KULTURË

Uran Butka: Vrasja e Mid’hat Frashërit u bë me metoda kimike, kërkojmë autopsinë

12:30 - 04.10.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira NikolliSkenari i dytë i vrasjes së Mid’hat Frashërit që ishte vendosur nga Sigurimi i Shtetit Shqiptar dhe qeveria shqiptare ishte që ai të zhdukej para se të binte në kontakt me “Vatrën”. Vrasja e Mid’hat Frashërit u realizua me metoda kimike dhe ilaçe nga agjentë të dyfishtë, edhe pse në dëshminë e shoqëruesit që qëndronte me të thuhet se vdekja u shkaktua nga një infarkt”. Ka qenë kjo, deklarata e bërë nga historiani Uran Butka gjatë promovimit të veprës së katërt të personalitetit të njohur në 70-vjetorin e ndarjes nga jeta të tij. Në vijim të hipotezës së paraqitur, Butka, që ua ka kushtuar gjithë punën e tij studimore kundërshtarëve të regjimit komunist dhe fatit të tyre, tha se për rastin e Frashërit: “Ne do kërkojmë që qeveria amerikane të na zbulojë ekspertizën e vdekjes së tij, që nuk është zbuluar deri më sot”.




Personalitete të artit, kulturës e politikës nderuan dje figurën e Mid’had Frashërit, në një ceremoni enkas për 70-vjetorin e vdekjes së tij. Ky botim është pjesë e kolanës prej 13 vëllimesh dhe përmbledh të gjitha përshtypjet e udhëtimit nga Stambolli, Shkupi dhe Prishtina; letra, Ditarin e Rumanisë, dëshmi për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, kryengritjen shqiptare të vitit 1912 dhe ngjarje të tjera, duke e përmbyllur veprën e katërt me kujtime nga një udhëtim nga Tirana në Gjirokastër.
Për pasardhësit e tij, promovimi i këtij botimi është një moment i shumëpritur.

Ish-deputeti Agron Shehaj u shpreh se, “shqiptarët kanë nevojë që të njihen me përpjekjet dhe sakrificat e mëdha, që shqiptarët dhanë për vendin. Që nga koha e komunizmit kemi një përqasje që historia fillon me mua. Por ka ardhur koha që të njohim baballarët e kombit, për të kuptuar të sotmen edhe të ardhmen, sepse duke mos e njohur të vërtetën do t’u thurim lavde sharlatanëve”. Shehaj gjatë vitit të kaluar është kujdesur në bashkëpunim me qeverinë shqiptare që eshtrat e Midhat Frashërit të ktheheshin në atdhe. Eshtrat e tij iu bashkuan më 14 nëntor 2018 atyre të Abdyl, Naim dhe Sami Frashërit, në Kodrat e Liqenit në Tiranë, ku dje u mbajtën homazhe. Propozimi për kthimin në atdhe të Mid’hat Frashërit pat ardhur nga Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skëndo”, të cilin Shehaj e ka themeluar bashkë me historianin e njohur Uran Butka, nisur nga amaneti i Frashërit.

Mid’hat Frashëri i biri i rilindasit të shquar Abdyl Frashëri lindi më 25 mars 1880 në Janinë. Ai njihet edhe me pseudonimet Lumo Skëndo dhe Mali Kokojka. Mid’hati e njohu shumë pak të atin e tij, ngaqë Abdyli vdiq i ri në burg. U rrit në kujdestarinë e xhaxhallarëve, rilindësve të shquar Sami dhe Naim Frashëri. Duke qëndruar pranë tyre, kreu edukimin e plotë akademik në Stamboll. Firmëtar i Pavarësisë në qeverinë e Ismail Qemalit u emërua ministër i Punëve Botore. Në kabinetet e Turhan Pashë Përmetit ishte ministër i Punëve Botore dhe Post-Telegrafës, ndërsa në vitet 1918–1920 ishte Ministër pa Portofol. Anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris, në vitet 1919–1920 ai përfaqësoi Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve, në vitet 1923-1925 ishte ministër fuqiplotë i Shqipërisë në Greqi. Në vitet 1926–1939 hapi në Tiranë librarinë “Lumo Skëndo”. Mid’hat Frashëri ishte themelues dhe kryetar i organizatës Balli Kombëtar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Regjimi komunist e cilësoi kolaboracionist dhe kjo vazhdon të jetë ende një pikë ndarjeje mes mbështetësve të tij antikomunistë dhe një pjese të historianëve. I përndjekur nga regjimi komunist me akuzën si themelues i organizatës së Ballit Kombëtar, Mid’hat Frahsëri në përfundim të luftës u vendos në Itali e më vonë në Londër, ku krijoi komitetin “Shqipëria e Lirë”. Mid’hati Frashëri nuk u martua. Varrimin e tij në SHBA e kanë organizuar përmes një ceremonie madhështore patriotët shqiptarë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.