BLUETOOTH

“Nga Tirona në Elbason”, Valbona Halili në një udhëtim muzikor, falënderuese publikut për suportin

17:04 - 04.10.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Egla Xhemali – Zëri i saj ka rrokur në endje të ngrohta publikun shqiptar. Prej shumë vitesh në skenë, ka arritur të krijojë atë imazhin e saj, që sa vjen dhe e duan më tepër, si dhe të jetë po aq dashamirëse sa në përditshmëri. Mes duartrokitjeve të merituara, punës së palodhur për të gëzuar dëgjuesit besnikë të saj në koncerte apo organizime familjare, ajo ngelet po ajo, artiste në shpirt dhe natyrisht, profesioniste e zonja. Valbona Halili vjen në një rrëfim për “Gazeta shqiptare”, për të na njohur me të veçantën e këngës së fundit, si dhe për të na zbuluar disa detaje që nuk i dinim. Për të rezistuar në tregun e madh muzikor, patjetër që duhet të sjellësh produksione të mira. Këtë betejë Halili e ka fituar prej kohësh tanimë. Puna, këmbëngulja dhe thjeshtësia janë çelësi i suksesit të këngëtares e mesa duket, ato do të jenë bashkëshoqëruese të udhës së gjatë nëpër të cilën Valbona do të shënjojë një kapitull të ri të muzikës së mirë.




Valbona, kënga që pritet të dalë shumë shpejt, të cilës ti i ke përfunduar edhe xhirimet, është një produksion i të madhit Edi Balili, a është ai hitbërësi i vërtetë i këngëve të tua?

Mendoj se ju i thatë të gjitha, Edi Balili është kompozitori që bën kryevepra. Kemi realizuar edhe një klip mjaft profesional me “Max Production”. Kënga mban titullin “Nga Tirona në Elbason”.

Pra, duhet të presim një “bombë” tjetër nga Valbona Halili?

Valbona Halili ka bërë, bën dhe do të bëjë maksimumin që kënga dhe klipi të vijnë të kuruara deri në detaje. Ia kam borxh publikut, që më ka suportuar dhe më suporton prej vitesh. Kënga do jetë sigurisht e Shqipërisë së Mesme, por ju premtoj që është shumë e realizuar!

Veç ekranit, ti je e pranishme edhe nëpër dasma e gëzime të ndryshme familjare. Vjen një moment kur e gjitha kjo merr edhe emrin “rutinë”, duke qenë edhe se sa u mbyll sezoni veror?

Jo edhe aq. Dasmat janë aq të shumëllojshme, saqë nuk i ngjajnë njëra-tjetrës. Në këtë mënyrë kam fituar një lloj rregulli, por jo rutinë. Është punë e bukur dhe deri më tani s’më është krijuar ende rutinë.

Ka ndodhur që për hir të tyre, të kesh sakrifikuar një pjesëmarrje në koncert?

Po, ka pasur raste. Jam nga ata persona që e mbajnë fjalën dhe premtimi që i kam dhënë çiftit që ditën më të bukur të jetës së tyre unë do të jem e pranishme, më ka bërë ndonjëherë të sakrifikoj projektet e mia muzikore, vetëm e vetëm që të jem korrekte me ta.

Është një skenë e vogël për ty edhe ajo e dasmave?

Po, sigurisht. Në atmosferën e dasmave ka të bëjë shumë bashkëpunimi me njerëzit që janë të ftuar. Duhet shpeshherë që të kërcesh, të buzëqeshësh e më pas të gëzosh me ta dhe unë këtë gjë e bëj me shumë dëshirë, sikur të isha në një skenë të vërtetë.

E përshtat repertorin me natyrën e festës dhe vendin ku organizohet ajo, apo repertori yt është posaçërisht i tillë?

Këngëtari është si një psikolog. Nëse unë do të shkoj me synimin se audienca duhet të më përshtatet mua, betejën e kam të humbur. Më duhet të qëmtoj me shumë imtësi preferencën e audiencës, dëshirën e rrymës muzikore që ajo preferon, më pas mundohem ta përshtat repertorin sipas të të gjitha kërkesave që më bëjnë.

Sa kohë më parë të kontaktojnë personat që duan të të kenë në festat e tyre?

Muaj më përpara, pasi mund të ndodhë që për të njëjtën ditë mund të kem më shumë së 10 kërkesa.

Cili është çelësi i çdo suksesi?

Puna, këmbëngulja dhe thjeshtësia e të bërit të gjërave.

Po të tjerët me ty?

Disa prej tyre nuk janë edhe aq, por nuk e vë re shumë këtë gjë.

Të qenit person publik të ka bërë të kushtëzohesh në gjëra të tipit kujdesje qoftë edhe për veprimin më të parëndësishëm apo për çdo fjalë që thua me qëllimin për t’u dukur mirë në sytë e të tjerëve?

Kujdesem shumë për veten. Jam shumë kritike ndaj çdo gjëje që bëj, them dhe veproj. Mundohem të kem një pamje sa më të mirë nëpër intervista, kur bëhet fjalë për dalje në televizion, të zgjedh fjalët me anë të të cilave të komunikoj sa më thjeshtë me publikun dhe të më kuptojnë e të kem një kërkesë të vazhdueshme të përkujdesem ndaj vetes.

Do të ishte bashkëkohore edhe të ndryshoje llojin e muzikës që këndon?

Nëse do t’i bëja disa modifikime një kënge popullore të kënduar vite më parë, por pa e ndryshuar mirëfilli atë dhe pa e nxjerrë nga tradita, të siguroj që mund të jem bashkëkohore.

Ndjen ndonjë fije nostalgjie për muzikën operistike?

Po, ndjej nostalgji, pasi ka qenë dhe fillimi i rrugës sime drejt artit, meqenëse kam studiuar për kanto. Edhe pse karriera ime muzikore ka marrë drejtim tjetër, drejt muzikës popullore, më merr malli herë pas herë për muzikën operistike.

Gjatë karrierës tënde ke thënë më shumë “po” apo “jo”?

Vdiqa dukë thënë vetëm “po”… (qesh)

Çfarë do të thotë për ty të jesh e pasur në shpirt?

E di që është përdorur shumë si shprehje, por për mua të jesh e pasur në shpirt do të thotë të jesh mirënjohës, të falësh dashuri dhe të thuash fjalë të mira për njerëzit që të rrethojnë. Nuk ka rëndësi nëse e merr mbrapsht apo jo, rëndësi ka që këto vlera njerëzore nuk i ngatërron me paranë. Po hyri paraja në mes, çdo gjë merr kuptim tjetër.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.