SHËNDET

Dr. Shk. Rezar Rusi: Si të parandaloni kancerin e vezikës urinare

14:45 - 01.07.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Nëse vëreni se urina juaj është me gjak, e urinimi me dhimbje apo i shpeshtë duhet të kryeni një vizitë te mjeku pasi mund të jenë sinjale të forta që paralajmërojnë kancerin e vezikës urinare. Në një intervistë për suplementin “Life Pages” në ‘Gazeta Shqiptare’ mjeku urolog, dr.shk. Rezar Rusi tregon se moshat më të prekura janë të moshuarit dhe më tej shpjegon tipet e kancerit të vezikës urinare. Mjeku bën me dije se pirja e duhanit mund të shtojë rrezikun e kancerit të vezikës si rezultat i krijimit të lëndëve të dëmshme kimike që grumbullohen në urinë. Rusi tregon, gjithashtu, edhe mënyrat e trajtimit dhe parandalimit të sëmundjes.




Cilat janë kategoritë më të predispozuara për t’u prekur nga kanceri i vezikës urinare?
Në shumicën e rasteve, kanceri i vezikës urinare fillon në qelizat që janë vendosur në brendësi të saj. Ky kancer zakonisht prek të moshuarit, megjithëse mund të prekë çdo moshë. Kanceri i vezikës urinare më shpesh zbulohet në stadet e hershme kur kanceri ka mundësi të mëdha trajtimi. Megjithatë edhe në këtë faze ai mund të përsëritet. Për këtë arsye, ata që mbijetojnë, ndiqen për një kohë të gjatë mbas trajtimit për të zbuluar një përsëritje të mundshme të tij.

Mund të na tregoni disa nga simptomat kryesore të sëmundjes?
Simptomat e kancerit të vezikës janë: Gjak në urinë (hematuria); urina mund të ketë një ngjyrë të kuqe të çelët ose si koka-kola; po ashtu, urina mund të duket normale, por në analizën mikroskopike të saj mund të konstatohet gjak. Simptoma të tjera përfshijnë: urinim të shpeshtë;

urinim me dhimbje; dhimbje shpine; dhimbje legeni.
Cilat janë shkaqet e shfaqjes së kancerit të vezikës urinare?
Jo gjithmonë janë të qarta shkaktarët e kancerit të vezikës. Ato kanë qenë të lidhur me pirjen e duhanit, një infeksion nga parazitë, nga rrezatimi ose ekspozimi ndaj disa substancave kimike. Kanceri i vezikës zhvillohet kur qelizat në vezikë rriten në mënyrë anormale. Në vend të një zhvillimi normal, këto pësojnë deformime duke bërë që rritja e tyre të dalë jashtë kontrollit dhe të mos vdesin. Këto qeliza anormale formojnë tumorin.

Mund të na shpjegoni tipet e kancerit të vezikës?
Lloje të ndryshme qelizash të vezikës mund të bëhen kanceroze. Lloji i qelizave ku fillon kanceri përcakton tipin e kancerit të vezikës. Në bazë të këtij përcaktohet dhe mënyra më e mirë e mjekimit. Një ndër tipet e kancerit të vezikës është karcinoma me qeliza kalimtare (tranzicionale). Kjo fillon në qelizat që veshin pjesën e brendshme të vezikës. Këto qeliza përhapen kur vezika është e mbushur plot si dhe kur ajo kontraktohet në momentin kur është e zbrazur. Të njëjtat qeliza shtrihen edhe në brendësi të uretereve dhe uretrës, si pasojë tumori mund të formohet dhe në to. Një tjetër tip i kancerit të vezikës urinare është karcinoma me qeliza skuamoze. Qelizat skuamoze shfaqen në vezikë si përgjigje ndaj infektimit ose irritimit të saj. Me kalimin e kohës ato mund të transformohen në qeliza kanceroze.
Një tjetër tip i kancerit të vezikës urinare është adenokarcinoma. Kjo është e rrallë dhe e merr fillesën nga qelizat e gjëndrave të ndodhura në vezikën urinare që sekretojnë mukus. Disa lloje të kancerit të vezikës përbëhen nga më shumë se një tip qelizash.

