OPINION

“Aleanca”, këmisha e hekurt që i duhet veshur Bashës

07:45 - 27.07.19 Andi Bushati
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Një grupim i vogël artistësh dhe qytetarësh, nga ata që me përbuzje Edi Rama i quan minoranca, ka përmbyllur një akt historik. Falë rezistencës së tyre mbi dyvjeçare, duke sfiduar indiferencën e shumicës, tradhtinë e miqve dhe kolegëve të blerë nga klouni i bashkisë, duke këmbëngulur me vetëmohim, herë si heronj dhe herë si donkishotë, ata e kanë detyruar opozitën politike në vend të përkulet përpara tyre.




Kontrata e firmosur mes Lulzim Bashës dhe Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar është realisht një dokument i rëndësishëm.

Atë e bën të tillë fakti se PD dhe koalicioni i saj zotohen që, një muaj pas marrjes së pushtetit, ta rikthejnë ish-kompleksin “Skanderbeg” në ansambël monument kulture; se ata zotohen ta financojnë rimëkëmbjen dhe shndërrimin në parametra optimalë të teatrit; se ata angazhohen të çojnë për ndjekje penale këdo që ka zhytur duart në këtë aferë të pisët 200 milionë euroshe, duke pasur si synim ngritjen e gjashtë rrokaqiejve në zemër të Tiranës.

Por, përtej kontratës mes një grupi që mbron një kauzë dhe një force politike që synon pushtetin, marrëveshja e kësaj të hëne përmban edhe shumë mesazhe të rëndësishme.

Ajo e ka gozhduar një forcë politike të djathtë të vërë theksin te mbrojtja e publikes, te ruajtja e pronës të përbashkët, tek interesi i bashkësisë para atij të individit, që kanë qenë për tri dekada sistematikisht të nëpërkëmbura.

Ajo e ka detyruar atë të kërcënojë ligjërisht edhe ish-klientë të saj të dikurshëm, si kompania ‘Fusha’, duke përforcuar kështu idenë se Edi Rama nuk mund të luftohet veçmas nga oligarkët e tij.

Ajo e ka shtyrë t’u shpallë luftë matrapazëve privatë, që do të vazhdojnë të kryejnë veprimtari grabitëse nën ombrellën e kryeministrit.

Pra, kontrata e nënshkruar sot e ka bërë opozitën demokrate të thyejë dy tabu: atë të prioritetit të privatit përpara interesit të bashkësisë dhe atë, goxha të përhapur në radhët e saj, se nuk duhet të merremi personalisht me biznesin, sepse fajin e ka vetëm Rama.

Natyrisht, sado hapa të mëdhenj përpara të përbëjnë krisjet e këtyre tabuve, sado të mirëpritura të jenë angazhimet për dëgjimin e zërit të publikut, për përfshirjen e grupeve të interesit në vendimmarrje, për konfiskime pasurish, për një sistem zgjedhor më përfaqësues, për një Kushtetutë më kontrolluese (të gjitha në kontratë) gjithnjë do të ketë qytetarë skeptikë që do të shohin te nënshkrimi vetëm një copë letër.

Dhe me të drejtë.

Kujtesa e zhgënjimit nga opozitat që rikthehen në pushtet është epokale. Nëse Fatos Nano i riktheu në qeveri ish-ministrat që luftoi si të korruptuar në katharsis, nëse Sali Berisha e bëri klientin numër një Rezar Taçin, që e anatemonte si kontrabandist, nëse Edi Rama i emëroi kryebashkiakë, snajperët e grupit të zjarrit në 21 janar, gjithkush është në të drejtën legjitime për të mosbesuar.

Në këtë kuptim të drejtë kanë vetëm ata – mes tyre edhe unë – që e shohin zgjidhjen te shporrja e kësaj klase politike përmes lindjes së forcave të reja.

Por, deri sa kjo të ndodhë, deri sa ata që mendojnë kështu të përbëjnë një shumicë, rruga e vetme është trysnia dhe presioni ndaj aktorëve që janë në lojë.

Pikërisht këtë kreu Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar. Sipas një propozimi të studiuesit Aurel Plasari, që gjatë gjithë kësaj krize nuk ka mbajtur vetëm peshën e eruditit, por edhe aksionin e një vizionari, ajo e uli Lulzim Bashën në tryezën e një angazhimi.

Pra, jo më në deklarata mitingjesh: “Kur të vijë unë në pushtet…” që më pas fshihen apo myken në arkiva, por në një kontratë precize angazhimesh të shkruara.

Dhe kjo është në fakt rruga e duhur e gjithë atyre që nuk e shohin dot më me sy pushtetin makut të Edi Ramës, por që nuk i ngjall shpresë as rivali i tij. Ata duhet të marrin shembull nga “Aleanca…”. Ata paralel me betejën ndaj pushtetit të sotëm, duhet të shtrëngojnë një këmishë të hekurt ndaj atij të nesërm. Ta bëjnë të përulet dhe përbetohet se do të mbrojë interesin publik (Basha e përmendi vetëm mbi dhjetë herë), se do të shkatërrojë oligarkët, se në vend që të ëndërrojë si do t’i rekrutojë nesër, të mendojë se si do të ndahet përgjithnjë me ta.

Shiritin e fillimit të kësaj rruge e prenë një grup i vogël artistësh dhe qytetarësh të angazhuar. Megjithëse shpesh të mpakur dhe të braktisur, ata dëshmuan se kokëfortësia në kauza të drejta është shumë, shumë më e rëndësishme se pesha e numrave. Sikur të tjera grupe dhe vatra interesi të këmbëngulnin në të njëjtat parime, me siguri që shumë shpejt do të kishim një Shqipëri më të mirë.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.