MILOSAO

Një vështrim sfidues për atë ç’ka duhet të vijë më pas

12:30 - 24.03.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Kostandin Ristani – Lexuesi që ka arritur në këtë pike të shkrimit pret me të drejtë që në këtë pjesë të propozohet e parashtrohet zgjidhja ose variantet e zgjidhjeve për problemet e analizuara në funksionimin e shtetit shqiptar. Kjo për mua përbën sfidën më të mundimshme në këtë ndërmarrje intelektuale për disa arsye.
E para, kultura jonë shqiptare jo rrallë e stigmatizon bashkëbiseduesin kur ai fillon të propozojë zgjidhje për një problem në diskutim aq sa shprehja “po na shet mend” është pothuajse shprehja më e përdorur apo e menduar në të tilla rrethana.
E dyta, përsëri kultura jonë shqiptare e ka tmerrësisht të vështirë durimin për të dëgjuar bashkëfolësin deri në fund dhe pa e ndërprerë. Pra e theksoj se neve si grup shoqëror nuk jemi aspak të prirur për të dëgjuar por në të kundërt jemi të prirur për të llomotitur të parët edhe për gjëra që as ja kemi idenë se si funksionojnë. Neve na pëlqen vetëm të dëgjohemi dhe jo të dëgjojmë duke harruar se komunikimi njerëzor është dy kahesh dhe jo një kah. Neve duam ta shkatërrojmë bashkëbiseduesin deri në “vdekje” me ndërhyrjet tona për të treguar që vetëm neve kemi të drejtë në argumentin në fjalë ose për të imponuar “dhunshëm” këndvështrimet tona.
E treta, kultura e shoqërisë në të cilën unë jetoj tani dhe me të cilën riedukova dhe po riedukoj vazhdimisht e pa ndërprerje mungesat që unë vija dhe vë re në formimin tim ashtu siç e perceptoj unë emancipimin dhe civilizimin, nuk e stimulon, mbështet e përkrah dhënien e pakërkuar të dijeve dhe eksperiencës dhe në një audiencë të paidentifikuar. Pra, unë nuk jam i sigurtë për llojin e audiencës që është e interesuar për të pranuar “shitje mendsh” e për të dëgjuar opsione sfiduese që shoqëria dhe shteti shqiptar mund të adaptojnë e ndjeki.




E katërta, problemet e zbuluara dhe analizuara në këtë shkrim kanë pasoja tejet serioze mbi gjenerata të kombit dhe shoqërisë shqiptare në tërësi e në të gjithë spektrin politik të saj. Si rezultat i kësaj unë nuk jam i sigurt se forcat politike dhe grupimet e ndryshme në Shqipëri aktualisht janë të predispozuara dhe kanë vullnetin e mirë politik e moral që të bashkëpunojnë, bashkërendojnë e institucionalizojnë organizata apo organizma të zhvillimeve e drejtimeve strategjike kombëtare pa i monopolizuar, politizuar, futur nën tutelë e më vonë dhunuar veprimtarinë e pavarur e objektive të tyre. Ky organizëm i institucionalizuar shtetëror duhet të ketë status të veçantë ku krahu dhe dora e partive e forcave politike s’arrin dot.

E pesta, fatkeqësisht modelet që drejtuesit e shtetit shqiptar historikisht kanë zgjedhur, kopjuar e imponuar për strukturën e shtetit dhe administratës shtetërore janë nga më të pakompletuarit, me shumë boshllëqe e mangësi, mjaft të thyeshme e arbitrare bile edhe që kanë falimentuar dhe që për të mos shkuar më tej vetëm gjatë shekullit të njëzet kanë lejuar e imponuar diktatura të tmershme në shoqëritë e tyre dhe ndonjera prej tyre ka shkaktuar katastrofa njerëzore evropiane e botërore. Edhe sot e kësaj dite drejtuesit e shtetit shqiptar i referohen shpesh e pa ndërprerje këtyre modeleve bile njëri prej tyre është vërtet simboli dhe djepi i principeve të lirisë, barazisë e demokracisë të civilizimit modern perëndimor dhe që ka arritur një aplikim shembullor në shoqërinë e vet, por e kaluara jo e largët koloniale e këtij modeli as edhe në një rast të vetëm nuk ka arritur të ndërtojë një shtet tjetër me këto virtyte, përkundrazi ka lënë nga pas luftra civile, anarki e lëvizje terroriste.
Vetëm një model shteti që fatkeqësisht shihet si fuqia më e rreptë koloniale dhe imperiale e njerëzimit dhe që pavarësisht nga vuajtjet njerëzore që ka shkaktuar në shekuj mund të thuhet se ka servirur modelin më të sukseshëm si në vendin e vet ashtu edhe në mjaft vende të tjera të botës e me kultura të ndryshme dhe që nuk mjaftojnë gishtat e një dore për t’i numëruar. Drejtuesit e shtetit shqiptar historikisht e kanë injoruar e përbuzur deri në armiqësim këtë model shteti dhe unë s’jap dot asnjë hamendje se pse ka ndodhur kjo.

