OPINION

Euro apo lekë: si rritet ekonomia jonë?

07:37 - 23.07.19 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Si qytetarë deri tani kemi pasur idenë se nëse i matim gjërat me monedhën evropiane, nëse kryejmë shitje apo blerje në atë monedhë, sikur i afrohemi më shumë Bashkimit Evropian. Sikur bëhemi më shumë evropianë. Dhe në fakt, kursimet na pëlqen t’i mbajmë në euro ose dollarë, pse i konsiderojmë monedha më të sigurta. Pasurinë (nëse e kemi) na pëlqen ta deklarojmë në euro. Makinën e re ose shtëpinë e blejmë në euro. Madje, edhe pajisjet elektro-shtëpiake provojmë t’i marrim me euro. Kjo na dëmton në ekonomi, por nuk e kuptojmë. Po si? Mekanizmi është i thjeshtë. Sa më shumë euro të përdorim, aq më pak i japim mundësi bankës sonë qendrore të zbatojë plotësisht politikën e saj të parasë dhe të na i ulë aq sa na intereson ne si qytetarë interesat e kredive në lekë dhe në euro. Nëse do të blinim të gjithë në lekë, nëse për veprime që kryejmë deri tani në euro, do të përdornim monedhën tonë, kreditë do t’i kishim më të lira. Na duket e pabesueshme, por kjo është e vërteta. Euro përdoret në më shumë se gjysmën e vlerës së transakasioneve (shitjeve dhe blerjeve) në ekonominë tonë. Në valutë mbajmë mbi 53 për qind të kursimeve tona. Një shmangie e tillë e lekut kufizon rolin e kursit të lirë të këmbimit (e kemi të tillë që nga viti i largët 1992) si një stabilizues për ekonominë tonë. Ajo dëmton efektshmërinë e politikave fiskale, duke rritur koston e shërbimit të borxhit tonë publik dhe duke e ndryshuar jo për mirë strukturën e tij. Na detyron të mbajmë artificialisht një nivel më të lartë të rezervave valutore si shtet. Rrit mundësinë e goditjes së sistemit tonë financiar dhe të kompanive që veprojnë me bazë euron, nga lëkundjet e kursit të këmbimit të euros në Eurozonë. Ia lidh duart bankës sonë qendrore, pse sado ta ulë ajo koston e parasë, nëpërmjet mekanizmit kryesor që ka të interesit të marrëveshjeve të riblerjeve (RePo) (interesin që ajo u mban bankave tregtare për paratë që u jep), kjo ulje përcillet vetëm në atë gjysmë më të vogël të ekonomisë ku përdoret leku. Në tërësi, studiuesit e huaj dhe literatura botërore bashkohen në konkluzionin se shtimi i përdorimit të valutave (monedhave të huaja) në një ekonomi që e ka monedhën e vet kombëtare, shkon në përpjesëtim të zhdrejtë me rritjen ekonomike. Për ne, periudha që njohu pikun (pikën më të lartë) të përdorimit të valutës, euros në ekonominë tonë ishte viti 2015. Ky vit përkon me një rritje anemike ekonomike të Shqipërisë, prej vetëm 2.2 për qind.




Por edhe në vitin që lamë pas, me gjithë rënien e fortë të vlerës së monedhës evropiane në tregun tonë deri në fillim të qershorit 2018, kapëm rekordin e depozitave, kursimeve tona në euro. Ishte një kundërpërgjigje e frikës së krijuar ditët e para të qershorit për rënien e mëtejshme të euros tek ne. Depozitat e qytetarëve dhe sipërmarrësve në euro në fund të vitit 2018 arritën në 4 miliardë, me një rritje prej 10 për qind nga viti 2017, ose 370 milionë euro më shumë. Në deklaratën përmbyllëse të Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, në bazë të nenit 4 të Marrëveshjes me Shqipërinë më 20 nëntor 2018, FMN konstaton: “Transmetimi i politikës monetare kufizohet nga përdorimi i gjerë i euros dhe parasë në dorë (kesh)” (faqe 4 në fund https://www.imf.org/external/lang/albanian/np/ms/2018/ms112018a.pdf). Më tej Fondi rekomandon: “Strategjia për rritjen e përdorimit të lekut: Zbatimi në muajin korrik 2018 i një niveli të diferencuar të rezervës së detyrueshme të bankave të nivelit të dytë për depozitat në valutë të huaj ishte një hap i dobishëm, në përputhje me planin për rritjen e përdorimit të lekut në ekonomi. Si një fazë e dytë, do të ishte e dobishme për autoritetet përgatitja e veprimeve specifike për të dekurajuar vendosjen e çmimeve dhe kryerjen e pagesave në valutë të huaj në transaksionet vendëse”. (faqe 5, në fund https://www.imf.org/external/lang/albanian/np/ms/2018/ms112018a.pdf. ). Ç’do të thotë ky togfjalësh-rekomandim i FMN-së “…përgatitja e veprimeve specifike”? Shumë studiues e interpretojnë si një rekomandim për të vendosur një rregull të rreptë në kufizimin e përdorimit të valutës në ekonomi. Shembujt janë të shumtë edhe në vendet anëtare të BE-së (Poloni, Çeki, Sllovaki, Kroaci, etj.), që kanë vendosur me vendim qeverie që të gjobisin ashpër ato struktura shërbimi dhe tregtimi (restorante, dyqane, hotele, motele, qendra tregtare etj.), që pranojnë euro në këmbim të monedhës së vendit të tyre. Po ashtu një regjim të ngjashëm e ka edhe Maqedonia e Veriut, duke ruajtur denarin e saj. E bën edhe Serbia për dinarin e vet. Po ne? Ne për 27 vite e kemi lënë të lirë lekun të këmbehet me monedhat e huaja.

