OPINION

10 vjet Marrëveshje Stabilizim-Asocimi–MAS: Të ecësh drejt BE-së

07:45 - 01.04.19 Geron Kamberi
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 Duke qenë se koha rrjedh, pavarësisht problematikave që mbart Shqipëria në tranzicionin e saj të gjatë e të lodhshëm, më 1 prill 2019 mbushen 10 vjet kur hyri zyrtarisht në fuqi Marrëveshja e Stabilizim–Asocimit të BE me Shqipërinë. Negocimi i Marrëveshjes së Stabilizim–Asocimit mes Shqipërisë e BE-së ofroi sfidën e parë të përballjes së kapaciteteve teknike e institucionale të vendit, në një proces negociatash, që zgjati 3 vjet 31.01.2003-01.06.2006 dhe që u pasua nga një periudhë 3-vjecare ratifikimi nga vendet e BE (2006-2009). Në thelbin e tij, sfondi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit pasqyronte qasjen që BE kishte përgatitur për rajonin pas shumë vitesh pritjeje. Përfundimi i luftërave në Ballkan, që shoqëruan procesin e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë e detyruan Bashkimin Europian të merrte rolin “e fuqisë së butë e transformuese të rajonit”, duke ofruar stabilizimin dhe më pas perspektivën e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Samiti i Zagrebit i 27 nëntorit 2000 futi një term të ri në fjalorin e larmishëm të euro-integrimit, siç do të përkufizohej Procesi i Stabilizim–Asocimit, procesi politik i bashkëpunimit të BE-së me vendet e Ballkanit dhe Marrëveshja e Stabilizim–Asocimit, me të cilën do të realizohej marrëveshja e re institucionale me vendet e rajonit si Serbia, Mali i Zi, Bosnja-Hercegovina, Maqedonia, Kroacia dhe Kosova deri në anëtarësimin e tyre të plotë në BE. Ndonëse nuk ishte pjesë e vendeve të ish-Jugosllavisë, Shqipëria nuk kishte arritur t’u bashkëngjitej valëve të tjera të zgjerimit drejt BE në Europën Qendrore e Lindore-EQL 2004, 2007 duke rënë viktimë e sindromës së “rastit të humbur” për shkak të një tranzicioni të brendshëm social-ekonomik, që stërzgjatej për shkak të konfliktit politik.




Në këtë mënyrë, Procesi i Stabilizimi–Asocimit, që u pasua nga modeli i Marrëveshjeve të Stabilizim-Asocimit – MSA do të ishte për Shqipërinë jo vetëm nisja e një procesi jo të lehtë transformimi gradual në të gjitha fushat, por tashmë një pikë kthese drejt anëtarësimit të BE-së. Si një instrument i rëndësishëm politik dhe ekonomik, Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit, MSA-ja, do të hidhte bazat e një partneriteti të qëndrueshëm me Bashkimin Europian, duke bërë një element të matshëm zbatimin e detyrimeve të saj nga ana e Shqipërisë përmes Progres- Raporteve të përvitshme të Komisionit Europian. Nëpërmjet 10 kapitujve, 135 Neneve, 7 Anekseve e 6 Protokolleve të MSA, që janë diskutuar në raundet politike e teknike të negociatave, Shqipërisë iu bënë të qarta nga ana e BE-së qëllimet e angazhimet e ndërsjella ku përfshiheshin bazat e dialogut politik, thellimi i bashkëpunimit rajonal, përfshirë vendosjen e një zone të tregtisë së lirë rajonale; perspektivën e vendosjes së një zone të tregtisë së lirë mes BE e Shqipërisë brenda 10 vitesh që nga hyrja në fuqi e marrëveshjes, angazhimin e Shqipërisë për përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të acquis të BE; bazat e bashkëpunimit mes palëve në fusha si drejtësia, liria dhe siguria. Që prej vitit 2000 deri në 31 janar 2003 kur kryekomisioneri Prodi njoftoi zyrtarisht hapjen e negociatave mes Shqipërisë e BE-së për nënshkrimin e MSA, kalendari kohor i ngjan një maratone procesesh që do të ndjehej përgjatë gjithë kësaj periudhe. Në qershor 2001, Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE-së miraton raportin e Komisionit Evropian mbi progresin e bërë nga Shqipëria dhe i kërkon Komisionit përgatitjen e projekt-direktivës për negocimin e një Marrëveshjeje Stabilizim-Asocimi (MSA) me Shqipërinë. Por, që para hapjes së negociatave me BE-në për MSA nga pala shqiptare u pranua monitorimi i procesit të reformave, nëpërmjet një mekanizmi unik të quajtur Grupi i Përbashkët Konsultativ Shqipëri-BE. Një praktikë e tillë vazhdoi edhe pas hapjes së negociatave, duke shënuar një veçori për rastin e Shqipërisë. Takimet e Grupit Konsultativ të Përbashkët kanë trajtuar progresin e bërë në ecurinë e reformave sektoriale në të gjitha drejtimet si: procesin zgjedhor, Situatën politike, çështjet e drejtësisë dhe punëve të brendshme, çështjet e ekonomisë dhe financave.

