo çka ekspozita e fundit “Lutja” e G. Lekës na fton të gjejmë e japim, sidoqoftë, një përgjigje. Por ato, pyetja dhe mundimi vetjak i piktorit, nuk janë vetëm të tijat, por edhe tonat: janë alternativa estetike që lidhen me kuptimin e veprës dhe të procesit krijues.
Ekspozitat e mëhershme të Gazmend Lekës “Black Box”, “Kutia e Zezë e Qenies”, “Simbolon”, “Molla”, “Natura morta”, “Taso” kanë qenë një rrugëtim mes shiut dhe zhegut, përpëlitjes dhe kthjelltësisë, për t’u dhënë kuptim disa gjendjeve e përjetimeve tejet të thella të artistit, rrjedhimisht për t’u dhënë gjuhën piktorike vetjake gjësendeve që e kanë rrethuar atë në ndërkohë qysh nga viti 1994, asoherë kur ia nisi këtij stili e kësaj paradigme piktorike, të cilat e kanë turbulluar, habitur, hutuar, lodhur, mrekulluar, frymëzuar, lumturuar. Sepse arti është vuajtje dhe lumturi njëherazi. Ekspozita e fundit me titullin “Lutja”, me 24 veprat e saj, kompozime që kanë të gjitha së toku një nord tematik, ani pse e fundit për nga radha, është vijim i të tjerave, i kërkimeve të pareshtura të piktorit nëpër shenja e kode, qoftë në stil, qoftë në befasinë që sjellin, qoftë sidomos në risinë dhe atë ndjenjë konstante që Leka ka, për të dialoguar me të panjohurat, me “sfinksin” e laboratorit të tij krijues që diku në qoshen e studios së tij rri serbes dhe i nënqesh. Në këtë rast, pra,me semantikën krijimit si të tillë. Më ka lënë mbresë një mendim i tij, që lidhet me filozofinë e artit: “Duket se artisti krijon Gjithçka nga Hiçi, pasi krijimin vërtet e paraprin Heshtja e Madhe. E gjatë sa një fragment sekonde, apo sa një përjetësi, artisti dhe objektet që e rrethojnë, humbasin gravitet. Ato ngrihen nga dimensioni tokësor, për t’u rigjetur në një nivel të ri metafizik, ku marrëdhënia me hapësirën dhe hyjnoren, ngjizen përfundimisht ndryshe.”




Lutja është një pëshpërimë e shpirtit, ndofta dhe pa i përpjekur buzët, me sytë e drejtuara në një ikonë, në një imazh të ngulitur religjioz. Apo askund, veçse në zbraztinë e mendjes, në nevojën për t’u mbështetur, për të gjetur një dytës, një vëlla, një motër, një mik, një shok. Një kallauz. Nevoja për t’u lutur herë është një klithmë e ardhur nga shumë thellë për një faj të rëndë të kryer herët a së fundmi, herë një pendesë e qetë, e pabëzajtë, si e brishtë dhe herë të tjera si nevojë për të rigjetur veten e humbur e bredharake në shpështjellimet e mendjes dhe të zemrës. Gazmend Leka e ngjason veten me murgjit e dikurshëm manastireve teksa pikturonin ikonat, madje më thellë, me ata priftërinjtë e shpellave dhe shamanët që pikturonin shenja, numra dhe figura të përthyera, tretur në metafora e simbole, për të mbërritur atje ku e zakonshmja bëhej e jashtëzakonshme dhe e rëndomta sublime. Ai provon të bëhet pra një prift ikonograf, por jo i një kohe, por i tërëkohshëm. Sepse ai rreket të shkrijë kohët, të shkuarën dhe të sotmen. Arti është një tjetër “religjion”, ndërsa piktura një tjetër “ikonë”. Ikona, dmth arti, vepra e re, është në kokën e tij, porse sipas tij i duhet heshtja, përqendrimi maksimal, përhumbja, arratisja prej vetes për të rimbërritur po te vetja, por me tjetër brendi. Kjo është mbresa e përgjithshme që unë përthitha nga seria kompozicionale prej 24 tablosh e ekspozitës së tij.
