Show-Bizz

Post-festivali i 58 i RTSH/ Pritej Elvana, por fitoren e rrëmbeu Arilena, kë mbështet audienca dhe artistët

11:02 - 25.12.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pamela Aliaj – Këtë të diel që kaloi ishte nata e fundit e Festivalit të 58 të Radio Televizionit Shqiptar. Edhe pse të gjithë prisnin që fitoren ta rrëmbente kënga “Me Tana” e Elvana Gjatës, ndodhi e papritura, Arilena Ara rrëmbeu kupën! Por ky rezultat nuk u la pa zhurmë. Reagime ka pasur nga të gjithë lidhur me këtë fitore. Biles ditën e djeshme, fansat e Elvanës u mblodhën në një peticion për të mbështetur këngëtaren për të marrë çmimin e parë, e deri tek vetë Elvana, e cila reagoi për herë të parë lidhur me rezultat. Por nga ana tjetër kemi edhe reagimin e vetë jurisë, ku poetja Rita Filipi ka folur për natën e votimit dhe mënyrën si u krye, e deri tek reagimi i Adelina Ismailit, e cila ishte në mbështetje të plotë të fitores së Arilenës me këngën “Shaj”. Më poshtë shikoni të listuar “pro” dhe “kundër” reagimet ndaj këngës që do të na përfaqësojë në Eurovision këtë herë.




Pro Arilena Arës:
Rita Petro
E ftuar mëngjesin e djeshëm në “Wake Up”, shkrimtarja Rita Petro, anëtare e jurisë në festivalin e RTSH-së u shpreh se votimi ishte teknikisht i pastër dhe shumë i sinqertë. “Fillimisht kur na thirrën do bëheni pjesë e festivalit, nga drejtori i RTSH-së thashë pse jo, u ndjeva shumë e vlerësuar”, tregoi Petro duke shtuar se në asnjë moment anëtarët nuk komunikuan me njëri-tjetrin gjatë dhe pas festivalit. “Gjithë kohës që kemi qenë në koncert bisedat ishin te kënaqësia e spektaktlit, duke dëgjuar këngët harroja që isha pjesë e jurisë, edhe anëtarët e tjerë merrnin kënaqësinë e këngëve. Nuk është diskutuar se cilat janë preferencat e secilit prej nesh, këtë e them me kompetencë. Nuk u bë llogari. Emri i Elvanës as nuk është zënë ndonjëherë as nga anëtarët e jurisë; edhe kur na mblodhën në dhomë (për të votuar) nuk është zënë në gojë as emri i Elvanës as i asnjërit këngëtar”, rrëfeu Petro. Më tej Petro theksoi rëndësinë e një reagimi institucional: “Nuk ishim ne që ju thamë na merrni në juri, na thirrën e pranuam u ndjemë të nderuar, duhet një reagim publik institucional, i organizatorëve, çdo gjë është bërë në rregull. Na vjen keq që na ndanë juria shqiptare e huaj, të bësh ndarjen juria shqiptare nuk janë të zotët, të korruptuar e kam ndjerë veten të fyer. Deri për Eurovizion ka kohë që të analizohen faktet, të hetohet, të ngrihet një juri tjetër.”

Adelina Ismaili
Adelina Ismaili ka qenë shumë e ashpër me disa statuse të saj në InstaStory ku ka sulmuar shumicën e mediave në Shqipëri dhe Kosovë, të cilat po kërkojnë që Elvana Gjata të dalë e para dhe ta përfaqësojë Shqipërinë në Eurosong. E diva kosovare, e cila ishte e para që kishte bërë revolucion në këtë festival, ku ishte paraqitur me këngën “Shko”, ka bërë disa komente që për shumë kënd nuk do të jenë të pëlqyeshme. “Ku është ajo Shqipëria që dikur kishte çmuar artin mbi të gjitha? Arilena Arën për herë të parë e kam parë duke kënduar “They Don’t Care About Us”. E admirova, sepse për herë të parë pas shumë kohe po shihja një shqiptare që po shkatërronte skenën dhe mua me energjinë. Nuk i kishte buzët e fryra. Nuk tërhiqte zvarrë pas vetës shërbëtorë të mjerë që paguhen me byrek, as nga Kosova dhe as nga Maqedonia”,- ka shkruar Adelina në fillim të këtij komenti. Tutje, diva kosovare ka shkruar se prezantuesja Alketa Vejsiu i ka mbetur borxh Arilenës. “Arilena ka më shumë sukses ndërkombëtare sesa gjysma e banorëve të showbizznesit të Kosovës dhe Shqipërisë bashkë. Është faji i jonë nëse nuk e njohim. Alketa Vejsiu mbrëmë i mbeti borxh Arilenës. Ishte hera e parë prej dekadash që ndër shqiptarë po fitonte arti dhe artisti. Jo lëmoshat për gazetarë e rrobaqepës, jo mafia e politikanët, jo luksi fals i korrur në lëndinat e “koncerteve” që mbajnë erë bajgash e sponsorësh dhëmbë palarë”, ka shkruar tutje Adelina.
Ndërkohë nuk është bërë asnjë reagim i fitueses Arilena Ara në Instagram përveçse postimit të falënderimit për vendin e parë.

