MILOSAO

Kur e arrestonin Skënderbeun

15:40 - 04.08.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Mieçisllava Shleçkovska* – Ndërkohë kur Mbajtësi i madh i vulës së sulltanit gulçonte dhe ankohej, le të shohim se ç’bëhej me Skënderbeun.
Atë e çuan në burg, në kullën e kalasë. Burgu kish formën rrethore dhe dyshemeja ishte shtruar me pllaka guri. Drita e paktë këtu futej nëpërmjet dritareve të vogla, të vendosura lart dhe të mbrojtura fort me një zgarë me shufra hekuri. Në njerën faqe të murit ishin vendosur dy harqe nga të cilët vareshin zinxhirët me kajdanët për prangosjen e duarve, këmbëve dhe belit të burgosurve.
Këtu nuk kish asnjë pajisje tjetër, përveç një grumbulli kashte që përdorej për të pushuar i burgosuri. Madje nuk kish asnjë shtamë me ujë, asnjë copë bukë të zezë. Skënderbeu i mbyllur në një qeli të tillë të ngushtë, ishte i zemëruar dhe i indinjuar. Megjithatë, kjo zemëratë i kaloi shpejt dhe mund të mendoje se vendin e saj e zuri frika para vdekjes, Por, jo aspak! Që të kuptosh se përse Skënderbeu nuk ju tremb vdekjes, se përse u qetësua shpejt, duhet të shkojmë në gjurmët e kalorësit djaloshar që i vërtiteshin në kokë mendime të ndryshme, të ngjashme me hapat që bënte në qelinë e burgut.
Të arrestuarit mendimet ju kthyen për ngjarje shumë të hershme, të ndodhura tridhjet vjet më parë, në fëmijërinë e tij, në shtëpinë e familjes së tij. Sepse, për të arrestuarin, shtëpia e dashur e familjes, atdheu i dashur nuk ishte Turqia, ashtu siç nuk ishte mbiemri i tij i vërtetë që mbante, sepse këtë mbiemër ja kish vënë padishahu.
Toka e origjinës së familjes të të arrestuarit tonë ishte Shqipëria, ndërsa emri i tij i vërtetë ishte Gjergj Kastrioti.
Deri në moshën nëntë vjeç, Gjergj Kastrioti rritej nën syrin e nënës së tij të dashur, në krah të të atit të tij të mënçur, prijësit shqiptar. Mësimet i merrte bashkë me tre vëllezërit e tjerë prej kapelanit të nderuar, fratit Pal. Frati Pal e edukoi djaloshin me
vlerat e krishtera. Nga veprat e të atit, më shumë sesa fjalët, ai mësoi detyrimet që kishte ndaj të afërmëve dhe atdheut të tij. Ndërkohë, e ëma i fliste djaloshit se Zoti e kish caktuar për të bërë vepra të mëdha, gjë që ja kishte thënë në ëndërr në çastin kur djalosi pa dritën e diellit.




Ky djalë u rrit në një mjedis të tillë. Kur mbushi nëntë vjeç, atdheun e tij e kërcënoi një rrezik i madh nga një armik i fuqishëm, nga turqit. Duke u vendosur në Europë, ata donin të kishin nën sundimin e tyre dhe të pushtonin gjithë botën. Në fillim nënshtruan shtetet e vegjël sllavë që kufizoheshin me Turqinë dhe një fat i tillë kërcënonte edhe Shqipërinë, sepse ajo kufizohej me Serbinë që kishte luftuar me Turqinë. Fuqia turke ishte e rrezikshme edhe për princin e Shqipërisë, Gjon Kastriotin. Para këtij rreziku, ai nuk donte të merrte mbi vete përgjegjësinë e plotë, prandaj thirri princat, prijsat dhe kalorësit më të shquar shqiptarë për t’u këshilluar me ta për mënyrën sesi të siguronin krahinën e tyre të vogël ndaj këtij armiku të fuqishëm.
Ky rrezik rezultoi të ishte më i afërt sesa e parashikonte princi shqiptar. Kjo, sepse armiku me një ushtri të madhe mbërriti deri në kufirin e Shqipërisë dhe vendosi një kamp të fuqishëm që nuk ta kapte syri.
Pra, e ashtuquajtura rrufe në qiell të hapur, ra në princat, prijsat dhe kalorësit shqiptarë që ishin mbledhur tek princi Gjon Kastrioti. Gjergji i vogël mësoi se lajmi i vendosjes së ushtrive turke në kufi me Shqipërinë, nën udhëheqjen vezirit të madh, kish trëmbur të gjithë.

