OPINION

Shkaqet e aksidenteve në Shqipëri

07:15 - 29.07.19 Fisnik Ziçishti
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Për një periudhë disa mujore së bashku me ekspertin veteran të Sigurisë Rrugore Prof. Gëzim Hoxha po studiojmë shkaqet teknike të aksidenteve rrugore të ndodhura në territorin e Republikës së Shqipërisë. Nga studimi dalim në konkluzionin se aksidentet rrugore nuk janë të rastësishme, por produkt i një pune jo të organizuar mirë nga strukturat shtetërore për sektorët që kanë vartësi, por edhe për mungesë të kontrollit ndaj subjekteve private.




Kështu mund të themi për autoshkollat, të cilat nuk i përgatisin në nivelin e duhur kandidatet për drejtues automjetesh.

Së dyti, këta kandidate kalojnë në testim ku nuk arrijnë standardet e duhura, por për shkak të korrupsionit ata marrin leje drejtimi që më pas shkaktojnë aksidente rrugore. Autoshkollat “ trajnojnë” jo vetëm drejtues autoveturash, por edhe për kamionë, autobusë dhe kamionë me rimorkio, por në rrugë nuk ka mjete të tilla që përgatisin kandidate për drejtues automjeti. Ku përgatiten këta kandidatë që mirin patenta?

Ata paguajnë dhe marrin leje drejtimi dhe më pas shkaktojnë aksidente.

Se treti, serviset tona janë në gjendje të mirë në pamjen e parë, por brenda tyre punojnë specialistë të pa kualifikuar. Fakti që ne nuk kemi asnjë servis të certifikuar me licencë profesionale sipas standardeve europiane tregon për punë pa cilësi. Automjetet e riparuara në këto servise të pa certifikuara dhe me specialistë që në shumicën e rasteve janë me njohuri fillestare sjell më pas aksidentet rrugore.

Gjendja e rrugëve përgjithësisht është e mirë, por me mungesa në sinjalistikë rrugore, ndonëse kohët e fundit janë bërë përmirësime të dukshme. Por theksoj se për të hyrë në aksident rrugor mjafton të mos ketë qoftë edhe një sinjalisikë e vetme horizontale apo vertikale.

Në aksidente ndikon edhe vapa, pa gjumësia, lodhja, mungesa e tolerancës gjatë drejtimit të mjeteve, bllokimi në trafik për një kohë të gjatë, nervozizmi etj.

Mungesa e kontrollit nga ana e strukturave të policisë në pika nevralgjike që disa prej tyre janë  cilësuar si njolla të zeza, por që në ato vende ndodhin përsëri aksidente.

Punonjësit e policisë patrullojnë në rrugë, ata harxhojnë shumë energji por  gjendja nuk ndryshon edhe për shkak të mungesës së organizimit të kontrollit në pikat nevralgjike që sjellin pasoja, por kontrolli në rrugë të drejta që mund t’ju marrin patentën drejtuesve të automjeteve.

Për uljen e aksidenteve rrugore  janë dhënë fondet të konsiderueshme nga OB SH, por nuk ka transparencë se çfarë bëhet me ato fonde nga shoqatat ndryshme, përveç disa takimeve në hotelet me 5 yje dhe përsëritja e studimeve për saktësimin e njollave të zeza, por korrigjimi i tyre thuajse nuk ndryshon. Ka disa ndërhyrje në rrugë nga ARRSH. Shteti ka frikë të veprojë për të mbyllur kalimet në nivel nga agresiviteti që tregojnë banoret. Kështu mund të përmend rrugën që vjen nga Divjaka. Përse ndodh kjo? Janë të njëjtët drejtues automjetesh që kur udhetojnë jashtë shtetit iu duhet të bëjnë 30, 40 apo edhe më shumë kilometra për të ndryshuar drejtimin e qarkullimit. Shteti duhet të guxoje dhe të mbylli ato pjesë ete rrugëve të kalimit në nivel që janë burim aksidenti.

Shqetësim është edhe segmenti rrugor mbikalimi Shkozetit deri tek mbikalimi i plazhit në Durrës. Ai segment është me tabela kufizuese të shpejtësisë gjithmonë në 40 km në orë dhe në disa raste edhe 20 km në orë. Ai vend quhet ndryshe edhe “segmenti gjuetisë policëve” pasi aty në çdo rast për shkak të sinjalistikës së gabuar që ka mbetur “ policët e shfrytëzojnë dhe të marrin lejen e drejtimit. Sinjalistika ka mbetur që në kohën që ky segment kishte disa kalime në nivel, por edhe pse ato kalime janë mbyllur sinjalistika qëndron dhe patenta fluturon dhe kështu ushqen zinxhirin e korrupsionit.

Në Shqipëri mungon analiza e aksidenteve rrugore që të dilet në një konkluzion shkencor dhe minimalisht teknik të arsyetuar dhe më pas të bëhet një akt ligjor apo nënligjor për të parandaluar aksidentet.

Për të parandaluar aksidentet rrugore është e domosdoshme krijimi i Autoritetit të Sigurisë Rrugore.

Ky autoritet duhet të jetë mbi të gjithë dikasteret për zbatimin e detyrave që i ngarkon ligji dhe të ketë fuqi ligjore për të ndëshkuar me gjoba këdo që ka përgjegjësi subjektet shtetërore apo private, por edhe entet pronarë të rrugës të cilët edhe pse nuk plotësojnë kushtet e qarkullimit nuk mbajnë asnjë përgjegjësi.

Deri tani përgjegjësia ka mbetur vetëm tek drejtuesit e automjeteve që humbasin jetën, gjymtohen apo bëjnë vite burg.

Pa një autoritet të sigurisë rrugore nuk mund të presim ndryshim të gjendjes dhe uljen e aksidenteve rrugore.

Nga Ing. Fisnik Ziçishti specialist i Sigurisë Rrugore

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.