…Kur lutesh je me veten dhe me atë Tjetrin: dikush e quan Zot, dikush e hamendëson si një pushtet absolut, të përtejmë, dikush tjetër sendërgjon diçka mes qenies dhe joqenies. Kur lutja bëhet rit, ti hyn në besim, i vjetër a i ri qoftë ai, s’ka rëndësi. Kur lutja vjen si çast i pakthyeshëm dhe i papërsëritshëm i një gjendjeje shpirtërore ndërdyshas, kur ti kërkon një zgjidhje e ajo mënon, kur ti epohesh drejt një fundi e ai tëhollohet, kur ti priresh kah një siluete, ravijëzimi a konturi diku dhe ato që të gjitha gëlltiten mes territ, atëbotëti ke mbetur veçse te vetvetja, jo në religjion. Mirëpo përfytyrimi yt, sakaq, është tejngopur me ikona, rite, rrëfenja, shkrime të shenjta, mrekulli, zota (fitomorfe, zomorfe apo atropomorfe), gjer te fetë monoteiste. Kësodore ti përzien fenë me qenësinë tënde jofetare, religjionin me ontologjinë e vetëqenies, tanimë ndofta si “realitet filozofik”. Leka e quan veten një “prift”, në fakt s’është veçse artisti brenda “varrit” të vet të krijimit, për të dalë që andej si një Kostandin dhe për të sjellë tek e ëma – shikuesi – krijimin e “mërguar” larg, 9 male kaptuar (9 rrathë të ferrit agnostik), Doruntinën e hijshme, BUKURINË. Pra, me dy fjalë – Artisti në praglindje – kur nga vdekja lind jeta, nga heshtja lindin zëra, nga e pathëna lind domethënia: tabloja piktorike. Ja, në këto pandehma më çonte koncepti i ekspozitës “Lutja”, njëmendësuar në një mori kompozimesh ku “heroi” ishte po vetë ai,Gazmend Leka, i trupëzuar në gjeste, pamje e pozicione të ndryshme, gjegjësisht kompozimit dhe idesë përshkuese. Kokëulur, me shpinën dhe flokët e stërpikur nga e verdha e praruar ëngjëllore, ja ku poshtë, në tavolinë, spikatin penelat, një vizore. Çfarë të bëj? A t’i marr këta penela, a ta përziejë këtë bojë? Por çfarë do të pikturoj?! Ah jo, ai s’e di, ende s’e di. Jam i turbullt, pëshpërit ai. Imazhi ende s’ka mbërritur… Pastaj,ja ku në tablonë tjetër, koka e tij na shfaqet e mbështetur pafuqishëm, kredhur në humbëtirë, në dërrasën pas telajos… Më tej fytyra e tij e mugëtuar, symbyllur. Po fle vallë? Ka vdekur si një Krisht mbi kryq, për t’u ringjallur nga FRYMA? Apo thjesht mbyll sytë që errësira të bëhet totale e në thellësi të saj të shkrep një shkëndijë, fillesa e krijimit?…Nga fytyra, tanimë imazhi përfshin gjysmën e trupit lakuriq, si në një morg a procesion mortor, po njësoj ngjashëm me Jezu Krishtin: flijimi dhe ringjallja e mëpastajme. Këtu ngjyra e mishit (jeta) dhe gërricjet e dritës gjithandej, si rrezatime dhe ardhje vegimesh nga sipër, e bëjnë tablonë edhe më impresioniste… Pastaj vjen tabloja tjetër, ku ai është i shtrirë barkas, i veshur, rishtazi i rrethuar nga penelat, bojërat, kutiçka e gjithfarë gjësendesh, në një rrëmujë totale, me këpucët e zbathura, si ata asketët a besimtarët që shkojnë në tempull për falje…
Por piktori i rrëshqet nocionit “lutje” si të tillë, pra si rit me mbivendosje religjioze. Ai e zhvesh atë nga kjo brendi e drejtpërdrejtë, e shtëmëng duke e rifutur në një tjetër formë e paracaktim, tashmë mirëfilli estetik e artistik: aktin e krijimit si të tillë. Më saktë, parapërgatitjen e aktit të krijimit artistik si një flijim (vdekje) e gjendjes inerte dhe ringjallje (rijetësim) e gjendjes aktive. Palëvizshmërinë në lëvizshmëri. Arti, në fund të fundit, është një rithemelim: nga materialja drejt shpirtërores, nga e drejtpërdrejta drejt të tërthortës. Andaj dhe ai shfaqet si një midis (e ndërmjeme), si “natyrë e dytë”, mes të gjallës dhe të vdekurës, të njëmendtës dhe iluzives, reales dhe të përfytyruarës. Për këtë shkak, për ta bërë sa më intim e vetjak këtë akt specifik të qenies, siç është përnjëmend akti i krijimit artistik, kur qenia shpërndërrohet dhe riderdhet në një tjetër trajtë, ku ajo konvertohet në ART, Gazmend Leka e kthen trupin e tij në imazh, në situatë, në subjekt dhe në kumt të vetë procesit të krijimit. Ja, shiheni atë! Trupi cullak i piktorit, i mbledhur kruspull, në pamundësi e vuajtje, i gjithi flu, si një njollë e madhe ende e patrajtë, përballë një letre të bardhë, si përballë një pretence: Dënim apo falje, jetë apo vdekje! A s’është vallë dhe vepra e artit po njësoj: dështim ose sukses, errësim ose spërndritje, dëshpëruese ose ngazëllyese?!
