Homo Albanicus

Presidentët shqiptarë e mbyllin në konflikt me ata që i zgjedhin

19:00 - 22.06.19 Ben Andoni
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kryeministri Edi Rama, pak ditë më parë, ka nxjerrë të gjithë mllefin ndaj presidentit Meta, duke e anatemuar dhe duke e përshfaqur si njeriun kryesor përgjegjës për situatën e rëndë, ku po kalon vendi ynë. Nëse rasti në fjalë do të ishte i vetmi ndër rastet e presidentëve të ardhur pas Kushtetutës së vitit 1998, atëherë mbase nuk do përbënte ndonjë problem. Veçse përplasjet e zyrtarëve tanë me presidentin kanë treguar se të gjithë funksionarët më të lartë të shtetit tonë e kanë mbyllur me probleme dhe kështu duhet të besohet se diçka realisht nuk shkon. Së fundmi, kryeministri Rama ka qenë i drejtpërdrejtë me njeriun që personalisht kontribuoi të ishte në poltronin e presidentit të vendit, tashmë duke ndihur partinë e tij të mblidhte firmat për shkarkim. Kaq duhej që mekanizmi të vihej në punë dhe 55 vota socialistësh parlamentarë të bëheshin sakaq. Paradoksi është se presidenti Meta, në të gjithë daljet e tij shtrëngonte Kushtetutën, duke lënë të nënkuptohej se ishte gardian i saj, kurse aktin e tij Rama, po në emër të popullit e konsideronte si vetëvrasje, “ligjërisht është nul, nuk ekziston dhe moralisht është turp si s’ka më turp”.




Përveç mandatit disi drejtvizor të ish-presidentit Nishani, kur ai as edhe njëherë të vetme nuk arriti t’i kundërvihej Partisë Demokratike, strukturës që e vendosi, ai nuk ka la shumë gjurmë. Ai do të bëhej i njohur, në kohën e drejtimit të PS-së, kur mori mbi vete anatema të mëdha, duke i kujtuar shpesh edhe sëmundjen! Profesor Rexhep Meidani e mbylli me ftohtësinë e tij akademike dhe me kënaqësinë e madhe të PS-së që e hoqi qafe, kurse Alfred Moisiu, arriti që brenda tagrit të tij t’i përvishej si askush tjetër dy dinosaurëve të politikës sonë, qoftë Fatos Nanos e qoftë Sali Berishës, të cilët kurrë nuk gjetën rehat me të. Sot e kësaj dite, ai mbetet modeli sesi mund të përballë një njeri i paanshëm në atë post turbulencat shqiptare. Vetëm se profesori tjetër, që erdhi pas tij, z.Bamir Topi nuk e përballoi dot inatin e PD-së, që priste shumë prej tij. Në librin e tij të fundit të kujtimeve tregohen shumë nga prapaskenat që ndodhnin në politikën shqiptare por edhe vështirësia para një politike që nuk zhvillohet me rregulla por me hile, që kanë si kazuse kinse-parime.

Presidenti Ilir Meta është një politikan i sprovuar dhe një njohës shumë i mirë i situatave shqiptare, protagonist i të cilave është në 20 vitet e fundit, porse e kaluara e vet problematike e ka të shënjuar që në fillim mandatin e tij. Mbi të gjitha përkatësinë e tij politike dhe lidhjen direkte me një formacion politik, që e drejton bashkëshortja e tij.

Duhet thënë dhe pranuar se politikanët shqiptarë nuk i njohin rregullat demokratike institucionale të hierarkisë. Nëse realisht ata do të bindeshin që nga kreu i shtetit se çfarë është roli i presidentit atëherë problematikat do të ishin më afër zgjidhjes. Bashkëpunimi mes palëve është i brishtë, forcohet vetëm për interesa meskine në parlament, por kurrsesi për gjëra ku tregohet potenca e parlamentit tonë dhe sesi duhet të jetë bashkëjetesa institucionale midis palëve që kanë rol në fatet e vendit. Duhet thënë se edhe vetë presidentët jo rrallë e kanë pasur të vështirë të kuptojnë në thelb rolin e tyre, ashtu si partitë që kanë drejtuar vendin asnjëherë nuk kanë dashur të binden, kur janë prekur ato pika që rëndojnë premtimet e tyre tejet të mëdha e të pa zbatueshme elektorale, që në fund përmblidhen me shfajësime të mëdha për kundërshtarët dhe pengesat që “u vendosen vetëm atyre”.

Shqipëria pas zgjidhjes të këtij ngërçi ka nevojë t’i kthehet institucionit të Presidentit të Republikës, qoftë për mënyrën e zgjedhjes, por edhe rolin e tij në strukturat e ndryshme të ligjit, shtuar me tagrin e tij kushtetues për dekretimet. Për presidentin jeta politike shqiptare kujtohet vetëm në momentin që duhet të dekretojë dhe t’u përshtatet interesave. Me çfarë duket, kaosi për ligjin e duhur për presidentin do të vazhdojë për derisa partitë politike nuk janë të interesuara për forcimin e tij dhe mbi të gjitha presidenti është një strukturë, që nga ata mendohet si zgjatim, por jo si përfaqësues i vërtetë i Unitetit Kombëtar. (Homo Albanicus)

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.