KULTURË

Hëna e mjegullës në kronikat e mjegullës

11:08 - 04.10.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Luan Rama – Është bukur kur dhe mjegulla kthehet në një personazh romanesk, ashtu siç mund të kthehet shiu në një film të Kurosavës, era, balta apo dielli i fortë i një shkretëtire me mirazhet që të krijon.
Duke lexuar librin e Bashkim Hoxhes, “Kronikat e mjegullës”, nuk di pse titulli mu ngatërrua në mendje: thosha “Hëna e mjegullës” pasi personazhi kryesor është një vajzë që quhet Hëna, jeta e së cilës kalon, gjatë një gjysmë shekulli si nëpër mjegull, nga koha kur ishte 16-vjeçare dhe u zhvirgjërua me dëshirën e saj tek sarajet e Abaz beut gjatë kohës së Pavarësisë e deri në fillim të pasluftës, kur kjo tokë me kaq mjegull, erëra, bëma e plagë, më së fundi e ktheu kokën nga Lindja. Një regjisor rus shfaqet në Shqipëri me interesin për të realizuar historinë e jashtëzakonshme të Zaho Kokës, të asaj dashurie klandestine të dy partizanëve që përfundoi në dy vrasje, në dy vdekje.
Në letërsitë e bukura dhe interesante, autorët e njohur përqendrohen në krijimin e një apo dy personazheve, çka e shohim më së mirë dhe në romanet e Garzia Markez. Edhe pse një kronikë jetësore, ky roman fillon e mbaron me Hënën, një femër sensuale, me nënën valltare e një grupi ahengxhinjsh që shëtisin në jugun shqiptar me të dashurin e saj violinist, një përdhunues me damkë, që është njëkohësisht njerku i Hënës. Pas zhvirgjërimit të Hënës, çka ajo donte të ishte një festë e vërtetë, përvijojnë në roman një sërë personazhesh të tjerë e ngjarjesh gjersa në kohën e Luftës Dytë Botërore, Abaz beu shkon me gjermanët, ndërsa Hëna bëhet bazë e luftës partizane ku jo rrallë shkon dhe i ulet në sofër Enver Hoxha. Autori e ndërton historinë jo siç ka ndodhur (meqë gjithnjë ka pasur shumë mjegull) por siç e sheh dhe e jeton personazhi i tij. Është një afresk më vete, ashtu siç mund të krijohen shumë afreske të tjera me një tjetër optikë rreth historisë shqiptare, një histori personale e dyzuar me historinë nacionale. Një afresk me Hënën në krye, ku mjegulla simbolike është gjithnjë e pranishme. Dhe Hëna kështu na bëhet një personazh simpatik, me një gjuhë figurative dhe popullore, plot këngë dashurie mejhanesh që e shoqërojnë. Dhe gjithnjë autori i përshkruan personazhet dhe ngjarjet plot humor çka na bën të qeshim. Një afresk personazhesh e epokash: ushtarë turq që s’kthehen mërzitshëm drejt Turqisë, ngritje flamujsh andej-këndej, bejlerë që bëhen deputetë, presidenti që bëhet mbret, krushqi me gra austriake, pinjollë të aleancës, çingije aq të dashura për autorin dhe më pas lufta…


Personazhet në libër bëjnë shumë dashuri. Madje dhe ditën e fundit të tyre, siç na thotë dhe një personazh: “Nuk ka si dashuria e fundit në krevat. Është si puna e të vdekurit që para se të ikë, bëhet edhe njëherë i bukur, i hip ai nuri që quhet nuri i vdekjes”. E kjo duket si porosi që na jep autori neve dhe vetes së tij!

ROMANI MBI VITET 1930

“Kronikat e mjegullës”, i cili është një sagë e ditëve tona. Autori godet me mjaft mjeshtri, guxim dhe sfida idhujt tonë të përditshëm. Ky roman është vlerësuar si një shtegtim i bukur narrativ sesi ne shqiptarët të njohim më mirë vetveten. Me një rrëfim të zhdërvjellët dhe shpesh ironik, romani zbret në vitet ’30 të shekullit XX, duke sjellë një histori shqiptare me dritëhijet e saj që depërton në psikologjinë e shoqërisë sonë, e siç thotë autori, riciklon veten. Përmes historive njerëzore që trajton, romani kapërcen kohët dhe kthehet në një ftesë të hapur për të rishkruar historinë e shpërndarë mjegullën që e rrethon atë. Është një metaforë që tregon të vërtetat dhe të pavërtetat e historisë sonë. Historinë e trukuar e të retushuar. Libri është një ftesë për të riparë historinë tonë me realizëm dhe për t’i thënë të vërtetat drejt e në sy. Edhe pse jo qëllim në vetvete i autorit, romani sjell dhe një disbalancë gjinore të kohës. Realitetet e mesazhet shtrihen në kohë, duke i kapërcyer vitet ’30 në të cilat vendosen ngjarjet. Është rastësore dhe ka ardhur si pasojë e vështrimit realist të vetë shoqërisë shqiptare në shekullin XX, e cila në rreshtin e parë ka pasur gjithnjë burrat.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.