Cilët janë disa prej faktorëve që ndikojnë në krijimin e kancerit të vezikës urinare?
Faktorët predispozues për krijimin e kancerit të vezikës janë disa. Pirja e duhanit mund të shtojë rrezikun e kancerit të vezikës si rezultat i krijimit të lëndëve të dëmshme kimike që grumbullohen në urinë. Gjatë pirjes së duhanit trupi përpunon substancat kimike të duhanit dhe i nxjerr disa prej tyre në urinë. Këto substanca të rrezikshme mund të dëmtojnë mukozën duke shtuar rrezikun për kancer.

Rreziku i kancerit shtohet me rritjen e moshës. Kanceri i vezikës mund të ndodhë në çdo moshë, por rrallë mund të gjendet në të rinj nën 40 vjeç. Meshkujt janë më të predispozuar sesa femrat e kështu që gjinia është një tjetër faktor. Veshkat luajnë një rol kyç në filtrimin e substancave kimike duke i transportuar ato me anën e urinës në vezikën urinare. Mendohet se përqëndrimi i tyre në vezikë rrit rrezikun e kancerit. Në këto substance përfshihet arseniku dhe substancat kimike që përdoren në industrinë e ngjyrosjes, të kauçukut, lëkurës, tekstileve dhe të prodhimit të bojërave. Përdorimi i medikamentit kundër kancerit me emrin cyclophosphamide, rrit rrezikun e kancerit të vezikës. Gjithashtu, pacientë që janë trajtuar me rrezatime në legen për një kancer të mëparshëm, kanë një rrezik të lartë për zhvillimin e kancerit të vezikës. Infeksionet e përsëritura të vezikës ose inflamacioni i saj, p.sh. si rezultat i mbajtjes së kateterit urinar për një kohë të gjatë, mund të rrisë rrezikun e kancerit të vezikës me qeliza skuamoze. Historia vetiake ose familjare e prezencës së kancerit është një tjetër faktor. Nëse një pacient ka patur më përpara një kancer të vezikës, ai është i predispozuar që t’i përsëritet.

Cilat janë format e komplikacioneve të kësaj sëmundje?
Kanceri i vezikës urinare përsëritet shpesh. Për këtë arsye ata që i mbijetojnë kësaj sëmundje mbas një mjekimi të suksesshëm, duhet të ndiqen për shumë vite.

Çfarë ekzaminimesh duhen kryer?
Në përgjithësi rekomandohet cistoskopia për të parë uretrën dhe vezikën urinare nga brenda çdo tre muaj gjatë viteve të para pas trajtimit, pastaj bëhet një herë në vit. Pacientët me një kancer agresiv mund të kontrollohen më shpesh, ndërsa të tjerët ndiqen me rrallë. Cistoskopia konsiston në futjen e cistoskopit në vezikë. Ai është i pajisur me një sistem lentesh dhe fibrash optike që lejojnë këqyrjen e vezikës. Nëpërmjet cistoskopit mjeku fut një pajisje në vezikë dhe merr material nga zona e dyshimtë për ekzaminim mikroskopik. Citologjia e urinës nënkupton marrjen e një sasie urine dhe këqyrjen në mikroskop për qeliza kanceroze. Ekzaminimet radiologjike përfshijnë pielografinë intravenoze dhe skanerin.

Si bëhet trajtimi i kësaj sëmundjeje?
Trajtimi i kancerit të vezikës varet nga një sërë faktorësh duke përfshirë tipin dhe stadin e kancerit, gjendjen e përgjithshme shëndetësore si dhe preferencën e pacientit. Nëse kanceri është shumë i vogël dhe nuk ka pushtuar murin e vezikës, mund të rekomandohet: Heqja në mënyrë endoskopike vetëm e tumorit; si dhe heqja në mënyrë kirurgjikale e tumorit dhe e një pjese të vogël të vezikës. (cistektomi e pjesshme). Ndërkohë terapia biologjike funksionon me anë të stimulimit të sistemit imunitar për të ndihmuar në luftimin e qelizave kanceroze. Kjo konsiston në futjen direkt në vezikën urinare të një medikamenti nëpërmjet një kateteri. Një medicament biologjik që përdoret shpesh është vaksina BCG e cila përdoret edhe në sëmundjen e tuberkulozit. Një tjetër është versioni sintetik i interferonit i cili është një proteine që prodhohet nga sistemi imunitar për të luftuar infeksionet. Nëse kanceri ka përfshirë të gjitha shtresat e vezikës, rekomandohet kirurgjia për të hequr të gjithë vezikën urinare. Ky operacion quhet cistektomi radikale dhe konsiston në heqjen e të gjithë vezikës, si dhe gjëndrat limfatike që e rrethojnë.

