OPINION

Fati i presidentit amerikan dhe atij shqiptar

07:20 - 30.09.19 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Më 25 shtator 2019, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, Nensi Pelozi nisi procedurat për largimin (fjala në anglisht “empeachment”, shqiptohet “impiçmënt”) e Presidentit Tramp, në bazë të Nenit 2, Kapitulli i Katërt i Kushtetutës Amerikane. Ky kapitull flet se kreu i shtetit mund të largohet nga detyra  për “tradhti, ryshfet, apo krime dhe shkelje të tjera të larta”. Kushtetuta nuk e përcakton qartë cilat janë këto raste. Dhoma e Përfaqësuesve nuk ka mundësi ta shkarkojë e vetme Presidentin. Ajo vetëm mund t’ia propozojë shkarkimin Senatit amerikan. Kushtetuta i jep të drejtën Senatit amerikan të largojë Presidentin nga detyra. Për këtë, Senati, në një proces që i ngjan një gjyqi të mirëfilltë, duhet të vendosë me dy të tretat e votave (janë 100 senatorë) që të shkarkojë Presidentin. Deri tani në historinë 240-vjeçare të demokracisë amerikane, janë hapur dy procedura shkarkimi (ish-Presidenti Nikson në vitin 1974 dha dorëheqjen, përpara se sa t’i hapej procedura e largimit). Një në vitin 1868 ndaj ish-Presidentit Endrju Xhonson dhe një në vitin 1998 ndaj ish-Presidentit Bill Klinton. Në të dyja rastet, Senati Amerikan i kundërshtoi akuzat e Dhomës së Përfaqësuesve dhe votoi për qëndrimin e tyre në detyrë. Nëse ndaj ish-Presidentit Klinton rëndonin akuza për gënjeshtër nën betim ndaj hetimit të një skandali marrëdhëniesh seksuale me një ish-vullnetare në Shtëpinë e Bardhë, tek Presidenti i sotëm Tramp mund të rëndojnë akuzat e vonimit me qëllim të ndihmës ushtarake të SHBA-ve ndaj Ukrainës prej 250 milionë dollarë, në këmbim të “ndihmës” ukranase për të gozhduar rivalin e mundshëm të Presidentit në garën zgjedhore të vitit të ardhshëm. Ky rival quhet Xho Bajden dhe djali i tij Hantër Bajden deri një vit më parë ka qenë anëtar bordi i kompanisë ukranase të gazit “Burisma Holdings”, të regjistruar në Qipro. Një kompani që dyshohet për shmangie taksash dhe akte korrupsioni në Ukrainë.




Në telefonatën e tij me Presidentin e Ukrainës Volodimir Zelenski në korrik 2019, Presidenti Tramp e ka përsëritur tetë herë kërkesën për ta ndihmuar në hetimin ndaj Bajdën. Ndoshta, sikurse ndodhi me ish-Presidentin Klinton, hapja e procedurave për largim nga detyra(“empeachment”) mund t’i ndihë Presidentit Amerikan Tramp në rritje të mbështetjes popullore ndaj tij. Mbështetje e cila në këto momente, sipas testimeve (anketave) është vetëm 44 për qind përmes amerikanëve. Shkarkimi i tij i vërtetë duket mision i pamundur, ngaqë Senati ka si shumicë senatorët republikanë, nga partia që e kandidoi. Megjithatë, procedurat mund të zgjasin edhe 10 muaj, derisa të arrihet në një votim në Senat. Po fati i kreut tonë të Shtetit? Ngjashmëria mes fateve të të dy kryetarëve të shteteve qëndron në kohën që procedurat e nisura nga Kuvendi në mes të qershorit të këtij viti, mund të kërkojnë. Ndoshta po aq muaj sa sprova për largimin e kreut të Shtetit amerikan. Po mundësia e shkarkimit të vërtetë? Për të gjykuar për këtë vullnet të fortë politik të partisë që sot i ka të gjitha, le të lexojmë një paragraf interesant të draft-opinionit të Komisionit të Venecias, që i erdhi Kuvendit më 27 shtator 2019. Ky opinion prej 18 faqesh është ndërtuar si një bashkësi 102 pikash, ku Komisioni i njohur botërisht parashtron faktet dhe jep gjykimet e veta. Në pikat e fundit 100-102, Komisioni i Venecias i jep një rekomandim mes rreshtash Kuvendit tonë: “100.

Siç përcaktohet në këtë opinion, një numër faktorësh tregojnë se ky(veprimi i kreut të Shtetit) nuk ishte i një karakteri të tillë të domosdoshëm për të vërtetuar një shkelje serioze. Kjo ka të bëjë veçanërisht me thirrjet e kreut te Shtetit për dialog, me pritshmërinë që shtyrja e zgjedhjeve do të kontribuonte në arritjen e një kompromisi midis palëve, me mungesën e një ligji që rregullon saktësisht kompetencat e Presidentit, me mungesën e ballafaqimit të drejtpërdrejtë të Dekreteve të Presidentit përpara një gjykate, si dhe me statusin kushtetues të zgjedhjeve vendore në krahasim me zgjedhjet parlamentare. 101. Të marrë së bashku, të gjithë këta elementë çojnë në përfundimin që, megjithëse kreu i Shtetit tejkaloi kompetencat e tij kushtetuese, duke anuluar dhe shtyrë zgjedhjet lokale përtej mandatit zgjedhor të autoriteteve lokale, pa një bazë të veçantë ligjore, sidoqoftë, elementet e paraqitura më lart mund të çojnë në përfundimin se këto akte nuk mund të kenë qenë të një natyre serioze të mjaftueshme për të garantuar një procedurë shkarkimi të Presidentit. 102. Më në fund, edhe sikur të vërtetohej serioziteti i shkeljeve, kjo nuk do të duhej të çonte domosdoshmërisht në shkarkimin e Presidentit…” Po çfarë duan të shprehin mes rreshtash këto mendime? Që, sikurse e thotë një fjalë e urtë latine, “është e mirë gjithçka që përfundon mirë”. Me fjalë të tjera, Komisioni i Venecias kërkon të thotë se përderisa zgjedhjet e 30 qershorit u zhvilluan pa incidente, duke parë synimet vullnetmira në dukje të kreut të shtetit, ndërsa bënte shkeljet (e vërtetuara nga Komisioni) të Kushtetutës, këto shkelje mund të mos jenë aq të rënda sa të justifikojnë shkarkimin e kreut të Shtetit shqiptar. Arsyetimi synon të bindë partinë në fuqi(që i ka të gjitha praktikisht sot: edhe pushtetin qendror, edhe pushtetin vendor), Partine Socialiste se pragmantizmi(të qenit praktik) politik sot mund t’ia kërkojë ta lejë punën me një paralajmërim të fortë të komisionit parlamentar të ngritur për të hetuar veprimtarinë e Presidentit, ose ta shtyjë pafundësisht si procedurë, duke ia lënë kreut të Shtetit shkarkimin si Shpatë e Damokleut mbi kokë. Po a do të bindet kjo parti?

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.