KULTURË

Rama: Reshat Arbana do Teatër të ri, Luarasi: Amaneti i babait ta mbroja

10:15 - 05.08.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ka vijuar edhe dje këmbëngulja e kryeministrit Rama për shembjen e Teatrit Kombëtar. Megjithëse ligji special është kthyer nga presidenti për shkelje ligjore, e në mungesë të Gjykatës Kushtetuese qeveria ka vijuar qëndrimin e saj për një teatër të ri me PPP që parashikon tjetërsim të truallit publik.
Dje kryeministri ka cituar atë që e ka cilësuar një nga idhujt e publikut shqiptar, aktor i gjeneratës së yjeve të një kohe kur mjeshtëria artistike i jepte kuptim kornizës së absurdit socrealist. “Reshat Arbana i përket historisë së skenës e të ekranit. Por raportin me vlerat e historisë dhe respektin për mjeshtrit e skenës, ai nuk e sheh aspak të lidhur me muret prej tallashi të karakatinës së sotme të Teatrit Kombëtar. Përkundrazi, njësoj si të tërë artistët e vërtetë të skenës, aktori i madh mbështet prej shumë kohësh ndërtimin e Teatrit të Ri Kombëtar, në hapësirën ku i vjetri e ka kryer dhe humbur përfundimisht funksionin e tij”, shkruan kryeministri dhe më tej citon.




“RESHAT ARBANA: Të bëhet një teatër i mirë dhe t’i lëmë ata aktorë të ushqejnë me emocione popullin. Të shohim një teatër që të ngacmojë spektatorin në zemër!”,-ka thënë ai sipas shefit të qeverisë

DJALI I MIHAL LUARASIT
MES PROTESTUESVE
Edhe këtë fundjavë, ashtu si një vit rresht, Eldon Luarasi, po i bashkohet grupit të artistëve dhe qytetarëve që kujdesen për ndërtesën historike të Teatrit Kombëtar. Në një intervistë për VOA, djali i dy artistëve të njohur shqiptarë, Edi dhe Mihal Luarasi, po proteston midis kolegëve dhe fansave të prindërve të tij, duke kërkuar restaurim të Teatrit Kombëtar dhe jo mbushjen e zonës me kulla shumëkatëshe. Eldoni thotë se këtë angazhim për Teatrin e ka porosi nga prindërit dhe përpiqet ta plotësojë, duke protestuar prej më shumë se një viti në sheshin e kompleksit teatror dhe madje duke e gdhirë me pjesëtarët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, për ta ruajtur edhe natën nga dëmtimet.

“Vitet e fundit ka ndodhur një bjerrje e arteve shqiptare dhe babai im ka qenë një kritikët më të zëshëm dhe një nga kundërshtarët e këtyre politikave kulturore. Ndaj të përdorësh emrin babit tim, Mihal Luarasi, për të mbështetur të kundërtën e mendimeve të tij është një akt shumë i shëmtuar” – thotë Eldon Luarasi.
Ai shton se për shumë vite është redaktor i gjithë shkrimeve publicistike dhe librave të babait, i di përmendësh qëndrimet e regjisorit të njohur edhe nga tekstet e shkruara edhe nga bisedat e gjata me të në një intervistë për VOA.

“Mihal Luarasi ka thënë se Teatri Kombëtar duhet ruajtur, duhet përkujdesur, por kurrë nuk ka thënë se duhet rrëzuar kjo ndërtesë historike. Mihal Luarasi ka thënë se Tirana ka nevojë për teatro të rinj në hapësirat e shumta që ka përreth” – theksoi Eldoni. Mihal Luarasi është një nga regjisorët më të njohur shqiptarë, por ai u burgos nga regjimi komunist për shfaqje liberale në arte, duke marrë nga shkas nga drama “Njollat e Murrme”. Gjyqi i tij tronditi qarqet artistike dhe mbahet mend edhe sot nga artistët shqiptarë.

“Ne atëherë ishim studentë, dhe një shoku ynë Fadil Kujovska arriti të hyjë në sallën e gjyqit të Mihal Luarasit dhe doli i shfytyruar prej gjendjes që e pa Mihalin atje. Më vonë e takuam kur doli nga burgu dhe kemi bërë përkujtimore për veprat e Mihal Luarasit. Mendoj se profesor Luarasi është një nga regjisorët më të suksesshëm të arteve shqiptare së bashku me mjeshtrit Pirro Mani, Kujtim Spahivogli, Pandi Stillu, Andrea Malo, Esat Oktrova bënë historinë e regjisurës shqiptare. Ai do të mbetet një nga majat e larta të regjisurës shqiptare” – tha regjisori Edmond Budina.
Ndërsa Edi Luarasi është një nga aktoret e njohura të skenës dhe filmit shqiptar. Ajo u dënua bashkë me shumë artistë të tjerë për shfaqjet borgjeze e liberale gjatë festivalit të 11 këngës.

