OPINION

Haga nuk mund t’ia marrë Ramushit shkëlqimin e luftës për liri

07:00 - 22.07.19 Mehmet Prishtina
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Lajmi më ri që u shoqërua me habi e paqartësi vazhdon të jetë rasti i Ramush Haradinajt, i cili u tërhoq nga pozita e kryeministri të vendit, pas ftesës që ai kishte marrë nga Gjykata Speciale e Hagës, në cilësinë e ‘të dyshuarit’.
Pse befasi dhe paqartësi?
Askush nuk e priste se pikërisht kryeministri i Kosovës, pikërisht në këtë interval kohor, do të jetë në shënjestër të kësaj gjykate.
Kurse paqartësia ka të bëjë me prapavijën e këtij procesi, që për shumëkënd mbetet një mjegull që futet qëllimisht mbi qiellin e Kosovës për të turbulluar situatën politike, në prag të vendimeve historike që mund t’ia ndryshojnë kursin disa zhvillimeve, që mund të jenë të disfavorshme për vetë Kosovën.
Ramush Hardinaj nuk është një emër i thjeshtë. Ai është emblemë e një krenarie që u kurorëzua me shumë sakrifica në shumë beteja të UÇK-së, të cilat, pa përjashtime kanë lavdinë e tyre, që do të jetojnë sa të ketë jetë në tokë. Bashkë me lavdinë do të jetojnë edhe heronjtë e kësaj lufte, Adem dhe Hamëz Jashari. Luan e Shkëlzen Haradinaj, Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, Abeja, Agimi e Sali Çeku e mijëra heronj e dëshmorë tjerë të Kosovës tonë.
Por, lavdia ka edhe heronjtë e gjallë, të cilët me rrëfimet e tyre na mësuan edhe më për së afërmi betejat e lavdishme, betejat mitike, beteja që kur i dëgjonim nga ish-luftëtarët tanë na dukeshin si beteja e 300 spartanëve nga historia e lashtë.
Lufta e UÇK-së ishte më shumë se heroizëm, epike, jo ndoshta nga përmasat e tyre, por nga matematika e numrave dhe armëve të përdorura. Të gjitha ato kanë diçka nga lufta epike e 300 iliro-spartanëve kundër dhjetëra mijëra persëve në lashtësi.




