Prokurori Arjan Ndoja dhe Aleksandër Laho (Landi Muharremi) refuzojnë kategorikisht të kenë konflikte me Redjan Rrajën, personin e arrestuar për atentatin ndaj tyrenë 1 nëntor te mbikalimi i Shkozetit.
Përfaqësuesi i akuzës së Durrësit dhe Laho janë marrë në pyetje në spital nga 3 prokurorët e Krimeve të Rënda teksa nuk pranuan të kenë mosmarrëveshje dhe kontradikta me 34-vjeçarin Rraja. Ndërkohë, dhoma ku është shtruar prokurori Ndoja, ruhet prej 17 ditësh nga dy policë të Komisariatit të Durrësit, ndërsa vetë Ndoja kërkon që të takohet vetëm me persona, të autorizuar nga prokurorët e çështjes.
Në 1 nëntor, automjeti ku po udhëtonin Arjan Ndoja, shoferi i tij Andi Maloku dhe Aleksandër Laho u qëllua me breshëri kallashnikovi në mbikalimin e Shkozetit. Ndoja dhe Laho arritën t’i shpëtonin vdekjes, ndërsa shoferi Maloku ndërroi jetë si pasojë e plagëve të rënda në datën 7 nëntor.
Policia gjeti të braktisur në Shkafanë një automjet të braktisur, i cili u përkiste atentatorëve. Sipas verifikimeve, rezultoi që automjeti dhe targat e tij ishin grabitur. Më pas, u ndalua për këtë ngjarje Redjan Rraja, pasi iu gjetën në syzet e lëna në makinën e atentatit shenjat e tij të gishtave. Ai u la në burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda, ndërsa në 20 nëntor Gjykata e Apelit do të vendosë përfundimisht për fatin e tij.