Pasi u krijua Grupi Konsultativ BE-Shqipëri në 2002, Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të BE miratoi projekt-direktivën për negocimin e një MSA-je dhe vendosi hapjen e negociatave për nënshkrimin e një MSA-je me Shqipërinë. MSA-ja rikonfirmonte të ashtuquajturat kritere të Kopenhagenit dhe mbështetet mbi disa parime bazë, duke filluar nga respekti për parimet demokratike, të drejtat e njeriut, ligjin ndërkombëtar, shtetin ligjor si dhe respektin për parimet e ekonomisë së tregut (MSA, Neni 2). Gjithashtu, parime kryesore të marrëveshjes përbënin edhe përpjekjet për paqe e stabilitet në rajon, bashkë me marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë (Neni 3), si dhe bashkëpunim të thelluar rajonal në aspektin ekonomik, sidomos tregtisë së lirë (Neni 4). Sipas Artikullit 6, asocimi i vendit me BE-në duhet të realizohej përgjatë një periudhe tranzitore me një kohëzgjatje maksimale prej dhjetë vjetësh. Vendi i parë që e ratifikoi MSA-në BE-Shqipëri ishte Letonia (19 dhjetor 2006). Gjatë vitit 2007 vijuan ratifikimet nga plot 14 vende të tjera (Slloveni, Spanjë, Hungari, Suedi, Irlandë, Sllovaki, Lituani, Poloni, Luksemburg, Mbretëri e Bashkuar, Itali, Estoni, Holandë dhe Finlandë). Vendet e tjera anëtare (Danimarkë, Maltë, Austri, Republika Çeke, Qipro, Portugali, Belgjikë, Francë dhe Gjermani) e përmbyllën procesin e ratifikimit brenda vitit 2008. Me mbylljen e ratifikimit nga Greqia në janar 2009 dhe pas dorëzimit të pritshëm të instrumenteve të ratifikimit në Komisionin Europian përfundon edhe procesi i ratifikimit të MSA-së, i cili së bashku me nënshkrimin Protokolleve të Zgjerimit me dy vendet e reja anëtare (Rumania dhe Bullgaria), i hapi udhë hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshjeje më 1 prill 2009. Por, nga nënshkrimi i MSA-së në 2006 deri në hyrjen e saj në fuqi në 1 prill 2009, një tjetër marrëveshje do të rregullonte marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe BE-së, që do të ishte “Marrëveshja e Ndërmjetme për Tregtinë dhe Bashkëpunimin Tregtar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komunitetit Evropian”. Marrëveshja e Ndërmjetme vendosi baza të qëndrueshme të reciprocitetit në lidhje me detyrimet dhe të drejtat në fushën e tregtisë mes Shqipërisë e BE, por duke favorizuar Shqipërinë për eksportet e saj drejt BE. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, Bashkimi Evropian liberalizoi pothuajse tërësisht të gjitha linjat tarifore me Shqipërinë menjëherë në dhjetor 2006, me përjashtim të disa produkteve bujqësore sensitive, të cilat vazhduan të jenë nën masa mbrojtëse. Ndërsa, liberalizimi tarifor nga pala shqiptare, në linjë me Marrëveshjen e Ndërmjetme, u përmbush në mënyrë të përshkallëzuar deri në vitin 2011, në mënyrë që t’i jepej kohë tregut shqiptar dhe operatorëve ekonomikë për të fuqizuar kapacitetin e tyre për të konkurruar. Kështu, sipas MSA-së, mallrat e prodhuara në Shqipëri mund të futen në tregun e BE-së pa paguar doganë dhe pa u kufizuar në sasi. Në këtë mënyrë, një tregtar, shqiptar apo i huaj, mund të fuste në tregun europian aq mallra të prodhuara në Shqipëri sa ka mundësi të shesë në tregun europian dhe nuk duhet të paguante doganë për to, me përjashtim të disa produkteve si disa lloje peshku e pijesh alkoolike.