E gjashta, kombi shqiptar ka një nga fatkeqësitë më të veçanta e më tmerrshme që ka pasur ndonjë komb evropian: raporti ndërmjet mendjeve e figurave më të ndritura të tij, në të gjitha kohërat pa përjashtim, që kanë punuar jashtë vendit e për të tjerë ndaj atyre që kanë punuar brenda vendit e për Shqipërinë është një numur shumëfish dhe jo një fraksion. Vetëm ky fakt është dhimbshmërisht ç’inkurajues për të gjithë intelektualët e tjerë të racës shqiptare kudo që janë dhe jo të këtij kalibri madhor.
Problemet e përshkruara dhe të analizuara në këtë shkrim dhe me të cilat ballafaqohet shoqëria dhe shteti shqiptar janë shumë serioze për vetë ekzistencën e saj. Sa më tepër që të shtyhen dhe të injorohen këto probleme aq më tepër kohë do t’i duhet shoqërisë shqiptare për të dalë nga kjo gjendje vetëshkatërruese dhe për t’u emancipuar, rimëkëmbur e zhvilluar. Por mos të harrohet se ky injorim e mosveprim mund të shtrihet shumë në kohë saqë shoqëria dhe shtetit shqiptar praktikisht falimentojnë e dështojnë dhe bëhen të paaftë për t’u rimëkëmbur vetë. Ky pohim nuk është një keqdashësi ose dëshirë ndjellakeqe por është një rrezik potencial që ekziston dhe duhet e mundet të shmanget. Një njeri i vetëm sado i veshur me pushtet nuk munda ta ndryshojë këtë rrjedhje dhe formula e receta të gatshme që mund të ndiqen me lehtësi s’ka. Zgjidhjet kërkojnë vullnetin kolektiv për të hartuar e marrë pjesë në zbatimin e një plani me drejtim strategjik të qartë dhe të detajuar me objektiva e afate.
Lexuesi i vëmendshëm i pjesës së dytë të këtij shkrimi mund ta ketë nuhatur menjëherë se dy janë frontet kryesore ku zgjidhja shpaloset me tërë hapsirën përfshirëse të saj:
1) Hartimi i varianteve e drejtimeve strategjike për një zhvillim ekonomik kombëtar që sigurojnë të ardhura të mjaftueshme, të kontrollueshme e të vazhdueshme për të mbuluar shpenzimet dhe shlyerjen e detyrimeve. Si rrjedhojë hartimi e detajimi i një plani ekonomik afatgjatë për vënien në jetë të variantit më të pranueshëm, më të realizueshëm dhe më të leverdisshëm strategjik;

2) Hartimi i një plani ambicioz e agresiv për identifikimin e shërbimeve dhe programeve më të rëndësishme që ka shteti për të kryer normalisht funksionet e sipërpërmendura dhe planifikimi e zbatimi i të gjithë hapave të hollësishme për të vënë në jetë e punë këto shërbime e programe.
Si përfundim, përsa i përket frontit të parë veprues të paraqitur po më lart, unë mendoj se kombi e shoqëria shqiptare ka intelektualë shumë të aftë që mund të drejtojnë e kontribojnë intensivisht në këtë drejtim. Ky front mendoj se mund të atakohet me një pjesëmarrje mjaft të gjerë të personaliteteve intelektuale shqiptare të të gjitha fushave të aktivitetit njerëzor por sidomos ekonomiko-financiar dhe ligjor. Ky front mendoj se duhet institucionalizuar sipas arsyetimit dhe logjikës së shprehur në paragrafin e arsyes së katërt të kësaj pjese.

Ndersa sfida ime personale qendron në përgjegjësinë time intelektuale, profesionale dhe qytetare për të pranuar rolin kryesor në drejtim dhe kontribut intensiv në frontin e dytë hartues e ndërveprues të paraqitur pak më lart. Kjo rrjedh nga vetëdija e njohjes mjaft të mirë të gjendjes se ku kemi qenë, ku jemi e ku duhet të jemi po ashtu dhe nga visioni tërësor i rrugës që duhet të përshkojmë për të arritur aty ku duhet të jemi.
Duke qenë i bindur se po ngacmoj e nxis një frymë të re përkushtimi atdhetar të emancipuar, mbetem i kushtëzuar nga shkalla e pranimit e përkrahjes së kësaj bindje nga lexuesi shqiptar e shqipfolës kudo qoftë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.