AKTUALITET

Tabelat e plota/ Qeveria merr vendimin: 1427 persona do të punësohen në administratë në 2020-ën

12:00 - 30.01.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Plot 1427 persona do të punësohen përkohësisht në njësitë e qeverisjes qendrore për vitin 2020. Ditën e djeshme, Këshilli i Ministrave ka vendosur përcaktimin e numrit të punonjësve që do të nënshkruajnë kontratat e përkohshme. “Gazeta Shqiptare” zbardh sot vendimin dhe tabelat bashkangjitur ku specifikohet numri i punonjësve në çdo institucion, pozicioni që do të kenë si dhe orët e punës që do të duhet të plotësojnë brenda një dite duke nisur nga 4-8 orë/ditë. Kontratat e përkohshme fillojnë nga 3 muaj deri në vjetore dhe institucionet ku do të kryhen punësimet janë: Presidenca, Kuvendi i Shqipërisë, Kryeministria, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Arsimit, Sportit e Rinisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale etj. “Numri i punonjësve me kontratë të përkohshme, për vitin 2020, në njësitë e qeverisjes qendrore është 1427 (një mijë e katërqind e njëzet e shtatë) veta, sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. Për 1 inspektor në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI) nuk zbatohet pika 2, e vendimit nr. 109, datë 6.3.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për vendosjen e standardeve në kryerjen e disa aktiviteteve me punonjës të përkohshëm në njësitë e qeverisjes qendrore”. Për 28 specialistë në aparatin e Kryeministrisë, për 25 specialistë për ministrin e Shtetit për Rindërtimin, për 5 specialistë të sekretariatit teknik të Komisionit të Dhënies së Dëshmisë së Statusit të Naftëtarit, 1 specialist e 2 punonjës protokoll-arkivi në aparatin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, 1 specialist në DPPPP, dhe 10 specialistë të AKB-së, të përfshirë në lidhjen nr. 1, të sipërcituar, nuk zbatohet pika 3, e vendimit nr. 109, datë 6.3.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për vendosjen e standardeve në kryerjen e disa aktiviteteve me punonjës të përkohshëm në njësitë e qeverisjes qendrore”,-theksohet në vendimin e Këshillit të Ministrave.





Pagesat
Ndërkohë në vendimin e qeverisë bëhet me dije se pagesa për emërtesën “Punonjës arkivi (DPA)”, kryhet nga institucionet përkatëse pas miratimit të listëprezencës e shënimeve përkatëse të titullarit të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave (DPA). DPA-ja do të miratojë rregullat për përpunimin e fondit arkivor të mbartur e do të njoftojë për këto rregulla punëdhënësit e Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë brenda një muaji pas miratimit të vendimit. Punonjësit me kontratë në funksionin “Specialist” do të paguhen në përputhje me kategorinë e pagës së funksionit të ngjashëm organik, të përcaktuar në strukturën e institucionit, por, në asnjë rast, kategoria e pagës së tyre në institucionet e pavarura dhe aparatet e ministrive nuk kalon nivelin IV-a dhe në institucionet në varësi të institucioneve qendrore, nivelin IV-b. Përjashtim bëjnë specialistët e aparatit të Kryeministrisë, të cilët paguhen në kategorinë e pagës së nivelit III-b, për të cilët nuk zbatohet pika 7 e vendimit nr. 109, datë 6.3.2019, të Këshillit të Ministrave. Punonjësit me kontratë në funksionin “Operator EDMRS” paguhen në përputhje me kategorinë e pagës së funksionit “Operator” në vendimin nr. 717, datë 23.6.2009, të Këshillit të Ministrave, “Për pagat e punonjësve mbështetës të institucioneve buxhetore dhe të nëpunësve të disa institucioneve buxhetore”, të ndryshuar. “Mbulimi i efekteve financiare për punonjësit me kontratë bëhet nga shpenzimet korente, miratuar në buxhetin përkatës të njësive të qeverisjes qendrore. Për punonjësit me kontratë të Shtëpisë së Pushimit Durrës (MB), të Shtëpisë së Pushimit të Shërbimit Informativ të Shtetit dhe të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar efektet financiare përballohen nga të ardhurat e vetë institucionit. “Ngarkohen ministritë dhe institucionet të depozitojnë pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë detajimin e numrit të punonjësve me kontratë, kategorinë përkatëse të pagës dhe burimin e financimit të tyre. Ngarkohet ministri i Shtetit për Rindërtimin që, për 25 specialistë për këtë institucion, të bëjë detajimin e tyre në ministritë dhe institucionet qendrore apo në institucionet e varësisë së tyre. Pagesa e këtyre punonjësve bëhet nga institucioni ku do të kontraktohet”,-thuhet në vendim.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.