A mos vallë forcat tona do t’i nënshtrohen fuqisë turke? A mos vallë vendi ynë i vogël do të mund t’u rezistonte këtyre armiqve të pamposhtur deri tani?
A mos vallë shqiptarët që banojnë në male të pakalueshme nuk janë në gjendje të luftojnë me armën e re, me “topat” (siç i quajnë kështu armatat). Këtë armë të tmerrshme shqiptarët nuk e kanë dhe mos vallë nuk do të jenë në gjendje të mbrojnë atdheun e tyre të dashur? Oh, jo, ata nuk janë në gjëndje t’i kundërvihen kësaj fuqie të madhe. Ata po i pret robëria tek paganët e tmerrshëm. Robëria është njëqind herë më e hidhur nga vdekja. Të parët e burrave shqiptarë ishin në dëshpërim.
Ndërmjet princërve të dëshpëruar, prijësve dhe kalorësve, ndodhej edhe frati Pal, me fytyrë të përulur që dukej si i shenjtë dhe filloi të ngrejë lart moralin. “Po dëshpëroheni, – tha ai – sikur të kishit harruar se përpara kini Zotin, i cili nuk harron për fëmijët tuaj. Me besimin tek Zoti, me ndërgjegje të pastër, me dashurinë për atdheun, kur ndodheni para forcave të mëdha të armikut, do të fitoni, ashtu siç fitoi fjala e Krishtit mbi paganët. Shigjeta e kalorësit të krishterë do të godasë paganët dhe do t’i mundë ata. Harruat se vendimet e Zotit për mendjen e njerëzve ndonjëherë duken si të pakuptimta dhe çështjet njerëzore i transmetojnë me rrugë të ndryshme, ku njerëzit janë mjete të vullnetit të Zotit”.


Duke dëgjuar fjalët frymëzuese të fratit Pal, Gjergji i vogël do të dëshironte të ishte në rolin e mjetit në dorën e Zotit, si shigjetë e kalorësit të krishterë për të goditur gjoksin e paganit mizor. Në rast se kjo nuk do të ishte e mundur, do të dëshironte të shihte armikun nga afër, i cili kish friksuar princërit e moshuar shqiptarë. Dhe për këtë ndodhi një rast për ta realizuar. Pikërisht, Gjon Kastrioti do të dërgonte njerëzit e vet me detyrë për ta informuar sesi do të vepronin turqit.
Me princërit donte të shkonte edhe ky djalosh, por atë e ndaluan. Për këtë ai u trishtua shumë, por mendimi për armikun e fuqishëm e shqetësonte pa pushim. Mendohej të paktën të ndodhej aty, pranë këtyre luftëtarëve të pamundur deri atëhere, për të parë edhe armën e re që e kishin futur në përdorim.
Përderisa turqit dinë të luftojnë kaq mirë, duhet të mësosh artin e tyre. Duhet të bindemi se ku mbështetet fuqia e tyre fitimtare. Këto mendime nuk e lejonin djaloshin të flinte. Prandaj, ai u ngrit nga shtrati, u vesh dhe vrapoi natën i vetëm drejt kufirit të largët.
Dita agoi kur djaloshi mbërriti në kufi dhe u bashkua me njerëzit që ishin dërguar nga princi, të cilët u çuditën sesi Gjergji kish ardhur aty. Përpara se ta pyesnin se ç’i duhej atij të vinte aty, ai tha me krenari:

-Erdha të shoh ushtritë turke.
Pas kësaj filloi të mbikqyrë nga larg kampin e ushtrisë turke. Dhe kishte çfarë të shihte!
Në kufirin me Shqipërinë kontrollonin rojet turke, pas tyre rreshtoheshin topat e fuqishëm me grykat e drejtuara nga territori i Shqipërisë që shkëlqenin nën dritën e diellit. Gjergji numëroi njëzet prej tyre. Ndërmjet ushtarëve që ndodheshin në kamp, ndriçonin çadrat e bardha, të cilat, si të thuash, formonin një qytezë të ngritur nga toka. Në qendër shpalosej çadra e vezirit të madh, e zbukuruar me qilima dhe në majë të saj, shpalosej flamuri i kuq me gjysmë hënën në ngjyrë floriri.

