Karkalecat pushtojnë Las Vegasin. Turistët dhe banorët e zonës janë befasuar nga tufat e karkalecave që kanë pushtuar qytetin. Të pashqetësuar nga njerëzit karkalecat kalonin nëpër qytetet në procesin e emigrimit të tyre në veri.
Trotuaret, shtyllat dhe makinat janë veshur me karkalecë, që nën dritën e neonëve ngjasojnë me krijesa të çuditshme fluturuese.
Departamenti i Bujqësisë i Nevadës tha se pushtimi i rrallë lidhet me një dimër dhe pranverë të papërshtatshme.
Jeff Knight, një entomolog në Departamentin e Bujqësisë, tha se insektet mund të jenë të frikshëm, por janë të padëmshëm.
“Ata nuk mbajnë asnjë sëmundje, nuk kafshojnë dhe nuk janë as një nga speciet që ne e konsiderojmë një problem. Ata ndoshta nuk do të shkaktojnë shumë dëme në një oborr”, ka deklaruar ai para gazetarëve.
Ai tha se karkalecat, me gjatësi prej 3.80 centimetra, do të largohen nga zona e Las Vegasit brenda pak javësh.