DOSSIER

Letra e Shefki Shatkut për Mbretin Zog: Po përhapet komunizmi në Shqipëri

17:22 - 23.04.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Gazmend A. Bakiu – Fillimet e xhandarmërisë datojnë me lindjen dhe njohjen e shtetit shqiptar, por organizimi i vërtetë i forcave të xhandarmërisë, ashtu si organizimi real i shtetit shqiptar filloi pas Kongresit të Lushnjës (1920). Në këtë kohë u bë riorganizimi ushtrisë, (rekrutimi i ushtarëve për një kohëzgjatje 2 vjet) dhe u bë ndarja e xhandarmërisë nga ushtria.




Ahmet Zogu i kushtoi një vëmendje të posaçme xhandarmërisë, (dhe shërbimit sekret), sepse e kishte të qartë që ajo ishte kolona kryesore e shtetit dhe e pushtetit. Nuk ishte e rastit që ndërsa shpallte programin e qeverisë në Parlament, më 19 janar 1925, ai foli për riorganizimin e xhandarmërisë, e cila do të ndahej në dy pjesë: në xhandarmëri stabël dhe xhandarmëri shëtitëse. Ndërsa në ushtri, të cilën e largoi përfundimisht nga politika, ai pranoi organizatorë italianë, këtë sigurisht nuk mund ta lejonte për xhandarmërinë. Që në vitin 1925, për organizimin e xhandarmërisë shqiptare, Zogu angazhoi oficerë anglezë.

Periudha 1925-1939 u karakterizua nga futja e elementëve perëndimorë në organizimin e xhandarmërisë. U përpiluan ligjet dhe rregulloret e armës, që deri atëherë mungonin. Veprimtarinë e saj, Komanda e Xhandarmërisë e kryente nëpërmjet disa zyrave: 1.Adjudantura, e cila merrej me veprimtarinë sekrete; 2.Seksioni kishte për detyrë të përgatiste ligjet e rregulloret, si dhe emërimet, gradimet, transferimet, lavdërimet, pezullimet dhe dënimet për oficerët; 3.Seksioni II merrej me veprimtarinë kontabël, rregullimin e shpenzimeve sipas buxhetit, përmbushjen e nevojave për armatim, uniforma, pajisje etj., si dhe me përgatitjen e teksteve për shkollën e xhandarmërisë; 4.Seksioni III ishte i ngarkuar me detyrat operative për sigurimin e qetësisë dhe të rendit dhe vepronte nëpërmjet korrespondencës me zonë-komandat. Pas shpalljes së Shqipërisë Mbretëri, (1 shtator 1928), arma e xhandarmërisë u quajt Xhandarmëria Mbretërore. Ndonëse, varësia e saj sipas detyrave ishte e trefishtë: 1.Ministria e Brendshme, (varësia kryesore). 2.Komanda e Përgjithshme e Ushtrisë dhe 3.Ministria e Drejtësisë, komandant suprem i xhandarmërisë ishte vetë mbreti, si komandant i Forcave të Armatosura.

Min.Brendshëm Musa Juka, Shefki Shatku dhe Xhemal Aranitasi 0ficere-Shefki Shatku-J. Persye Shefki Shatku portret Parakalimin Xhandarmërie 28 nëntor 1934
<
>
Komandanti i përgjithshëm i Xhandarmërisë, kolonel Shefki Shatku së bashku me gjeneralin anglez, Jocelyn Persy, Tiranë, 1932 dhe me komandantët e çdo prefekture të qarqeve të Mbretërisë shqiptare1

Në periudhën 1920-1931 kemi pasur 12 komandantë të përgjithshëm të xhandarmërisë dhe në tetor 1931, në krye të saj u emërua majori (më pas nënkolonel dhe koloneli) Shefki Shatku, i cili qëndroi në këtë detyrë të lartë më shumë se kushdo tjetër, deri më 7 prill 1939. Por, kush ishte Shefki Shatku?

