Fatmir Popja – Gjatë paradites së dielë në hollin e teatrit Skampa në Elbasan u zhvilluan homazhe në nderim të Ervin Mirakut (Dervina), djalit të dy mësuesve të nderuar elbasanas Platon dhe Nexhmije Mirakut.
Homazhet u zhvilluan nga ora 10:00 deri në orën 11 .00 në hollin e Teatrit në nderim të Ervin Mirakut, (Dervina) që humbi jetën në një aksident tragjik në Rumani ndërsa kthehej nga ditëlindja e bashkëshortes së tij.
Në homozhe ishin të pranishëm disa qindra miq, të afërm, familjarë, drejtues të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, nga Garda e Republikës, Ministria e Brendshme, Drejtoria e Përgjithëshme e Policisë dhe jo vetëm.
Kurora u vendosën edhe nga ambasada e Rumanisë dhe shumë institucione të tjera.Ai ishte me detyrë Oficer i Kontaktit i Shqipërisë pranë Qendrës për Forcimin e Ligjit në Evropën Juglindore (SELEC).
Në këtë aksident humbi jetën edhe bashkëshortja e tij rumune. Ngjarja tragjike u regjistrua në rrugën kombëtare Brâncoveneşti- Suseni, ku mbetën të lënduar edhe katër persona të tjerë.
Sikurse raportuan mediat rumune, Dervina me origjinë nga Elbasani, ishte duke udhëtuar me një makinë me targa diplomatike të Ambasadës Shqiptare, kur u përplas me një kamion mallrash.
Ervin Miraku (Dervina) ishte një student i shkëlqyer dhe kishte 12 vjet që punonte në Trup Diplomatik.