OPINION

Ekonomia e opozitës

08:54 - 10.06.20 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Dje, menjëherë pas mbledhjes së kryesisë së partisë opozitare më të madhe në vend, kryetari i opozitës së bashkuar jashtë Kuvendit kumtoi se ringritja ekonomike do të ishte tema qendrore e kësaj opozite. Një vit e pak më shumë nga mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme në qershor 2022, tri ditë pas arritjes së marrëveshjes për zgjedhjet, opozita kryesore e vendit sheh nga ekonomia dhe platforma që do t’u paraqesë shqiptarëve. “Ekonomia” e opozitës, ajo që forca politike opozitare(gjithnjë e parashkruar të ngjallë shpresë) do të na ofrojë ne qytetarëve të thjeshtë në katër vitet shtator 2022-qershor 2025 duhet të jetë diçka tërheqëse. Dhe është një gjë shumë e mirë që opozita po e nis që tani me ofertën ekonomike. Qeveria, e ndodhur mes stepjes nga qindra milionë euro që nuk janë mbledhur në buxhetin e shtetit këto tre muaj mars-maj, për shkak të koronavirusit, dhe shtimit të dozës së ndihmës për të papunët e rinj, po ngurron të japë dhjetëra miliona euro më shumë. Po bën një gabim fatal. Nëse opozita fillon që tani fushatën zgjedhore dhe ka mbi 370 ditë në dispozicion për të dhënë idetë dhe planet e saj për rimëkëmbjen nga pandemia, qeveria duhet të pranojë duelin. Duhet të nisë të japë fort dhe të ndihmojë pak më shumë të gjithë sektorët e prekur dhe të gjitha sipërmarrjet që po vuajnë sot rënien e fortë të konsumit. Kjo do të jetë një periudhë e përkohshme dhe qeveria duhet të guxojë më shumë. Nuk po e bën këtë dhe dalja në fushën e lojës së opozitës së vetëlarguar prej kohësh, mund ta kandisë të japë më shumë për ekonominë. Nga ana e saj, opozita duhet ta përgatisë shumë shpejt këtë platformë të reformave të saja ekonomike. Vendi ka nevojë të ngutshme për një reformë të plotë dhe të thellë në ekonomi. Boll me dogmën e socialistëve për taksat progresive! Që nga 1 janari i vitit 2014 kur vendosën taksat progresive dhe rritën nga 10 në 15 për qind tatimin mbi fitimin, mund të kemi humbur mbi 630 milionë euro investime të huaja, nga rritja një herë e gjysmë e këtij tatimi! Nuk mund ta bësh këtë, t’ia rritësh me një herë e gjysmë barrën mbi fitimin atij që vjen këtu dhe rrezikon shumë gjëra pikërisht për të fituar! Kur ke kaq shumë nevojë, kur e ke të domosdoshme të thithësh sa më shumë investues të huaj dhe të hapësh vende të reja pune. Janë gjashtë vjet të humbur kot! Opozita kryesore e vendit duhet t i mëshojë kësaj ane, pasi ajo është me të drejtë me qasjen e taksës së sheshtë, e cila vetëm mirë ka bërë në 30 vitet e fundit në vendet e Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë edhe Shqipërinë. Është ëndërr e një nate vere që në rishikimin e buxhetit të Shtetit në korrik të këtij viti, socialistët të bëjnë kthim mbrapa dhe të ulin tatimin mbi fitimin. Megjithatë, një vit përpara datës së zgjedhjeve mund të duket shumë larg, por mund të jetë edhe shumë afër…Të paktën, nën presionin zgjedhor(kane në krye një njeri që të ndodhurit në fushatë të përhershme zgjedhore e ka çdo minutë të qenies së tij në politikë) dhe të ofertës së bollshme të opozitës në ekonomi, qeveria do të detyrohet të japë më shumë nga sa guxon tani për xhepat e gjithsecilit prej nesh. Për ekonominë tonë pas goditjes mizore dhe të shtrirë në kohë nga koronavirusi. Platforma, programi ekonomik i opozitës kryesore të vendit për periudhën 2022-2025 duhet të jetë i gjithi reformë! Reforma të thella strukturore, që rritjen ekonomike ta shndërrojmë në ulje të fortë të varfërisë. Para të buxhetit të shtetit që duhet të shkojnë vetëm për sektorët që kanë përparësi absolute, si turizmi, agro-përpunimi, shërbimet nëpërmjet  teknologjisë së informacionit. Ne kemi ngecur vetëm tek 65 mijë punonjësit e fasonerisë dhe 19 mijë punonjësit e qendrave të thirrjeve(call centerave). Për biznesin e vogël qeveria lëvizi tre ditë më parë, duke zeruar tatimin mbi fitimin e kësaj sipërmarrjeje për 10 vjet rresht, deri në vitin 2029! Duhej të ishte kujtuar shumë më parë. Por më mirë vonë, se kurrë, thotë populli. Opozita duhet të shpalosë sa më shpejt kartat e saj në ekonomi. Duhet të na bindë se me të ne do të gdhihemi katër vjet më vonë 25 për qind më mirë nga sa do të jemi në fund të qershorit 2022. Kaq janë gdhirë më mirë në tre vite (2017-2019) vetëm pronarët e 30 kompanive më të mëdha dhe të konsoliduara të vendit. Ata që marrin tenderët kryesore të qeverisë dhe që ne i quajmë rëndom oligarkë. Tani duam vëmendjen me vepra, jo me fjalë, mbi qytetarin që kërkon punë. Mbi ata 60 mijë të papunë të rinj dhe mbi 100 mijë të papunë “të vjetër”.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.