Presidenti i Republikës Ilir Meta ka dekretaur emërimin e 3 kandidatëve si anëtarë të Gjykatës së Lartë. Bëhet fjalë për Sokol Sadushaj, Ervin Pupe dhe Ilir Panda.
Këshilli i Lartë Gjyqësor kishte hapur procedurat e kandidimit për në Gjykatën e Lartë, për tre pozicione të lira, një në fushën e të drejtës administrative, një në fushën e të drejtës civile dhe një në fushën e të drejtës penale.
Njoftimi i plotë:
Presidenti i Republikës Ilir Meta, pasi shqyrtoi propozimet e Këshilli të Lartë Gjyqësor dhe praktikat dokumentuese të kualifikimit, vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes, të administruara në datën 5.03.2020, si dhe:
Vendimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor nr. 110, datë 27.02.2020 “Për propozimin për emërim në Gjykatën e Lartë, nga radhët e juristëve të spikatur, të kandidatit z.Sokol Sadushaj”;
Vendimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor nr. 111, datë 27.02.2020 “Për propozimin për emërim në Gjykatën e Lartë, nga radhët e juristëve të spikatur, të kandidatit z.Ervin Pupe”;
Vendimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor nr. 112, datë 27.02.2020 “Për propozimin për emërim në Gjykatën e Lartë, nga radhët e juristëve të spikatur, të kandidatit z. Ilir Panda”;
Si dhe pasi siguroi një informacion shtesë prej Këshillit të Lartë Gjyqësor mbi këto propozime, sot në datë 11.03.2020, brenda afatit që përcakton neni 136 i Kushtetutës, Presidenti i Republikës ka vendosur;
-Dekretimin për emërimin si gjyqtar të Gjykatës së Lartë, nga radhët e juristëve të spikatur, të kandidaturave të propozuara të:
Zotit Sokol Sadushaj;
Zotit Ervin Pupe;
Zotit Ilir Panda.
Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta, vlerësoi pa vonesë këto propozime, duke konsideruar se fillimi nga funksionimi i Gjykatës së Lartë, është një element kyç për respektimin e të drejtave kushtetuese të qytetarëve për një gjykim të drejtë, nga një gjykatë e caktuar me ligj dhe brenda një afati të arsyeshëm.