Duhet theksuar se, që mallrat shqiptare të mund të përfitojnë nga hapja e tregut europian duhet të respektojnë rregullat e origjinës – d.m.th. të vërtetohet se janë prodhuar ose përpunuar në Shqipëri mbi një masë të caktuar. Pra, me anë të MSA-së, Bashkimi Europian ka me Shqipërinë këtë marrëdhënie tregtare preferenciale vetëm për mallrat me origjinë shqiptare dhe jo edhe për ato që vijnë nga vende të treta. Ndërkohë, dimensioni i bashkëpunimit rajonal mori rëndësi të madhe brenda MSA. Fillimisht bashkëpunimi rajonal u zhvillua përmes marrëveshjeve dypalëshe të tregtisë së lirë (FTA), ku Shqipëria nënshkroi marrëveshjen e parë me Maqedoninë në vitin 2002, e pasuar nga marrëveshjet me Kosovën dhe Kroacinë në vitin 2003 dhe një vit më vonë nga marrëveshjet me Serbinë dhe Malin e Zi, si dhe me Bosnjën dhe Hercegovinën. Edhe pse të rëndësishme, këto marrëveshje dypalëshe dhe Memorandumi i Mirëkuptimit mbi Liberalizimin dhe Lehtësimin e Tregtisë që u parapriu nuk ishin të mjaftueshme për të krijuar një zonë të lirë tregtie për rajonin. Për këtë arsye, BE-ja vendosi t’i përfshinte vendet e Ballkanit Perëndimor në Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Europës Qendrore (CEFTA). Si rrjedhojë, Shqipëria së bashku me vendet e tjera të rajonit, përfshirë edhe Moldavinë, u bënë pjesë e CEFTA-s në vitin 2006. Përpos marrëveshjeve të mësipërme, Shqipëria nënshkroi në 2009-ën një Marrëveshje të Tregtisë së Lirë edhe me vendet e EFTA-s, duke e zgjeruar kështu zonën e tregtisë së lirë në të cilën vendi bënte pjesë. Aktualisht, si pasojë e zbatimit 10-vjeçar të MSA, volumi tregtar midis Shqipërisë dhe BE-së është më tepër se dyfishuar, krahasuar me momentin e hyrjes në fuqi të marrëveshjes tregtare në dhjetor 2006. Periudha dhjetëvjeçare e zbatimit të MSA parashtroi para biznesit shqiptar jo vetëm mundësitë për eksporte më të mëdha drejt BE, por edhe standardizimin e cilësisë së produkteve të prodhuara, në përputhje me direktivat e rregulloret e BE, që ishin pjesë e acquis. Gjatë periudhës së zbatimit të MSA 2009-2019 ka qenë objekt monitorimi nga struktura të shoqërisë civile të mbështetur nga OSFA, për të vlerësuar nivelin e zbatimit dhe kostot e përfitimet e kësaj marrëveshjeje, veçanërisht në fushën e tregtisë, investimeve të huaja dhe përafrimit të legjislacionit. Aktualisht Qendra Shqiptare për Konkurrueshmërinë e Tregtinë Ndërkombëtare – ACIT, me mbështetjen e fondacionit “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë” po realizon një monitorim të periudhës 10- vjeçare 1.04.209-1.04.2019, në vijim të proceseve të mëparshme që janë realizuar nga ekspertë të shoqërisë civile. Thelbi i zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim–Asocimit – MSA për Shqipërinë gjatë këtyre 10 