Pro Elvana Gjatës:
Alketa Vejsiu
Përmes një mesazhi në “Facebook”, një ditë pas festivalit, Alketa shkruan se Elvana Gjata ishte festa dhe lajmi i këtij edicioni, zëri dhe energjia e rinisë, që vallëzoi në një sallë të ngurtë, që bëri bashkë Shqipërinë, Kosovën dhe Diasporën. Më tej, ajo shkruan se Festivalin e ka bërë me shpirt, por se nuk ka qenë dhe s’do të bëhet kurrë palë me asnjë juri. “I uroj suksese Arileneës për fitoren! Sa më mbarë për Shqipërinë në Eurovision! Por nuk mund të lë pa falënderuar Elvana Gjatën! Atë që u klikua në 2 javë më shume se të gjithë, 3 milionë e 500 mije here! Nuk mund ta mohoj që kënga e saj ishte festa e këtij Festivali! Që Elvana ishte lajmi i këtij edicioni, zëri dhe energjia e rinisë që vallëzoi në një sallë të ngurtë, që bëri bashkë Shqipërinë, Kosovën dhe Diasporën! Garat shpallin fitues, por jo humbës; sepse hitet nuk vdesin kurrë. Pas këtij Festivali që e kam bërë me shpirt, mund të them që s’kam qenë dhe s’do bëhem kurrë palë me asnjë juri, për asnjë motiv! Besoj tek meritokracia dhe me vjen thellësisht keq që në platformën e këtij Festivali nuk munda dot t’i jap zë, zërit të publikut! Me falni nëse ju kam zhgënjyer! Kuptoj dhe respektoj ndjeshmërinë tuaj! Elvana Faleminderit! Ti erdhe në këtë Festival, sepse besove tek vizioni im! Ti s’kishe nevojë për garë për të konfirmuar atë që je, sepse ti thjesht Je!”, shkruan Vejsiu.

Fansat
Kjo ka ngjallur pakënaqësi tek fansat e Elvanës, të cilët kanë shpërthyer të indinjuar me statuse në rrjete sociale. Madje fansat nëpërmjet fanpage-eve po organizojnë një protestë para RTSH-së.

Motra e Elvanës
Motra e Elvanës, Migena, krenare për arritjen e këngëtares, thotë se fitoi zemrën e njerëzve mbi të gjitha. “Fitove të gjithë publikun, fitove zemrën e njerëzve. Ashtu siç ke bërë, të paktën këto 15 vitet e fundit”, shkruan Migena.

Reagimi i Elvanës:
Elvana Gjata ka reaguar me një shënim në llogarinë e saj në Instagram, duke shkruar se edhe pse refuzon të flas në raste të tilla, këtë herë vendosi të veprojë ndryshe. “Arilena… nuk është faji yt dhe të uroj me gjithë zemër vetëm sukses”- shkruan ajo. Me tej, falënderon publikun, duke deklaruar se e ka ndjerë në çdo çast, edhe në Festival mbështetjen e fortë për të dhe këngën e saj.
“Refuzoj të flas në këto raste, por me duhet ta bëj. Arilena… nuk është faji yt dhe të uroj me gjithë zemër vetëm sukses! Dua të falënderoj të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen, por dhe fansat e rinj Europianë për dashurinë, mbështetjen që më keni dhënë që ditën që #metana doli! I kam parë të gjitha sondazhet e ju kam parë të këndoni e kërceni këngen me sytë e mi çdo ditë, e ju pashë dhe në sallë me duart lart! Ju kam dëgjuar kur thërrisni emrin tim plot zjarr në festivale ne Diasporë dhe në Prishtinë, e dëgjova dhe dje në Tiranë si kurrë më parë në jetën time! Zemra plot! Kam punuar fort e do punoj deri sa të këm frymë! Puna s’më ka hedhur poshte kurre, as balta e helmi, me apo pa porosi. Faleminderit jurisë europiane për vlerësimin maksimal. U gëzova shume! Dashni më fal as 2 pikëshi Mikaelës s’mundet me ma ndal! Pranojeni jetën ME TANA. Gëzojeni jetën ME TANA. Mezi pres projektet e reja, ” përfundon reagimin Elvana Gjata.

Artistë e kolegë
Artistë që kanë reaguar edhe në profilet e tyre pasi Elvana ka marrë vendin e dytë, por edhe të famshëm të tjerë i kanë dhënë përkrahjen koleges së tyre, duke treguar kështu hapur se ata ishin për fitoren e saj. Emra si Ledri Vula, Eleni Foureira, Kida, Ermal Fejzullahu, Samanta e Emina Çunmulaj, e shumë të njohur të profesioneve të ndryshme, i kanë dërguar zemra në formë të përkrahjes këngëtares.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.