Komandanti i përgjithshëm i xhandarmërisë, Shefki Shatku

Shefki Shatku lindi në Dibër të Madhe më 19 maj 1896, në një familje tregtare, patriotike e atdhetare. Në qytetin e lindjes kreu shkollën 5-vjeçare qytetëse. Si pasojë e dhunës dhe gjenocidit serb, në shtator 1912, familja e tij u shpërngul në Turqi. Në Stamboll, ai kreu gjimnazin ushtarak “Kuteli” dhe pastaj Akademinë Ushtarake me rezultate të shkëlqyera. Fillimisht emërohet instruktor i mësimit “armë e qitje”, në shkollën e oficerëve në Stamboll. Në vitin 1916 lufton në Siri, duke u bërë komandant i një kompanie sulmuese  dhe gradohet toger. Për trimërinë e treguar u dekorua tri herë me këto medalje:

-Prej Kaizerit të Gjermanisë me dekoratën Eiserne Kreux II klas (Kryqi hekurt, klasi II).

-Prej Turqisë, dekorata Turkie Harb Medaljasi (Medalje për trimëri në luftë).

-Dekorata Gjymysh liakat muharebe medaljasi (Medalje ushtarake Argjendi).

Mirëpo, Shefki Shatku nuk e kishte harruar mëmëdheun dhe më 1920-ën kthehet në Shqipëri.  Shefki Shatku inkuadrohet në Forcat e Armatosura dhe merr pjesë në luftën e Mirditës kundër forcave serbe. Plagoset nga këto të fundit më 13 tetor 1921. Për merita të veçanta në mbrojtje të integritetit të shtetit shqiptar gradohet kapiten i kl. II në vitin 1922.

Në periudhën që Shqipëria ishte republikë (1925-28) emërohet kryetar i gjykimit ushtarak (1925-1927). Në vitin 1927 gradohet major, ndërkohë që vazhdoi një kurs në një Akademinë Ushtarake të Torinos. Me t’u kthyer në atdhe, u caktua në komandant i Shkollës së Aspirantëve në Tiranë. Më 1930 botoi librin “Punime në fushatën e luftës”, që u shërbente aspirantëve. Në tetor 1931, Shefki Shatku arrin majën e karrierës duke u emëruar komandant i përgjithshëm i Xhandarmërisë Mbretërore.

Gjatë kohës së drejtimit të Xhandarmërisë Mbretërore nga komandanti Shefki Shatku u ngritën një sërë ndërtesash, që shërbenin si postë-komanda dhe u vendos lidhja telefonike midis tyre. Shkolla e xhandarmërisë në Durrës, më 1 maj 1935 u transferua në Burrel. Ajo ndodhej 1 km larg qytetit dhe ishte një shkollë krejt moderne, e cila funksionoi deri në vitin 1939. Në shkollën e Xhandarmërisë Mbretërore përgatitja ishte teorike dhe praktike dhe në përfundim të saj, rekrutët diplomoheshin xhandarë të klasit të II. Në oborrin e shkollës kanë qenë vendosur busti i kolonelit L. W. Thomson dhe busti i majorit Meleq Frashëri. Serioziteti dhe efikasiteti i Xhandarmërisë Mbretërore në sigurimin e rendit publik dhe në kryerjen e detyrave të tjera e kishte bërë të dashur në sytë e popullit dhe për këtë pa dyshim, meritë të madhe kishe komandanti i saj, Shefki Shatku. Xhandarët quheshin me dashamirësi edhe gushëkuqët për shkak të jakës kuqezi që kishin uniformat e tyre. Arma e xhandarmërisë arriti uljen drastike (vit pas viti) të vrasjeve, delikteve dhe grabitjeve; nuk kishte vjedhje dyqanesh, (edhe kur ato harroheshin hapur), u konsolidua rendi dhe qetësia publike e qytetare dhe nuk ekzistonin më kaçakë të pakapshëm, (kështu quheshin asokohe keqbërësit ose kriminelët). Me dekretin nr.106-1, datë 30.01.1935, Xhandarmëria Mbretërore u pajis me flamurin e saj, që iu dorëzua asaj me një ceremoni të posaçme. Për meritat e tij, Shefki Shatku u gradua nënkolonel dhe më 28 nëntor 1938 u gradua kolonel. Ai dekorua nga Mbreti Zog I, më 1933-shin, me dekoratën “Komandor i Urdhnit Skënderbeg” dhe nga Viktor Emanueli III, më 1937, “Oficer i Madh i Kurorës Mretërore”.         Së bashku me patriotë dhe intelektualë të tjerë ishte një ndër anëtarët e grupit nismëtar për kthimin në atdhe të eshtrave të poetit tonë madh, Naim Frashëri. Shefki Shatku komunikonte në disa gjuhë si serbo-kroatisht, turqisht, frëngjisht, italisht dhe gjermanisht. Gjatë periudhës së regjimit komunist, nëse vinte në atdhe, ishte i dënuar të vdiste ose me varje në litar, ose me pushkatim. Komandanti reformator dhe më jetëgjatë i Xhandarmërisë së Mbretërisë shqiptare vdiq në Stamboll më 1973, ku u përcoll për në banesën e fundit me nderime nga bashkëkombësit e tij shqiptarë.

