DURRES – Grupi Task-Forcë i ngritur në prefekturën e Durrësit ka nisur dje inspektimin e të gjithë vijës bregdetare me qëllim verifikimin e kushteve të plazheve që frekuentojnë pushuesit. Bazuar në vendimin e Këshillit të Ministrave, në përbërje të grupit Task-Forcë janë përfaqësues të policisë Bashkiake, policisë së Rendit, Inspektoratit Ndërtimor, Shëndetit Publik dhe Ndërmarrjes së Shërbimeve Komunale.
Aksioni ka nisur tek Ura e Dajlanit dhe do të shtrihet deri në kufi me plazhin e Golemit, i cili është pjesë e Bashkisë Kavajë. Gjatë ditës së djeshme inspektorët e policisë bashkiake kanë vendosur tabelat për përcaktimin e vendeve për plazhe publike dhe në plazhin e madh të Durrësit do të jenë 6 të tillë. Pushuesit kërkojnë marrjen e masave për të mos lejuar shitësit ambulantë që tregtojnë produkte të ndryshme ushqimore, pasi ato janë të pakontrolluara, ndërsa shtojnë se duhen krijuar më shumë hapësira mes çadrave.
Grupi i Task-Forcës do të funksionojë gjatë gjithë sezonit turistik dhe ka për detyrë shtrimin e kontrolleve të vazhdueshme për zbatimin e distancës nga bregu në vendosjen e çadrave, zbatimin e raportit të hapësirave plazh publik e privat sipas hartës së miratuar nga bashkia, zbatimin e kushteve higjeno-sanitare, moslejimin në plazhe të shitësve ambulantë si dhe kontrollin mbi gjenerimin e zhurmave dhe vendbazimet e mjeteve sportive ujore.