Dhe do të vijojmë me regjimin e lirë të këmbimit dhe mirë bëjmë! Por nga ana tjetër, mund të kishim vendosur një regjim të tillë rregullash, duke kufizuar këmbimin e monedhës sonë vetëm në zyrat e këmbimit valutor. Kështu do të forconim ndjeshëm pozitat e ekonomisë sonë kombëtare. Po pse? Sepse duke kërkuar që këmbimet në restorante, hotele, blerje mallrash e shërbimesh në territorin e republikës sonë të bëhen vetëm në lekë (pavarësisht këmbimit të lirë me euron, dollarin etj.) përçojmë më mirë politiken monetare (të parasë). Në këtë mënyrë, kosto e parasë që mbahet në nivele shumë të ulëta nga banka jonë qendrore (nivel rekord 1 për qind), përcillet në vendimet për kredi dhe kreditë (sidomos ato në lekë) bëhen më të lira. Qeveritë e vendeve të mësipërme të BE-së apo këtu në Ballkan qeveritë e Serbisë dhe e Maqedonisë së Veriut kanë qenë shumë të qarta dhe të vendosura për këtë dhe aplikojnë gjoba të kripura, kur vërtetojnë pranim të shërbimeve apo shitjes së mallrave nga restorante, hotele, kompani e agjenci vendëse në monedhë të huaj. Përqendrimi i këmbimit valutor vetëm tek “çejnxhet” tona do të na bëjë mirë, shumë mirë. Banka jonë qendrore, Banka e Shqipërisë e vetme nuk mund t’ia dalë të na e ulë ndjeshëm interesin e kredive në lekë dhe valutë (sidomos atyre në lekë), me gjithë përpjekjet e saj maksimale të vlerësuara edhe nga FMN. Duhet që qeveria t’i japë një dorë. Ministria e Financave dhe e Ekonomisë mund të nxjerrë udhëzimin apo urdhëresën për rritjen e përdorimit të lekut në ekonomi, duke kufizuar transaksionet në valutë vetëm te zyrat e këmbimit valutor, duke vendosur gjoba në rastet e kundërta. Me gjoba arritëm që 70 për qind e 600 drejtuesve të automjeteve te ne më në fund të përdorin rripin e sigurimit që shpëton jetë. A do të provojmë të shpëtojmë dhe të rrisim realisht këtë ekonominë tonë kaq të brishtë?


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Fatos Papagalli,mos luaj koke -apo pile,me parate,duke luajtur rme fjalet qe i leshon krejt qesim,por fol per ekonomine,qe eshte ne xgrip,qe nuk ka investime,qe parate jene shspenzuar badiava,neper PPP-ra,neper koncensione shume vjecare,ku disa miq te rilindjes,po ja xhvasin Shqiperise,bile edhe duke mos patur fare para,fitojne tendera dhe i bejne punimet me parat e qeverise-pra te popullit.Me keto merru,bile dite e nate,por nuk je nga ata burra,kemi kohe qe te njohim dhe je kthyer si ai qeni qe vetem leh,por as shtepine e ruan dhe as e lajmeron te zotin e shtepise,kur i afrohet ,hajduti.

    Përgjigju ↓