Në kërkim të artit ti ose e gjen atë, ose e humbet. Leka e kthen këtë proces mendor në një figurë vizuale fizike të identifikuar me vetë trupin e tij, i cili ka atributet e metaforës. Dhe ngjan kësodore sikur arti bëhet art, pra “Arti në Art”. Por s’është aspak kështu, se arti i Lekës, në këtë rast, nuk është shpengimi, as arti i kthyer në qëllim më vete, pa ide, pa shqetësim. Përkundrazi ai ka premisë, shtysë dhe qëllim që të shpjegojë diçka nga misteri i krijimit. Kësodore objekti i artit nuk është më larg, as jashtë atij, por brenda, dhe me atë. Ose është ai vetë Arti, vepra dhe artisti, subjekti dhe objekti, një dihotomi që humbet kufijtë, shkrihet, njëjtësohet. Ky proces estetikisht është i njohur, bie fjala, me autoportretet. Por në rastin e ekspozitës së G. Lekës nuk bëhet fjalë për një grumbullim e numërim autoportretesh, qoftë dhe në këndvështrime e forma të ndryshme. Përkundrazi, bëhet fjalë për një konceptim ku fytyra dhe trupi i piktorit shndërrohen në personazh-bartës të idesë së Lutjes dhe Rimishërimit. Nga qenie ai bëhet, si të thuash, “mosqenie”; bëhet figurë, ide, konfigurim i një mesazhi që krijon kohezion në një sërenditje trup-fytyrash të piktorit të kthyer në personazh… Ja tek shtang përpara një tabloje domethënëse: trupi i lakuriqtë i piktorit i kthyer përmbys, rrethuar nga bojërat, kavaleti, dyshemeja vertikale si mur ngujimi a murimi. Krijimi lipset të përlindet si një lakuriqësi e shpirtit. Kjo për mua është një gjetje estetikisht e bukur, e guximshme, sfiduese, madje tronditëse… Ja dhe një tjetër, sërish lakuriq, por si në arkëmort, vertikalisht, rrethuar nga dhjetëra penela dhe kuti boje të shpërndara nëpër shesh në mënyrë të çrregullt, për të gjetur një pikë ekuilibri, por ajo ende s’ka ardhur (Më jepni një pikë mbështetëse që të përmbys botën! – pat thënë dikur Arkimedi)…
Konceptimi i ritit të lutjes është thuajse liturgjik dhe figura e personazhit të G. Lekës sepse ngjason bash si ata murgjit e kishave dhe manastireve që luten e përfalen para ikonave, për kuptimin e porosive të shenjta dhe transhedentales. Në fakt akti i krijimit artistik është trashedental. Është një farë ribërje e botës së mendjes dhe ndjeshmërisë së shpirtit drejt një eskatologjie, që vetëm fuqia e artit e mbërrin dhe e projekton. Arti është thuajse edhe një krezmim, një kungim. Në një nga tablotë e kësaj serie piktori na shfaqet jo vetëm, por me një tjetër, ndofta një berber, teksa ai i shërben, e rregullon, i qeth mjekrën “prej prifti”, përpara “Lutjes”. Dhe këtu indirekt vjen në konceptin estetik të katarsisit, pastrimit, tashmë jo të shikuesit, por të vetë artistit si medium midis inspirimit që zbret nga sipër me atë që e përcepton veprën e mëpastajme.
