


Pas disa vitesh aktivitetit kërkues dhe vlerësues në Shqipëri, kompania “Shell” ka konfirmuar potencialin e zbulimit të naftës në Bllokun 2 dhe 3, në zonën e Shpiragut. Ndërkohë që nxjerra e fuçive të para pritet të nisë brenda 18 muajsh. Në një dalje për mediat, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë,
Belinda Balluku tha se ky zbulim ka një rëndësi të veçantë, pasi mund të jetë zbulimi i parë i naftës në 30 vitet e fundit në Shqipëri. Rëndësi ka që është zbuluar naftë e lehtë që Shqipëria është prodhuese, ekspertët më konfirmojnë se nafta e rëndë nuk është shumë e preferuar dhe e kërkuar në tregje dhe zbulimi i kësaj nafte të lehtë na bën që të fillojmë dhe të kemi një rëndësi të madhe në tregun e hidrokarbureve botëror për sa i përket tregtimit të tij dhe sigurisht, siç dhe unë thash në fjalën time, furnizimi i rafinerive vendëse, por edhe i të huajave me naftë të lehtë është shumë më i kërkuar dhe më i duhuri. Sipas Ballukut, ky zbulim do të ketë implikime të rëndësishme ekonomike si për kompaninë, ashtu edhe shtetin shqiptar. Sikurse përcaktohet në marrëveshjen e hidrokarbureve me “Shell”, shteti shqiptar përfiton rentë minerare, pjesën e tij të prodhimit, si dhe tatim mbi fitimin që nga fuçia e parë e prodhuar. Çfarë është edhe më e rëndësishme, prodhimi nga ky pus do të stimulojë punësimin, do të rrisë furnizimin me naftë të rafinerive vendëse, do të inkurajojë krijimin e ekonomive të shkallës në sektorin e ‘downstream’ dhe do të krijojë standarde më të larta të prodhimit në atë të sektorit ‘upstream’.