Detaje të reja kanë dalë nga krimi që ndodhi ditën e premte në Durrës. Pasi 37-vjeçari, Ardian Kuka, qëlloi disa herë me thikë bashkëshorten, madje edhe në zemër, u largua nga vendngjarja.
Ai u gjet mëngjesin e së shtunës i mbytur, në plazhin e Durrësit në zonën e quajtur “Sektori Rinia”.
Trupi i 37-vjeçarit u pikas fillimisht nga pushuesit, të cilët lajmëruan më pas policinë.
Ai u gjet rreth 400 metra larg bregut dhe dyshohet se trupi ka qëndruar për disa orë në ujë, pasi ka qenë shumë i fryrë.
Do të jetë ekspertiza mjeko-ligjore që do të zbulojë nëse 37-vjeçari ka konsumuar alkool apo lëndë helmuese para se të futej në det.
37- vjeçari prej kohësh punonte si shofer për Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Durrës, ku ishte shoferi i kunatit të Vangjush Dakos, i cili mban dhe pozicion drejtues në OSHEE Durrës.
Persona që e njihnin nga afër Kukën, kanë treguar se ai njihej si person i qetë dhe mjaft pozitiv.
Familjarët thonë se ishte xheloz për të shoqen, e cila kishte filluar punë si edukatore në një kopsht në Durrës. Debati i së premtes rezultoi fatal për çiftin, të cilët lanë pas një djalë 8 vjeçar.