Çfarë ndodh pas heqjes së vezikës urinare?
Menjëherë pas heqjes së vezikës, krijohet një rrugë e re për të nxjerrë urinën. Ka disa mënyra për këtë. Mund të krijohet një tub me një pjesë zorre ku nga njëra anë futen ureteret që sjellin urinën nga veshkat, dhe ana tjetër nxirret në lëkurën e barkut ku urina zbrazet në mënyrë të vazhdueshme në një qese plastike (qese urostomie) të cilën e zbraz vetë pacienti. Mund të bëhet krijimi i një rezervuari të vogël me anën e zorrës brenda trupit për të mbledhur urinën. Për zbrazjen e urinës pacienti përdor një kateter të vogël që e fut me anë të një vrime të vogël në lëkurë brenda në rezervuar. Këtë procedurë e përsërit disa herë në ditë. Në raste të veccanta mund të krijohet një rezervuar brenda trupit me një pjesë zorre. Ky rezervuar (vezikë e re) bashkohet me uretrën dhe pacienti urinon normalisht.

Si realizohet kimioterapia për trajtimin e sëmundjes?
Kimioterapia është një procedurë që bazohet në përdorimin e medikamenteve për të luftuar qelizat kanceroze. Zakonisht përdoret kombinimi i dy ose më shumë medikamenteve. Këto mund të jepen nëpërmjet venës (terapia intravenoze), ose të futen direkt në vezikë nëpërmjet një kateteri (terapia intravezikale). Kimioterapia mund të përdoret gjithashtu për të luftuar qelizat kanceroze që mund të kenë mbetur pas ndërhyrjes kirurgjikale. Ajo mund të aplikohet edhe para kirurgjisë me qëllim zvogëlimin e masës tumorale për të ndihmuar kirurgun për të kryer një ndërhyrje më pak invazive. Në disa raste kur kirurgjia nuk mund të kryhet, kimioterapia kombinohet me radioterapinë.

Po radioterapia si realizohet?
Radioterapia konsiston në përdorimin e rrezeve me energji të lartë duke i fokusuar në masën e kancerit për të shkatërruar qelizat kanceroze. Radioterapia për kancerin e vezikës aplikohet edhe pas kirurgjisë për të vrarë të gjitha qelizat e mbetura kanceroze. Në disa raste kur kirurgjia nuk mund të kryhet, radioterapia kombinohet me kimioterapinë.

Si bëhet parandalimi i sëmundjes?
Megjithëse nuk ka asnjë mënyrë të sigurtë për parandalimin e kancerit të vezikës, rekomandohen disa këshilla për të pakësuar rrezikun.
Mospirja e duhanit nënkupton që substancat kimike që shkaktojnë kancerin, të mos grumbullohen në vezikë. Gjithashtu, duhet të evitohen substancat kimike. Nëse punohet në mjedise me substanca kimike, të zbatohen rekomandimet për evitimin e ekspozimit ndaj tyre. Teorikisht, pirja e lëngjeve sidomos e ujit, mund të holloje koncentrimin e substancave toksike në urinë dhe ndihmon në eliminimin më shpejt të tyre jashtë trupit. Rekomandohet të përdoren fruta dhe perime pasi janë të pasura me antioksidantë të cilat ndihmojnë në reduktimin e rrezikut të kancerit.

Stadifikimi i kancerit të vezikës

Mbas diagnostikimit të kancerit të vezikës, pacienti i nënshtrohet disa ekzaminimeve plotësuese për të përcaktuar stadin (përhapjen) e kancerit. Për këtë rekomandohen:
-Skaneri
-Rezonancë magnetike
-Kontrolli i kockave duke përdorur lende radioaktive (bone scan)
-Radiografi e gjoksit
Stadet e kancerit të vezikës janë:
-Stadi i I. Në këtë stad kanceri zhvillohet vetëm në shtresën e brendshme të vezikës (mukoza), pa prekur shtresën muskulare të saj.
-Stadi i II. Në këtë stad kanceri ka pushtuar murin e vezikës, por ende është i kufizuar në vezikë.
-Stadi i III. Qelizat kanceroze janë përhapur përtej murit të vezikës, në indet përreth.
-Stadi i IV. Në këtë stad qelizat kanceroze mund të përhapen në gjëndrat limfatike dhe në organe të tjera si; kockat, mëlçia ose mushkëritë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.