KULTURË

Moikom Zeqo, “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”

15:10 - 06.06.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Presidenti i Republikës Ilir Meta i dha dje titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” Moikom Zeqos. Motivacioni ishte “Në vlerësim të kontributit të tij poliedrik në dobi të artit, kulturës e historisë sonë kombëtare. Me cilësitë e shquara si studiues, talentin dhe aftësitë krijuese i ka ofruar publikut shqiptar dhe të huaj vepra të spikatura në fushën e albanologjisë, muzeologjisë, etnokulturës dhe arkeologjisë, si dhe botime letrare në prozë dhe poezi, të vlerësuara për origjinalitetin krijues.




Në mirënjohje të publicistikës së tij të mprehtë, studimeve shumëdimensionale për ndriçimin e gjenezës së kombit, mbrojtjen e monumenteve dhe identitetit tonë kombëtar me përkushtim, kurajë intelektuale, qytetari dhe profesionalizëm të lartë”.

Titulli iu dorëzua në një ceremoni të veçantë ku ishin të pranishëm akademikë, shkencëtarë, diplomatë, arkeologë, studiues, shkrimtarë, kritikë, doktorë, botues dhe përfaqësues të mediave, Presidenti i Republikës vlerësoi lart veprimtarinë e shquar dhe kontributet e shumta të arkeologut, shkrimtarit, eseistit, historianit, filozofit dhe mendimtarit Moikom Zeqo në dobi të historisë, artit, kulturës dhe historisë sonë kombëtare.

Në fjalën e tij, presidenti Meta u shpreh: “Për kulturën tonë Moikomi mbetet një nga penat më poliedrike dhe prodhimtare, i cili vazhdon të japë një kontribut të jashtëzakonshëm si në fushën e letërsisë e të kulturës, ashtu edhe të studimeve akademike. Rrallëherë ndodh që një vend të ketë në gjirin e vet njerëz me një profil kaq të gjerë intelektual. Ai mbart brenda vetes historianin e antikitetit dhe të Bizantit, poetin, arkeologun dhe novelistin, piktorin dhe muzikologun, politikanin, intelektualin e angazhuar në jetën publike, mendimtarin dhe eseistin”.
Pasi mori në dorëzim titullin e lartë, zoti Moikom Zeqo falënderoi Presidentin e Republikës për vlerësimin në këtë përvjetor të shtatëdhjetë të ditëlindjes dhe citoi fjalët e Heroit tonë Kombëtar: “Unë do të jem mik i virtyteve, por jo i fatit”.

JETESHKRIMI
Më 1967 nisi të ndiqte Fakultetin Histori Filologji, duke u diplomuar në Universitetin e Tiranës më 1971 në degën gjuhë-letërsi. Në vitet 1971-1974 punoi si gazetar dhe redaktor letrar i gazetës “Drita”. Më 1974-76 punoi si mësues në Rrogozhinë. Më pas, në vitet 1979-1987 qe punonjës shkencor pranë Muzeut Arkeologjik të Durrësit. Më 1987-1990 punoi si specialist në sektorin e artit antik në Akademinë e Shkencave në Tiranë. Në qershor të 1991 qe pjesë e grupit organizator të Kongresit të 10-të të Partisë së Punës. Më 31 janar-10 maj 1991 u emërua kryetar i Komitetit të Kulturës dhe po atë vit iu dha portofoli i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Më 1991 dhe 1992 kandidat për deputet, kur dhe u zgjodh dhe shërbeu deri më 1996 si deputet i PS-së. Më 1997-2005 ka qenë drejtor i Muzeut Kombëtar.
Është Doktor i Shkencave dhe mban Urdhërin e Lartë “Mjeshtër i Madh”. Është autori i 62 librave me poezi, studime arkeologjike, për historinë e artit, si dhe të nje numëri skenaresh për filma kinematografike e televizivë me karakter arkeologjik dhe kulturor. Ka marrë disa herë çmime të para për librat e tij. Krijime të Moikom Zeqos janë përkthyer në gjuhët anglisht, frëngjisht, greqisht, italisht, sërbokroatisht, bullgarisht, rumanisht, polonisht, danisht, esperanto, gjermanisht si dhe në gjuhën tonë. Është autor i tre ekspozitave vetiake në pikturë. Ka përfaqësuar Shqipërinë në Konferenca Shkencore Ndërkombëtare me dhjetra herë dhe është vlerësuar nga personalitete të larta të kulturës shqiptare dhe të huaj. Moikom Zeqo është sot një nga personalitetet e njohura të kulturës sonë kombëtare. Veprat e tij dallohen për një stil lakonik, të ngjeshur dhe eruditë dhe mbahet si pionier i postmodernizmit në letrat shqipe.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.