Djaloshi shikonte e shikonte, shqyrtonte, mendonte dhe bëri gjetje të zgjuara se njerëzit e gjysëm hënës ishin krenarë dhe i flisnin njeri-tjetrit.
-Flasin sikur të ishin pleq! Si luftëtarë me përvojë!
Gjatë kohës që Gjergji shihte në drejtim të turqëve, komandanti i tyre, veziri i madh Ibrahim pasha, filloi bisedimet me princin shqiptar. Ato zhvilloheshin si me një njeri të rënë nga froni, ndaj të cilit kundërshtari më i fuqishëm i kish futur thikën në fyt. Me peshën e tij, kampi turk i padukshëm shtypi Shqipërinë e vogël, e cila u detyrua të pranonte diktatin e vezirit të madh, që ishte një besnik në shërbim të padishahut.


Veziri i madh i premtoi paqe Shqipërisë dhe marrëdhënie të fqinjësisë së mirë me Turqinë, me kusht që, për të mos shkelur paqen, princi shqiptar Gjon Kastrioti, duhet t’i dorëzonte katër djemtë e tij si pengje tek Sulltanit, përfshi edhe Gjergjin e vogël, që në këtë çast ishte duke vrojtuar kampin turk.
Në pamundësi për t’i bërë ballë armikut që kishte në shpinë, princi shqiptar u detyrua të pranonte kushtet e vëna nga turqit.
Princ Kastrioti u detyrua të bënte sakrificën më të madhe për të shpëtuar Shqipërinë, duke u dhënë djemtë armiqve. Zemra e atit të mjerë sa s’po pushonte, ndërsa nëna lëshoi një rrëke lotësh. Por nuk kish asnjë zgjidhje tjetër. Sikur princi të mos pranonte këto kushte të diktuara nga veziri i madh, ushtritë turke do të sulmonin shqiptarët që në atë çast, por ata nuk ishin të armatosur dhe, për pasojë vendi do të mbulohej me përrenj gjaku.
Kështu që princi nuk mund të mos i pranonte kushtet. Kërkoi vetëm një gjë, që turqit, pas katër viteve, t’i jepnin djalin e madh që në atë kohë ishte katërmbëdhjetë vjeç.
“Jam i moshuar – tha princi – prandaj djali më i madh do të më duhet për ndihmë për të administruar vendin, sepse me kalimin e viteve po më lënë fuqitë”.
Këtë kërkesë, veziri i madh e pranoi me mirësi.
Pas kësaj, u desh që marrëveshja të vihej në jetë. Me lot në sy, gruaja e princit u përgatiti djemve gjithshka të nevojshme për rrugë.
Lotët e nxehta të nënës, djaloshi i ndjeu në fytyrën pas tridhjetë viteve, duke kaluar në atë çast nëpër ngushticat e burgut. Por në kujtesë i kishin mbetur jo vetëm lotët e nënës, por edhe dhembja për të atin, që përcillte djemtë për në kampin turk. Kujtonte sesi në çastin e ndarjes, kur veziri i madh duke respektuar dhembjen e të atit, e la atë për t’u takuar bashkë me djemtë, duke u gjunjëzuar dhe përfolur nxehtësisht lutjet në kohën kur ja dorëzoi djemtë Zotit për t’u përkujdesur. Këto kujtime i nxorën djaloshit lotë nga sytë, sepse atëhere pa të atin për herë të fundit dhe nuk do ta shihte më herë tjetër. I lodhur dhe i dërmuar nga fatkeqësitë, Gjon Kastrioti u nda nga jeta përpara se Gjergji të kthehej në atdhe.
Veziri i madh i dorëzoi pengjet e princit në oborrin e padishahut. Ai urdhëroi që djemtë e princit shqiptar të rrethohen me përkujdesje që as nuk e kishin menduar në shtëpinë e prindërve. Atyre u dhanë nga ushqimet më të përzgjedhura, nga ëmbëlsirat më të kërkuara, i veshën me rroba të reja dhe u krijuan kushte komode banimi. Pengjeve më të rinj në moshë nuk ju caktua asnjë lloj detyre dhe nuk i detyruan të merren me asnjë lloj pune. Kështu, djemëve ju dhanë liri të plotë.
