OPINION

Shpëtona turizëm!

07:30 - 30.07.19 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në muajt janar-mars 2019, ekonomia jonë u rrit gati dy herë më pak nga e njëjta periudhë një vit më parë, vetëm 2.2 për qind. Muajt prill-qershor po ashtu kanë mbajtur të njëjtën drejtim të një rritjeje të përgjysmuar, përballë tremujorit të dytë të vitit të kaluar. Këtë e vërtetoi edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë në fillim të korrikut në një konferencë për shtyp, kur u shpreh për një rritje ekonomike më modeste nga një vit më parë. Sipas tij, “Zgjatja e mosmarrëveshjeve politike në vend do të reflektohet në klimën e biznesit dhe mund të godasë aktivitetin ekonomik”. Kjo do të thotë se në këta gjashte muaj tensioni të skajshëm politik (shkurt-korrik 2019), konsumi i qytetarëve ka rënë dhe investimet janë tkurrur. Importet në rënie të makinerive, pajisjeve dhe pjesëve të këmbimit për periudhën janar-qershor 2019, në krahasim me gjashtëmujorin e parë të vitit 2018, tregojnë se biznesi po heziton të investojë, në pritje të një kohe më pak të tensionuar politike. Në gjashtë muajt e parë të këtij viti, kemi eksportuar 6 miliardë lekë më pak mallra dhe shërbime tek vendet partnere si Italia, Greqia, Gjermania, etj., në krahasim me janar-qershorin 2018. Ose 48 milionë euro më pak. Kjo është shumë problematike për ekonominë tonë. Eksportet tona të mallrave kanë rënë për të tretin muaj radhazi në qershor 2019. Prodhimi i ulët i energjisë elektrike ka dhënë “kontributin” më negativ gjatë qershorit.




Në grupin “minerale, lëndë djegëse dhe energji” kemi eksportuar rreth 1 miliardë lekë më pak vetëm për qershorin, ose mbi 8 milionë euro më pak në një muaj. Në rënie janë edhe shitjet e materialeve të ndërtimit dhe metaleve, makinerive, pajisjeve dhe pjesëve të këmbimit, si edhe grupi i tekstileve dhe këpucëve. Sektori fason, zëri kryesor në eksportet tona, po vuan euron e këmbyer më lirë në tregun tonë, si dhe vonesat e qeverisë në rimbursimin e tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH-janë me dhjetëra milionë euro të parimbursuara), duke tkurrur aktivitetin. Në këtë situatë, i vetmi lajm shpresëdhënës është “eksporti” i shërbimeve turistike. Madje një kamerdare e mirëfilltë shpëtimi! Janë turitët e huaj(kemi më pak polakë dhe çekë këtë vit, por më shumë evropianoperëndimorë) që kanë mbushur rrugët e qyteteve tona dhe mund të sjellin edhe 200 milionë euro më shumë këtë vit, në krahasim me sa kanë sjellë gjatë vitit 2018. Turizmi shqiptar, gati tërësisht në rritje spontane(duke përjashtuar vetëm investimet në qendrat e qyteteve në gjashtë vitet e fundit dhe në rrugët rurale), po kompenson humbjet e shkaktuara nga kriza politike dhe një vit hidrik jo i mirë. Bilanci pjesor real mund të dalë vetëm në fund të shtatorit, por hotelet në bregdet të mbushura plot flasin për një gjendje pozitive.

Turizmi ynë që sa vjen e shtrenjtohet edhe për xhepat e polakëve apo çekëve(këta kanë nisur të zgjedhin në masë Malin e Zi apo edhe Greqinë), duhet me patjetër të marrë një ndihmë reale nga programet qeveritare në vitin 2020. Hotelet tona me një kapacitet me më shumë se 30 dhoma duhet të nxiten, ndoshta edhe me programe mbështetëse qeveritare, për të zbatuar regjimin “all inclusive(të gjitha të përfshira-ushqim-fjetje) për pushuesit vendas dhe të huaj. Disa nga hotelet tona, sidomos në Durrës dhe në Sarandë, e kanë marrë ndrojtur këtë nismë. Duhen mbështetur. Mbi kapacitetet që kemi duhet të ndërtojmë turizmin e së ardhmes, pse investimet me emra të njohur investuesish në turizmin elitar t’i harrojmë. Të paktën edhe për një dhjetëvjeçar. Prandaj duhet të kaverdisemi me atë miell që na kanë bërë investuesit tanë vendas, të cilët janë të shumtë në 1850 hotelet e vogla që kemi vijës së bregdetit dhe qyteteve bregdetare. Përse jo edhe një ligj special për të favorizuar bashkimet e disa hoteleve të së njëjtës zonë në shoqëri aksionere, për të realizuar 5-10 hotele të një fshati apo pranë qyteteve bregdetare program-regjimin “all inclusive”, me mbështetjen dhe garancinë edhe të shtetit. Këtë qasje e kanë patur 30 vite më parë më shumë sukses vende si Kroacia apo edhe Greqia, të cilat sot shkëlqejnë si në turizmin masiv edhe në atë elitar. Mjafton të kopjojmë qasjet e tyre që rezultuan me fitim. Duhet ta fillojmë tani! Nuk kemi kohë për të humbur. Boll humbëm gati tre dekada me një turizëm që rritet nga inercia dhe jo nga politikat nxitëse qeveritare.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.