Në varrin e tij në Stamboll, 1973, ka një epitaf ku lexohet: “Larg e larg teje o Mëmëdheu im, o shpirt Shqipnie. Vdiqa në emigrim pa më të pa dhe një herë ty, larg nanës ndërmjet dy kazave (vendeve), varrin e kam në Azi, zemrën dhe shpirtin e kam tek ty, o Shqipnie”.

Një letër e Shefki Shatkut për Mbretin Zog I mbi veprimtarinë e grupeve komuniste

Në Arkivin Qendror të Shtetit gjendet një letër e Shefki Shatkut për Mbretin Zog I, në lidhje me përhapjen e komunizmit në Shqipëri. Letra mban datën 5 tetor 1936. Të bën përshtypje analiza që komandanti i xhandarmërisë i bën lëvizjes komuniste. Ai i klasifikon komunistët në 3 kategori:

  1. Në kategorinë e parë bëjnë pjesë komunistët e vërtetë, komunistët me ideologji ekstreme, të cilët merrnin rolin e organizatorëve e të udhëheqësve të lëvizjeve komuniste në vend (të indoktrinuarit do të thoshim ne).
  2. Në kategorinë e dytë bëjnë pjesë të rinj, që thonë se janë komunistë vetëm për modernizëm dhe për t’u dukur në publik. Pra, bëhet fjalë për komunistë, që nuk e kanë idenë se ç’përmban kjo ideologji. Ata ishin komunistë për modernizëm dhe për t’u dukur si njerëz që kanë ide të reja në shoqëri.
  3. Në kategorinë e tretë bëjnë pjesë grupi që hiqen si komunistë për interesa materiale dhe përfitime të tjera sociale.

Më të infektuarit me këtë virus ndodheshin në Tiranë, në Korçë dhe më pak në Vlorë. Të rinjtë – nënvizonte ai – kanë rënë viktimë e literaturës komuniste. Në letrën drejtuar mbretit, Shefki Shatku bashkëngjit edhe listën emërore të njerëzve që bënin pjesë në grupimet komuniste. Pra, Xhandarmëria shqiptare  dhe Shteti Shqiptar ishin të mirinformuar për lëvizjen komuniste. Çfarë rezulton së fundi? Rezulton që nëse komunistët nuk do të kishin përfituar nga pushtimi italian, të gjoja luftës ndaj okupatorit, nuk kishin asnjë shans të merrnin pushtetin në Shqipëri, ashtu siç ndodhi në vitin 1944.