Përse padishahu veproi në këtë mënyrë me pengjet shqiptare?
Pra, pse? Sepse padishahu mendonte se në varfërinë dhe në jetën monotone të princave shqiptarë, ata do të rriteshin në mjerim, si fëmijë fatkeqë. Tani ndodheshin në pallatin e padishahut, gjoja në portën e ferrit, ku u ishte shtrirë dora pagane.
Djemtë e shkëputur me forcë nga gjiri i familjes, në fillim i merrte malli, qanin, por me kalimin e kohës u përshtatën me mirëqenien dhe me komoditetein që u ishte krijuar. Por jo të gjithë u përshtatën. Përjashtim bënte Gjergji.
Në oborrin e padishahut, Gjergji nuk harroi çfarë i tha nëna për profecinë e çuditshme. I kujtohej se Zoti e kish përcaktuar për të bërë gjëra të mëdha. Vallë, a do të realizohej profecia e Tij – mendonte djaloshi – në rast se do të bënte mëkate. Kjo, sepse pikërisht turqit po e shtynin atë drejt mëkateve dhe makuterisë. Gjergji kujtonte shumë mirë mësimet e fratit Pal se dembelizmi dhe makuteria janë shtatë mëkatet kryesore.
I ulur pranë tryezës të mbushur plot e përplot me ushqime të shijshme, djaloshi zgjodhi prej saj ushqimet më të zakonshme. Pasi u ngop së ngrëni dhe së piri, u largua nga tryeza dhe shkoi në sallën e madhe për të gjuajtur me shigjetë, me qëllim që të stërvitej në përdorimin e armëve.
Përkujdesjen e Gjergjit për t’u ushqyer e kish detyrë një grua e moshuar, e cila e kish në vëzhgim djaloshin. Ajo quhej gjyshja Roza dhe respektohej shumë, sepse kish qenë dadoja e padishahut. Gjithashtu, ajo gëzonte edhe dashamirësinë e nxënësit të saj, Gjergjit. Duke parë tek princi nëntë vjeçar shqiptar forcën e madhe shpirtërore, ajo ndërhyri tek padishahu që Gjergji të edukohej ndryshe nga vëllezërit e tjerë. Padishahut i duheshin njerëz të fortë, prandaj ajo i tha atij se pikërisht një njeri i tillë, do të bëhej padyshim edhe princi më i vogël shqiptar. Padishahu e dëgjoi dadon, sepse respektonte mendimin e saj.
Pas pak kohe, nga pallati i Muratit II, u zhdukën gjyshja Roza me Gjergjin. Zhdukja e Gjergjit u bë në mënyrë sekrete ndaj vëllezërve të tjerë të tij, më të mëdhenj në moshë.
Ndërkohë Gjergji, nën përkujdesjen pothuajse amësore të gjyshe Rozës, u edukua veçmas. Atë e rrethuan me mësues nga më të mirët. Prej tyre mësoi nga librat e shkencës më të avancuar si dhe artin ushtarak. Për të pirë i jepnin qumështin e tigreshës, me qëllim që të bëhej i fortë si tigri. Luftëtarë të tillë të tmerrshëm donte të edukonte padishahu.
Sikur të mos ishte malli për prindërit, vëllezërit dhe atdheun, me kushte të tilla, Gjergji mund të ndihej i lumtur.
Mësonte, punonte dhe stërvitej dhe tani nuk kishte tundim për të luftuar. Në sarajet e padishahut, djaloshit i servinin gjithmonë ëmbëlsira joshëse. Vetëm një gjë i dhëmbte djaloshit, se nuk flisnin më për Zotin e krishterë dhe në vend të Tij e mësonin për të nderuar Allahun.


