Zv. kryeministri Erion Braçe “thumbon” presidentin Meta, teksa deklaron se Kushtetuta duhet të lexohet dhe jo të bëhen poza me të.
“Në këtë vend, ka pak ditë që është bërë e modës të kërkosh në rafte e dollape, në ato që deri dje, ose ishin bosh, ose mbaheshin verë, shampanjë, pije alkoolike, uiski, xhin, e madje edhe para të pista të kërkosh Kushtetutën.
Ta mbash në dorë Kushtetutën, të komentosh Kushtetutën, të bësh poza me Kushtetutën, t’i bësh këto me pasion e forcë, të dukesh si i ndershëm në atë që bën, por vetëm një gjë nuk e bën: Të lexosh Kushtetutën. Sikur kaq të kishte lexuar do kishte më shumë përgjegjshmëri në njoftimet e lëshura publikisht”,- tha Braçe.
Ai vijon më tej duke lexuar disa nene nga ligji themeltar i shtetit, ndërsa e përmbylli fjalën e tij duke theksuar se 30 qershori nuk mund të ndalet.
“Shqipëria është republikë parlamentare. Republika e Shqipërisë është sistem unitar dhe i pandashëm. Sovraniteti i Republikës së Shqipërisë i përket popullit. Çdo shtetas mbi 18 vjeç ka të drejtën të zgjedhë dhe të zgjidhet.
Kryetarët e bashkive zgjidhen çdo katër vjet. Organi i komunës apo bashkisë është kryetari i cili zgjidhet nga populli. Neni 9 thotë se partitë politike krijohen lirisht. Të gjithë janë të barabartë përpara ligjit.
Sikur kaq të kishte lexuar do ishte më i përgjegjësi në njoftimet që bën se nuk janë as vendime. Precedenti i krijuar nga presidenti nuk duhet legjitimuar. Në vitin 2013 PS hyri në zgjedhje pasi e vranë dhe pasi e vodhën, pa pasur askënd në KQZ.
Ne nuk jemi këta, nuk duam pushtet pa zgjedhje. 30 qershori nuk ndalet, kjo duhet të marrë fund”, tha Braçe.