Një anglez në Shqipëri

Në kujtimet e tij, Dayrell Oakley-Hill shkruan: “Pasi kisha punuar me Shefki Shatkun pak a shumë për shtatë vitet pasardhës, unë ende vazhdova të mendoj se ai ishte një burrë i çiltër dhe i ndjeshëm, por gjithashtu edhe shumë punëtor. Meqenëse zyra ime ishte në të njëjtin korridor, unë kisha shumë kontakte me të dhe të gjitha shanset për të vlerësuar punën dhe karakterin e tij. Ai ishte gjithnjë i gjindshëm dhe gati gjithnjë gazmor. Energjia e tij dukej e pakufishme dhe jo rrallë, në raste emergjencash, ai i kryente veprimet në mënyrë të rrufeshme dhe të suksesshme. Ai gëzonte respektin e përgjithshëm, por oficerët dhe njerëzit edhe i druheshin gjer në njëfarë mase. Ai përpiqej të njihte gjithçka që kishte mundësi mbi forcat nën komandë dhe shpesh shkonte edhe në rrethe. Po të kishte kërkuar mbështetjen e Persit, ai do ta kishte dhënë atë padyshim, por nganjëherë Persi i merrte vesh situatat e sëkëlldisura vetëm pasi ato të kishin ndodhur dhe kur tashmë qe shumë vonë për të ndërhyrë. Shefki Shatku ishte një kuvendar i madh. Ai të dëgjonte dhe nganjëherë e vlerësonte këshillën, por herë të tjera njeriu e kuptonte menjëherë që atij i ishte mbushur mendjen top që pikëpamja e tij ishte e padiskutueshme. Në tërësi punët shkonin mirë në shtabin e xhandarmërisë. Kishte disiplinë, oficerët ishin besnikë dhe të kujdesshëm në punën e tyre. Lidhjet tona me komandën e përgjithshme ishin në përgjithësi të mira. Persi qe i aftë për të kryer gjer në fund punën e vet të rekrutimit dhe të realizonte skemat e stërvitjes në shkollat e ndryshme dhe kurset e kualifikimit për oficerët.

Ai shpeshherë e gjente rrugën e zgjidhjes edhe për çështje të tilla, si lëvizjen e oficerëve që kishin qëndruar shumë gjatë në një vend ose moslëvizjen e një oficeri thjesht për faktin që ai nuk i pëlqente një nëpunësi vendor civil. Patjetër që nga viti në vit kushtet e pagës, strehimi dhe puna e përgjithshme e shërbimit vinin duke u përmirësuar. Unë kisha simpati të sinqertë për Shefkiun dhe u gëzova kur mora vesh që pas përmbysjes së vitit 1939, ai kishte gjetur strehim të sigurt në Turqi, ku edhe jetoi deri sa vdiq, në vitin 1973”.

[1] Shkrim në frëngjisht për kolonel Shefki Shatku, L’état-major de la Gendarmerie royale à l’époque du roi Zog Ier. Au centre, le colonel Shefki Shatku, grand-officier de Skanderbeg, chevalier de la Croix de fer; à sa droite, sur une marche, le général anglais Jocelyn Percy, grand-cordon de Skanderbeg, commandeur du British empire. Il était le commandant-en-chef de la Gendarmerie royale et resta toute sa vie au service du roi des Albanais.

Komandanti i Xhandarmërisë Mbrterërore në periudhën e Mbretit Zog I. Në qendër, kolonel Shefki Shatku, ka urdhrin: “Oficer i Lartë Skenderbeg”, mban “Kalorës i Kryqit të Hekurt të Perandorisë Prusiane”. Ai ishte komandanti i Xhandarmërisë mbretërore dhe mbeti gjithë jetën e vet në shërbim të mbretit të shqiptarëve. Në krah të tij, gjenerali anglez Jocelyn Persy, me urdhrin “Komandor i Lartë Skederbeg”, Komandant i Perandorisë Britanike.

 

 


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.