KULTURË

Të vuash nga amnezia kolektive, “Gjiganti i fjetur” në shqip, vepra e nobelistit

12:00 - 04.10.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

“Gjiganti i fjetur” është një reflektim i hollë dhe melankolik për kujtesën dhe harresën, si dhe për rolin që luajnë ato jo vetëm në jetën e individëve, por edhe në atë të vendeve e popujve. Vepra e nobelistit Kazuo Ishiguro ka ardhur në shqip me përkthimin e Renato Kalemit dhe nën logon e “Pegit”.




“Gjiganti i fjetur” është një roman-fantazi i fituesit të çmimit Nobel në 2017. Për të shkruar këtë libër, Ishiguro mori frymëzim nga epokat e errëta në Britani. Ai kërkonte të shkruante një libër për kujtesën kolektive dhe mënyrën se si bashkëjetojnë shoqëritë luftarake me ngjarjet traumatike, duke harruar. Ai e përjashtoi historinë moderne, sepse ngjarjet do të ishin tepër realiste dhe do të interpretoheshin fjalë për fjalë. Ndërsa, ajo Angli e panjohur e periudhës pas Arturit i siguronte materialin e duhur për subjektin e vet. Pas vdekjes së mbretit Artur, saksonët dhe britonët jetonin në harmoni mes tyre. Si gjithë anëtarët e bashkësisë së tyre, Akseli dhe Beatrisi një çift pleqsh, vuajnë nga amnezia e thellë kolektive, që ata e kanë quajtur “mjegull”. Ndonëse mezi arrijnë të kujtojnë copëza të së shkuarës, ndiejnë se dikur kanë pasur një djalë. Dy pleqtë nisen në kërkim të djalit të tyre në një rrugëtim përmes tokash të mbuluara nga një mjegull e dendur, që u ngatërron e u fshin kujtimet.

Në vendin e britonëve dhe saksonëve, ku prej pak kohësh mbretëron paqja e vendosur nga mbreti Artur, të dy pleqtë hasin rrugës krijesa fantastike, përballen me mrekulli dhe u shpëtojnë rreziqeve vdekjeprurëse: një barkëtar i ngjashëm me Karontin, që shpie çifte si ata drejt një “ishulli me cilësi të veçanta”, duke lënë shpesh në tokë vejane fatzeza; fshatra të sulmuara nga përbindësha dhe pre e supersticioneve mizore; elfë, kukudhë, dragonj, shëronjës dhe murgj të pabesë, një kalorës, sër Gavinin, nipin e moshuar të Arturit, me sjellje kalorësiake dhe donkishoteske, një luftëtar trim e të paepur dhe një djalë riosh të pambrojtur… Përgjatë gjithë udhëtimit, Akseli dhe Beatrisi rreken të kujtojnë jetën që kanë kaluar së bashku. Në sipërfaqe shfaqen kujtime të bukura dhe dhembje të thella, një dashuri që ka kapërcyer çdo vështirësi, ndonëse e spërkatur me mëri të fshehura mirë dhe kaq të thella, saqë asnjëri prej dy protagonistëve nuk arrin të flasë qartë për to. Ky udhëtim do t’i shtyjë të mendojnë dhe të zbulojnë diçka për botën që i rrethon dhe për lidhjen e tyre fort të thellë dhe të pazgjidhshme. Herë i egër, herë të tjera tepër prekës, romani i Ishiguro-s flet për kujtime të humbura, për dashurinë, luftën dhe hakmarrjen. Ishiguro konsiderohet sot si një nga shkrimtarët bashkëkohorë më të lëvduar të botës anglishtfolëse. Ai është kandiduar katër herë për “Man Booker Prize”, duke e fituar çmimin në vitin 1989 pikërisht me romanin “Dita e mbetur”. Një tjetër roman i tij “Mos më lër të shkoj”, i ribotuar nga botimet “Pegi” në vitin 2017, u shpall nga revista “Time” si romani më i mirë i vitit 2005 dhe u përfshi në listën e 100 romaneve më të mira të gjuhës angleze (nga viti 1923 deri në 2005). Ishiguro është autor i shtatë romaneve. Akademia suedeze e vlerësoi Ishiguron me çmimin “Nobel” në letërsi në vitin 2017, duke e përshkruar si një shkrimtar “i cili, në romane me një forcë të madhe emocionale, ka zbuluar humnerën që fshihet nën ndjesinë tonë të gënjeshtërt të lidhjes me botën”. Botime “Pegi” ka botuar deri më tani tre prej librave të tij “Mos më lër të shkoj”, “Dita e mbetur” dhe “Gjiganti i fjetur”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.