viteve ka qenë përafrimi i legjislacionit kombëtar me atë të BE, liberalizimi i tregtisë me BE përmes uljes e heqjes së tarifave doganore dhe krijimi i strukturave të reja institucionale dhe atyre ekzistuese për të përballuar detyrimet e përmbushjeve, ku mund të përmenden institucione të tilla si Autoriteti Kombëtar i Ushqimit-AKU, Autoriteti Kombëtar i Konkurrencës, Qendra e Metrologjisë, Zyra Shqiptare për të Drejtat e Autorit, Inspektorati i Mbikëqyrjes së Tregut etj..

Pjesa dërrmuese e MSA-së bazohet në acquis-n e BE-së, përkatësisht tërësinë e normave juridike të zbatueshme brenda territorit të saj dhe nga të gjitha shtetet anëtare si subjekte juridike, duke mbuluar të gjitha fushat e politikave sektoriale. Prandaj, Shqipëria, si shtet që synon anëtarësimin në BE, gjatë procesit të zbatimit të MSA, që është ndërtuar në bazë të parimit të kushtëzimit, ndërmori angazhimin përmes Planit Kombëtar të Zbatimit të MSA 2007-2012, që përditësohej çdo vit për t’u pasuar nga Planet Kombëtare të Integrimit 2014-2020 realizimin e një sërë reformash institucionale e ligjore, që përfshinin 35 kapitujt e acqui communitaire. Ne këtë mënyrë, ekonomia e Shqipërisë krijon një lidhje më të ngushtë e më të harmonizuar me rregullat e tregut të BE, duke u bërë gati të jetë pjesë e 4 lirive që qëndrojnë në themel të BE, liria e lëvizjes së mallrave, njerëzve, shërbimeve e kapitalit. Gjatë 10-vjeçarit të zbatimit të MSA, Shqipëria ka përjetuar eksperiencën Dialogut Politik me  BE-në përmes Këshillit të Stabilizim-Asocimit, Komitetit të Stabilizim dhe Komitetit Parlamentar BE- Shqipëri, struktura që u ngritën në bazë të parashikimeve të Kapitulli X i Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit. Ndërsa, Këshilli i Stabilizim-Asocimit mbikëqyr zbatimin e MSA-së dhe shqyrton çdo çështje madhore, që del në kuadër të saj me pjesëmarrjen e anëtarëve të Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Komisionit nga njëra anë dhe anëtarë të qeverisë shqiptare nga ana tjetër (nivel ministror), Komiteti i Stabilizim-Asocimit u krijua me qëllim që të ndihmojë Këshillin e Stabilizim-Asocimit në kryerjen e detyrave të tij. Procesi i Zagrebit në vitin 2000, që u pasua me MSA, u riemërtua si Procesi i Selanikut (2003) dhe tashmë kemi Procesin e Berlinit (2014), por në thelb dekada e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit është pararendëse e procesit të ardhshëm të negociatave për anëtarësim mes Shqipërisë e BE-së. Më 28 prill 2019 mbushen 10 vjet kur Shqipëria paraqiti zyrtarisht kërkesën për t’u pranuar si anëtare me të drejta të plota në BE dhe tashmë shpreson që sindromi i kohës apo rastit të humbur t’i përkasë historisë pa përsëritur vetveten.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.