Piktori Gazmend Leka në24 tablotë e tij në këtë ekspozitë tematike është fizikisht i rrokshëm, ani pse herë-herë ai e bën portretin dhe trupin si të turbullt, efemer, të hapërdarë, ku prekja e lëkurës thuajse humbet. Ndofta kjo është e qëllimtë për të thënë se shumëçka në veprën e artit nuk është tërësisht e qartë, ka dhe mugëtira, ka dhe brendakalime, shpërndërime. Përballë sipërfaqes së bardhë të telajos para krijimit, artisti gjendet si gruaja shtatzënë para dorashkave dhe bluzës së bardhë të gjinekologut. Pjella nuk duhet të vritet, të dështojë. As të dëmtohet. Andaj ai lutet që koka dhe zemra e mbarsur të lind krijimin e ri, siç çdo grua lutet që fëmija i saj të lind i shëndetshëm. Nuk lind vetëm ajo që është brenda qenies, por sikur lind edhe vetë piktori si njeri, sepse krijimi është një proces çlirimi. Telajo, bojërat, penelat, tavoloci, siç i shohim në njërën nga tablotë, janë mjetet e krijimit, si duart dhe instrumentet e mjekut gjinekolog, të cilat mundësojnë Lindjen e veprës së artit. A si herë ajo çka është brenda piktorit del jashtë tij, bëhet e të tjerëve. Po a është vallë e gjitha e kuptueshme për të “tjerët”, apo ka mbetur përjashtimisht brenda qenies së tij, nganjëherë edhe prej atij e pa shpjeguar dot?! Dhe këtu piktori zbulon çastin mistik të krijimit. Po, akti krijues është diçka përtej vetë piktorit dhe aftësisë së tij të shpjegimit, andej dhe prej këndej ka dalë koncepti i frymëzimit vertikal nga Lart. Artisti s’është veçse një bartës dhe përcjellës i Frymës. Edhe ky koncept estetik është tejet i njohur. Gazmend Leka nuk na e thotë drejtpërdrejt, por jo pak tregues të pikturave të tij në këtë seri sikur e ungjillizojnë krijimin si të tillë, ligjërojnë pamundësinë e shpjegimit të tij… Tani ia kam ngulur sytë një tjetër tabloje: figurës së artistit të përgjunjur në dyshemenë e studios si në lutje, përballë kompozimit të ri ende pa formë (si priftërinjtë ikonografë qëmotit përpara ikonës, me lutjen për zbritjen e Frymës brenda shpirtit të tyre). Përballë ravijëzohen qenie gjysmë antropomorfe të mitizuara, qenie si ëngjëj të zinj me krahë a fytyra maskash, që truri prodhon në terrin e përsiatjes dhe përqendrimit. Dhe një shi i bardhë që e rreh nga sipër-djathtas piktorin e kërrusur në lutje…
Studioja e artistit merr atributet e një laboratori a mitre ku pllenohet krijesa e re. Është një farë kishe a tempulli, dhe brenda tij fytyra e përshpirtshme e një prifti, a magu, a shamani, që është vetë artisti G. Leka si piktor në atributet e dyfishta: bartës dhe i bartur. Pra, bartës i një fare të re që tashmë ka mbirë në trurin e tij, thellë qenies krijuese, ende e paformë, ende e papërcaktuar qartë, dhe që është vepra e ardhshme në proces trajtësimi e zhvillimi. Dhe, nga ana tjetër, i bartur.Po prej kujt, prej nga, prej kur, prej çfarë? Këto janë pyetje që humbin shpesh në misterin e krijimit, ku tingujt misteriozë brenda heshtjes sublime të mendimit, të vetë qenies estetike të piktorit, në prag pëshpëritjesh dhe lidhjesh spirituale me të përtejshmen, bien si kambana kumtesh që veçse ai mund t’i dëgjojë, t’i dekodojë, t’i shkruajë më në fund në një pentagram të vështirë, që është vetë piktura. Kësodore “kisha” e krijimit shfaqet si qenia e piktorit, si shpirti i tij, mendja e tij, në qetësinë absolute kur gjithçka përqëndrohet në një pikë inkandeshente dhe krijon prej aty një fokus drite: imazhin e veprës që po lind.
Nuk do t’i mbyllja më bukur dhe në mënyrë më të kthjellët këto mbresa të miat pa fjalët e mençura të vetë piktorit Gazmend Leka, që ndofta janë shpjegimi më i mirë: “Kjo ekspozitë i dedikohet Heshtjes së Madhe. Aty, si në një manifest artistik, pesha e arsyes dhe trupi i artistit, përhumben në një perspektivë personale, ndërkohë që studioja kthehet në tempullin e tij vetjak. Ai është aty, i vetëm, me personazhet reale dhe irreale, me miq e demonë, erën e vajit të linit dhe tingujt e muzikës. Mes rrëmujës së përhershme, ato ngatërrohen e përzihen njëra me tjetrën. Në mes të kësaj rrëmuje, i përulur, fanitet imazhi i tij, që endet i vetmuar në studio, i përndjekur shpesh nga imazhi i fundmë i një varri fantazmë, apo nga një hije-kryq i “rastësishëm”, gjithë-përfshirë në një dimension shpirtëror të thellë, tërësisht i zhveshur nga çdo gjë materiale, si në një rit shamanik, ku qiellorja dhe tokësorja bëhen njësh”.

Nga Josif Papagjoni


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.