Ndonjëherë, gjyshja Roza i fliste djaloshit për Zotin e krishterë, por këtë e bënte me shumë kujdes, duke vëzhguar me drojtje rreth e rrotull.
Duke dëgjuar gjyshen Roza për herë të parë që i fliste për Zotin e krishterë, ai u çudit shumë, sepse mendonte se ajo ishte turke. Pastaj, djaloshi i mençur mendoi se ajo duhet të ishte e krishterë, ashtu si edhe ai, por, me sa duket, turqit e detyruan që ajo të respektonte Allahun.
Gjergji u rrit dhe u zhvillua si burrë. U rrit dhe u bë një udhëheqës i shquar ushtarak, shpesh herë fitoi beteja luftarake me popuj të ndryshëm, me të cilët kish luftuar perandoria Osmane.
Me dëshirën e Muratit II, Gjergjin e quajtën Skënderbe dhe po me dëshirën e padishahut, princi më i ri shqiptar qëndronte më shpesh në pronat turke aziatike.
Atë e mbanin sa më larg Shqipërisë, sepse padishahu donte që Gjergji ta harronte atdheun e vet. Mendonte se, duke qënë kaq larg , atij nuk do t’i shkonte asnjë lajm për atdheun. Dhe me siguri, atij nuk do t’i shkonte asnjë lajm nga atdheu dhe familja sikur të mos ishte gjyshja Roza. Në fillim edhe ajo asnjëherë nuk i foli atij për vëllezërit dhe atdheun, por kur djaloshi u burrërua, ajo i solli lajmet e para për shtëpinë dhe atdheun, por ato ishin lajme të tmerrshme.
Dhe konkretisht, djali më i madh i princit Kastrioti, mbushi moshën që, sipas marrëveshjes, duhej të kthehej në Shqipëri, dhe ai u kthye. Ai u kthye për të treguar se padishahu e mbajti fjalën. Por të atit i dhanë trupin e vdekur të djalit më të madh. Djali kish vdekur nga helmi i dhënë nga një dorë tradhëtari. Princit Kastrioti i thanë se ai vdiq nga një sëmundje e rëndë dhe padishahu me mirësinë më të madhe po ua dërgon trupin e djalit prindërve, me qëllim që të prehet në varret e familjes.
Të njëjtin fat pati pas disa viteve edhe djali i dytë dhe më pas djali i tretë.
Atëhere kur princi Kastrioti i dërrmuar nga mosha dhe i frikësuar se nuk mund të mbronte Shqipërinë, ajo u pushtua nga Turqia.
Megjithë këto, padishahu vazhdonte ta trajtonte me mirësjellje Skënderbeun, duke e quajtur atë me përkëdheli si djalin e tij. Me përkëdheli dhe mirësjellje padishahu e trejtonte Gjergjin, sepse kishte nevojë për krahun e fuqishëm të djaloshit shqiptar, i cili, sipas pikëpamjes të padishahut, duhet të harronte origjinën e tij dhe të kujtonte vetëm mirësitë dhe privilegjet e shumta që padishahu i kish dhënë.
Megjithatë, Gjergji, e kujtonte atdheun e tij të robëruar. Ai kujtonte padrejtësitë që i ishin bërë familjes dhe vetë atij dhe për këtë priste rastin që të mos pranonte mirësitë e padishahut, të cilat djaloshin e digjnin si hekur i nxehtë. Ai priste që të çlironte atdheun e vet dhe në këto çaste që ndodhej i arrestuar në Buda, po mendonte se pikërisht tani erdhi çasti për të vepruar. Ai dinte se historia e Shqipërisë dhe historia fatkeqe e familjes së tij, ishin të njohura për hungarezët. Këto ia kish treguar gjyshja Roza, që ishte serbe nga origjina, por e marrë dikur në robëri prej turqëve. Ajo e edukoi Gjergjin me zgjuarsi, që të bëhej një burrë trim dhe çlirues edhe i popujve sllavë të robëruar nga turqit.
Duke u vërtitur në korridoret e ngushta të burgut të Budës, Gjergji mendonte se nuk do t’i ndodhte asnjë gjë e keqe nga hungarezët, prandaj ishte i qetë.
Vijon
*Përgatiti Leonard Zissi


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.