OPINION

Teatri Kombëtar dhe teatri brenda nesh

08:26 - 26.07.19 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Një nga artistët më të njohur të skenës teatrale shqiptare, i madhi Robert Ndrenika e ka quajtur me të drejtë gjithësinë e asaj që përbën Teatrin Kombëtar (mjedisi ku aktorët luajnë) “Jerusalemi” ynë. Dramat e mëdha botërore që flisnin shqip, komeditë e shkëlqyera shqiptare edhe në periudhën e errët kulturore tonën të realizmit socialist, interpretimet e shkëlqyera të talenteve tona për gjashtë dekada rresht janë të gjitha aty. Aty kanë lindur dhe janë rritur interpretues të shkëlqyer të shpirtit dhe talentit artistik skenik shqiptar. Dhe duhet ta dinë të gjithë shqiptarët se ndërtesa e vjetër e teatrit tonë kombëtar është ndërtuar brenda funksionalitetit të saj. Edhe pse mund të jetë përdorur për qëllime të tjera në ndonjë periudhë shumë të shkurtër të viteve të para të jetës së saj(kazermë apo spektakle “dopolavoro-në italisht “pas pune”), ajo është ngritur si ndërtesë teatrale. Mirëpo një ndërtesë që 79 vjet përpara hidhte tullën e parë, tërësisht e amortizuar sot(praktikisht një pothuajse gjysmë-gërmadhë) e ka të pamundur t’i mbajë të gjitha këto kujtime. Është e natyrshme dashuria dhe nostalgjia për teatrin shqiptar të këtyre 78 viteve(që nga shtatori i vitit 1939 kur ai hapi skenën). Rikonstruktimi i kësaj ndërtese sot për ta bërë funksionale me të gjitha kërkesat teknike dhe etike të një skene eUropiane duket mision gati i pamundur. Ndërtimi i Teatrit Kombëtar(njëlloj si i stadiumit kombëtar) nga e para merr më shumë vlerë për nevojat që aktrimi në një skenë të denjë për parametrat europiane ka.




Për këtë arsye, një pjesë e mirë e artistëve të skenës sonë janë shprehur në përkrahje të projektit për ta ndërtuar nga e para. Por ky projekt nuk duhet të jetë një formë, një sipërmarrje që anashkalon konkurrencën e lirë për projektin dhe ndërtimin e teatrit. Këtu opozita reale e vendit ka të gjithë të drejtën e saj legjitime të protestojë dhe të nënshkruajë pakte. Pra, jo një partneritet publik-privat alla shqiptarçe, ku një propozim i pakërkuar bën rolin e mbretit mbi 13 mijë metrat katrorë sipërfaqe të kompleksit të sotëm të teatrit kombëtar në qendër të kryeqytetit. Sugjerimi i Komisionit Europian i datës 10 shtator 2018 ishte për të amenduar Ligjin Special, për hapjen e garës për projektin e teatrit. Ndërkohë, në rast se procedurat e ndjekura nga bashkia e kryeqytetit për t’i akorduar ndërtuesit privat lejen mbi kompleksin kanë referenca serioze për shkelje të Kushtetutës në garat e ndërtimeve publike, atëherë edhe sugjerimi i djeshëm i Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës për Sigurim dhe Bashkëpunim në Evropë(OSBE), kryesimin e së cilës do të marrim si vend vitin tjetër, për të pritur interpretimin e Gjykatës Kushtetuese, merr vlerë. Teatri Kombëtar që ka pritur tashmë me dekada për t’u marrë dikush seriozisht me të, mund të presë edhe disa javë apo muaj, sa Gjykata jonë Kushtetuese të jetë vepruese. Sa për kauzën e opozitës që përqafon sot fort kauzën e asaj pakice artistësh që çdo ditë ka protestuar me vetëmohim në mjediset e ndërtesës së vjetër të teatrit për ta ruajtur atë, kjo përbën një teatër më vete. Opozita kryesore e vendit duhet të jetë me kauzën e zbatimit me korrektesë të legjislacionit shqiptar në fushën e prokurimeve publike dhe të ruajtjes së frymës së Kushtetutës për një garë të barabartë për leje dhe fonde publike. T’u bashkohet tani mish e thua artistëve nostalgjikë të ndërtesës së vjetër të teatrit nuk i ngre shumë pikë opozitës sonë. Ajo duhet të ketë në program shmangien e kapjes së shtetit nga kompanitë me pozita dominuese në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, pse pikërisht kjo kapje vret konkurrencën e lirë dhe shpresën e mijëra sipërmarrësve shqiptarë. Dhe ta ketë këtë një program serioz me propozime konkrete, pa iu frikësuar largimit të oligarkëve të sotëm që kur ishte dje në pushtet i ka patur bashkëpunuesit kryesorë në fitimin e tenderëve publikë.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Qe je bythelepires i qeverise,e ke deklaruar shpesh here,bile deri ne neveri.Por qe te behesh analist per problemet qe na paska opozita,nuk ke bythe,se nje cope ekonomisti je.Por akoma me keq,kur ben edhe kritika per opoziten,kjo po na i trazon keq zorret e barkut,sepse e katranos aq shemtuar,aq hapur,sa edhe nje cope militanti injorant te rilindjes,do turperohej,prej shkrimit tend.More Fatos,duket sikur po ben cmos,te marresh ndonje post ne PS-ndofta te Ditmirit-mos e genje mendjen kot.Rama,legenat si ty,qe shkruajne simbas drejtimit te eres,i pelqejne per aq sa bejne (shkruajne),por as qe e con ne mendje,per me teper,prandaj mos i mprih dhembet kot.

    Përgjigju ↓