Kjo luftë për çlirim ka diçka hyjnore dhe të pashkruar me fjalë në letër.
Epike, me përmasa të padëgjuara më parë dhe jashtë çdo strategjie që ka mundur të bëjë dikush deri sot ishte edhe lufta e komandantit të Dukagjinit, Ramush Haradinaj.
Cilindo rrëfim të dëgjosh, nga cili do luftëtar i atyre betejave do të mësosh një të vërtetë të madhe, luftën titanike, të lavdishme të djemve e vajzave të udhëhequr nga Ramush Hardinaj kundër mijëra trupave, të armatosura me armët më moderne të kohës dhe aviacion serbe.
Ramushin nuk e ndali as rënia e dy vëllezërve në frontet e luftës, gjeneralëve Shkëlzen dhe Luan Haradinaj e as vështirësitë tjera, ai vazhdoi deri në liri.
Kam dëgjuar shumë rrëfime nga ato beteja në Dukagjin, jo strategji, por rrëfime që nga gjeneralët e lavdisë e deri tek ushtarët që ndoshta edhe nuk njihen mes vete, por kanë një të përbashkët: turpërimin e armatës jugosllave dhe fitoren e spartanëve të UÇK-së.
Ramushi doli fitimtar nga lufta për liri, por nuk e ndali luftën për zhvillimin e Kosovës së lirë. Duke parë ndasitë e mëdha politike pas lufte, ai u kyç në jetën politike duke bërë koalicion me ish-Presidentin Ibrahim Rugova dhe duke i dhënë kështu Kosovës edhe shembullin se mbi dallimet e çfarëdo forme qofshin ato, Kosova është e para.
Puna e tij si kryeministër u ndërpre pas 100 ditëve nga ana e Tribunalit të Hagës nga ku doli fitimtar.
Haradinaj edhe një herë, për të dytën herë u përball me Hagën, por prapë doli fitimtar duke rrëzuar akuzat e Serbisë fashiste dhe këlyshëve të tyre kundër luftës së UÇK-së.
Ramushit dhe shumë luftëtarëve tjerë as Haga e askush nuk mund t’ua marrë asnjëherë shkëlqimin e luftës për liri. Ata janë vetë liria që ne sot e përjetojmë.
Akuza e djeshme nga ana e Gjykatës Speciale tregoi edhe një herë se gabimet e disa politikanëve kosovarë do të vazhdojnë t’i kushtojnë Kosovës në rrugën e saj për zhvillim.
Dorëheqja si kryeministër tregoi se Ramush Haradinaj vazhdon që edhe më tej të ruajë nderin dhe moralin si luftëtar dhe burrështetas i vërtetë i Kosovës.
Taksa ndaj mallrave serbe, krijimi i ushtrisë, rritja e zhvillimit ekonomik janë vetëm disa nga të arriturat e punës gati dyvjeçare të kryeministrit Haradinaj deri dje.
Ai tregoi edhe një herë se Kosova është mbi gjithçka.
Personalisht mendoj se tani Kosova dhe shqiptarët në përgjithësi kanë ardhur në një moment tjetër politik. Është momenti që shqiptarët t’i kthehen platformës së patriotëve të mëdhenj të historisë sonë kombëtare, kurse shembullin e ecjes më tutje të kombit ta kërkojmë te njëri ndër ideologët kryesorë të çlirimit dhe bashkimi kombëtar të shqiptarëve, Hasan Prishtina, i cili tërë jetën e tij e kishte lidhur me fatin e kombit e atdheut.
Përballja me drejtësinë nuk është kurrfarë risie për Ramush Hardinajn, për arsye se ai këtë e ka provuar në disa raste, por ajo që është për t’i habitur edhe ekspertët e jurisprudencës është fakti se si është e mundur që pikërisht Ramush Haradinaj ishte ndër politikanët e rrallë të Kosovës, që i sfidoi të gjitha filtrat e drejtësisë ndërkombëtare, të ftohet sërish nga një Gjykatë Speciale, e cila gjoja qenka më drejtësi kërkuese se sa gjykatat pararendëse, në të cilat Ramushi u shpall i pafajshëm.
Tani kur sërish ftohet në Hagë, Ramush Haradinaj, por në cilësinë e të ‘dyshuarit’ askush nuk beson se ky është një gjykim thjesht kundër një personi. Metodologjia mbi të cilën bazohet puna e kësaj gjykate lë për të kuptuar, nën rreshta, se ajo megjithatë nuk është imune nga forca të jashtme, të cilat janë të interesuara ta shantazhojnë pikërisht këtë faze të proceseve nëpër të cilat po kalon Kosova. Nëse dikush ishte pengesë që të mos ndodhin disa zhvillime degarduese në Kosovë, ishte pikërisht Ramush Haradinaj dhe kjo si duket dikujt nuk i konvenoi, andaj edhe u kërkua eliminimi i tij si shef i ekzekutivit të Kosovës.
Ka të ngjarë që Ramushi sërish të shpallet i pafajshëm, por efekti që dëshirohet të arrihet me eliminimin e tij politik është kauzë e atyre që duan të kryejnë punë në këtë fazë pa të. Dhe kjo është shumë e rëndësishme, duke marrë parasysh edhe disonancat e qëndrimeve politike që u shfaqën muajve të fundit rreth vendimit për vendosjen e taksës 100% ndaj mallrave serbe, ku Ramush Haradinaj ishte gati i vetëm kundër të gjithëve, brenda e jashtë Kosovës.
Pengesa e quajtur ‘Ramush Haradinaj’ tash e tutje nuk ekziston dhe mbetet të presim se çka do të sjellë e nesërmja pa Ramushin në krye të qeverisë së Kosovës.
Por, armiqtë e shtetit të Kosovës kanë harruar se edhe pas Ramushit, çdo shqiptar i ndërgjegjshëm është pengesë për realizimin e skenarëve ogurzezë për Kosovën. Këtë e ka dëshmua edhe historia, sidomos periudha pas eliminimit fizik të Hasan Prishtinës, kur vetëdija politike kombëtare e shqiptarëve u zgjua edhe më tepër në sajë të ndikimit të fuqishëm që kishte lënë kjo figurë e madhe kombëtare në brezat e mëvonshëm.
20 korrik 2019, Prishtinë


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.