“Bashkë me Bujar Kapexhiun, Edi Luarasi ishte në Festivalin e 11 të Këngës një prezantuese e shkëlqyer. Ai festival ishte një gëzim i hidhur për të gjithë, sepse të gjithë u dënuan. Edi Luarasi i dha rinisë shqiptare në atë kohë një kurajë dhe një madhështi të rrallë në atë kohën e saj” – thotë Natasha Çipi, një veprimtare e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar.
Por dje Justina Aliaj, një tjetër artiste e dënuar nga regjimi komunist, ngriti në skenën e Teatrit Kombëtar të kërcënuar nga shembja dramën “Mbretëresha”, një vepër nga Rexhep Qosja, të cilën nisi ta përgatiste me Mihal Luarasin afro 30 vjet më parë.

“Këtë vepër që e ngremë në skenën e Teatrit Kombëtar e nisëm ta punojmë me Mihal Luarasin 30 vjet më parë. Erdhi te shtëpia për të nisur punën me dramën, por atë natë u arratis Ismail Kadare. Sapo nisëm provat, kur u dëgjua lajmi nga radio dhe Mihali nuk mundi ma të punojë. Po iki, tha. Nuk mundem. Sapo është arratis Ismail Kadare” – kujtoi artistja Justina Aliaj në një intervistë për VOA.
Pas burgosjes së babait Eltoni dhe motra kaluan një jetë të vështirë, dhe u privuan nga shumë liri e të drejta njerëzore. Por ai asnjëherë nuk u nda nga pasioni për artet, sidomos tani kur bijtë e regjimit komunist, siç thotë, që dikur i dënuan babanë, sot po përpiqen të shembin Teatrin Kombëtar, duke shtrembëruar fjalët e të atit.

“Kjo më solli një indinjatë të madhe, sepse keqpërdorimi i emrit të një familjarit tënd, sidomos kur ti i di vet shumë mirë mendimet e tij, është e shëmtuar nga ana e pushtetit dhe nga ana e kryeministrit, i cili po përdor shumë emra, nxjerr fraza jashtë kontekstit pa pasur respekt për një njeri që ka vdekur dhe që nuk mundet as të përgjigjet e as ta kundërshtojë në fjalët e tij. Kjo më shkaktoi një nervozizëm të thellë” – thotë Elton Luarasi.

Shumë nga njerëzit që vijnë në protestë janë figura të njohura në profesionet e tyre, shkrimtarë, poetë, profesorë, arkitektë, piktorë dhe shumë studentë. Me gjithë larminë e shkollimit të tyre, ata i bashkon bindja se pas 80 vjet jetë artistike, kompleksi i Teatrove Kombëtarë mund të jetojë edhe 100 vjet të tjerë me një restaurim të thjeshtë.

“Protesta është shenja dhe shembulli më i bukur që mund t’i jepet shoqërisë shqiptare se në cilin drejtim duhet të ecë dhe të largohet nga gjithë imazhet negative që kemi patur në 30 vitet e fundit. Këtu janë mbledhur ajka e shoqërisë, intelektualë e artistë, njerëz të gjithë profesioneve, që kalojnë këtu ditë të tëra e net, dhe që japin mësime, nga duhet të mësojë politika jonë” – thotë shkrimtarja Lindita Komani.

Dhjetëra e qindra qytetarë po protestojnë në mbrojtje të Teatrit Kombëtar qysh nga shkurti i vitit të kaluar, pra afro 18 muaj, dhe tani kanë dy javë që gdhijnë pranë ndërtesës, ku zyrtarët kanë hequr edhe ujin dhe ndriçimin. Qeveria thotë se po e zhvillon zonën, duke ndërtuar një teatër të ri, por shumëkush e di tani se prapa kësaj qëllimi i vërtetë është ngritja e një seri kullash shumëkatëshe private, që do të mbulojnë gjithë truallin publik ngjitur me Teatrin Kombëtar.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.