KULTURË

“Për të vërtetën mbi të shkuarën dhe pajtimin e njerëzve me historinë e tyre”

11:30 - 04.10.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe Agjencia Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar në Tiranë (SIDA) zhvilluan në mjediset e reja të ‘Autoritetit’, pranë Ministrisë së Mbrojtjes, ceremoninë e prezantimit të projektit të bashkëpunimit për rikonstruksionin e ndërtesës së AIDSSH-së dhe shërbimeve TIK për krijimin e një arkive moderne. Në praninë e përfaqësuesve të ambasadës suedeze dhe të Agjencisë Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar në Tiranë, trupit diplomatik, organizatave ndërkombëtare në kryeqytet, institucioneve publike, qendrore e lokale, shoqatave të të drejtave të njeriut dhe të përndjekurve politikë, përfaqësuesve të universiteteve dhe institucioneve kërkimore në vend, përfaqësuesve të institucioneve homologe me të cilat AIDSSH bashkëpunon që prej krijimit, u prezantua projekti i ndërtesës dhe ndërhyrjet e mëdha të pritshme për një godinë me infrastrukturë bashkëkohore e kushte moderne për ofrimin e shërbimeve qytetarëve dhe studiuesve. Sipas kryetares së ‘Autoritetit’, Gentiana Sula: “Qëllimi ynë është krijimi i kushteve optimale me standardet teknike të një arkivi europian, me rëndësi historike për brezat që vijnë, që plotëson edhe kushtet e sigurisë, sipas ligjeve në fuqi. Ndihma e qeverisë suedeze vjen pas një pune shumë të imët dhe profesionale për hartimin e një projekti të plotë e produktiv që, duke plotësuar këto standarde, synon edhe krijimin e kushteve më të mira për bashkëpunimin me shtresat e prekura, studiuesit, si dhe qytetarët e grupmoshave të ndryshme, të etur për të mësuar përmes formave më bashkëkohore të edukimit historik për demokraci dhe paqe”.




Mandej, Elsa Håstad, ambasadore e Suedisë në Shqipëri theksoi se: “Arkivat duhen për të gjetur të vërtetën mbi të shkuarën dhe për të pajtuar njerëzit me historinë e tyre. Hyrja në materialet arkivore do t’u kthejë njerëzve dinjitetin dhe unë ndihem krenare që vendi im, Suedia, mund të bëhet pjesë e këtij hapi të rëndësishëm”. Bashkëpunimi me SIDA-n në Tiranë zuri fill një vit më parë, pas vizitës në arkivat e institucionit, të partnerëve dhe përfaqësuesve diplomatikë të interesuar të mbështesin drejtësinë tranzicionale në vend dhe shoqatat e të drejtave të njeriut. Kushtet e vështira në të cilat ushtron veprimtarinë e vet ‘Autoriteti’, me dy vendruajtje arkivore pranë SHISH e IPQP dhe kushtet e papërshtatshme të ndërtesës ku do të vendoset institucioni që ditë pas dite zbardh të shkuarën, si dhe nevoja për ndërhyrje të mirëmenduara, u bënë pjesë e bisedimeve të vazhdueshme me ambasadën suedeze. Përgjatë një viti të ngarkuar u punua për vendosjen e bashkëpunimit të qëndrueshëm dhe transparent mes Agjencisë Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar në Tiranë (SIDA) e AIDSSH, me fokus krijimin e kushteve bashkëkohore të punës, me arkiva të standardeve moderne, zyra pune dhe mjedise për hulumtim shkencor, bibliotekë e sallë ekspozitash.

Ceremonia e shpalljes së këtij bashkëpunimi përmbyll fazën e gjatë përgatitore që u finalizua me marrëveshje dhe u hap dritën jeshile punimeve për rikonstruksionin e ndërtesës, shërbimet TIK për krijimin e një arkive moderne, për të ofruar kushtet e pritshme për kërkim, hulumtim shkencor dhe aktivitete në mbështetje të dialogut shoqëror mes grupmoshave të ndryshme, në kuadër të edukimit qytetar e konsolidimit të demokracisë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.