Kryesore

Del dosja e Petro Markos, rekursi që iu mohua në gjykatë

13:45 - 23.07.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

U akuzua se ka mbajtur kontakte me “Misionin anglo-amerikan, ju ka dhënë informata” – Autoriteti për Informim mbi Dosjet e Ish-Sigurimit të Shtetit ka publikuar një pjesë nga dosje hetimore ndaj shkrimtarit të njohur Petro Marko. Sipas kësaj dosjeje, del në pah se më 5 maj 1947, Petro Marko, ish-drejtues i gazetës “Bashkimi”, u arrestua me akuzën se: “Gjatë qëndrimit të tij në Itali, së bashku me armiqtë e vendit tonë si me Dhimitër Beratin dhe me Mehmet Konicën kanë formuar Komitete si në Romë dhe në Bari. Dhe me kthimin e tij në Shqipëri vazhdon të ketë kontakte me Misionin anglo-amerikan, ju ka dhënë informata përmbi shtypshkronjën Bashkimi dhe të tjera”. Për këto akuza, prokurori kërkonte dënimin e Petro Markos me katër vjet privim lirie, punë të detyruar. Gjykimi ndaj tij u shpall më 5 maj 1949, nga Gjykata Ushtarake e Tiranës. Gjykata vendosi dënimin fajtor të Petro Markos për veprat e spiunazhit në favor të huajve dhe e dënoi me tre vjet privim lirie, punë të detyruar, dhe heqjen e të drejtave për mosparaqitje në publik për një vit.
Petro Marko paraqiti rekurs ankimor në Gjykatën e Lartë Ushtarake për vendimin e 5 majit 1949. Këshilli i Gjykatës së Lartë i ngritur për këtë çështje e hodhi poshtë rekursin, pasi “duke u pranuar e provuar fajësia e tij, nuk gjen me vend shkaqet e rekursit ankimor”. Për këtë arsye u vendos ligjërimi i vendimit të 5 majit 1949 i Gjykatës Ushtarake të Tiranës, i cili përmbante dënimin me tre vjet privim lirie punë të detyruar dhe heqjen e të drejtave për paraqitje në publik për një vit.
STANISLAV ZUBER
Në kujtimet e tij për periudhën e vështirë të hetuesisë, gjatë së cilës ishte pranë inxhinierit të mirënjohur polak Stanislav Zuber, ku dëshmoi edhe fundin e tij, Petro Marko shkruan:
“Dhe tani ja ku ishim të dy: – ai i katandisur një grusht njeri, unë një skelet i gjallë i ngarkuar me hekura. Me Zuberin shkëmbenim ndonjë fjalë: – ai, i shtrirë përdhe, – unë, i varur. E pyesja se ç’murmuriste, thoshte: -Tani jam duke u lutur. Unë u besoj ideve që jetojnë dhe do të jetojnë për mijëra vite…. Ja tani, kur unë i falem Krishtit, i them: – edhe unë do të duroj dhe do të qëndroj si ti.”….
U hap dera. Hyri një polic trupmadh dhe i bërtiti Zuberit. – Ç’punë bën ti? – Gjeolog që zbulon pasuritë e nëntokës, – tha Zuberi. Roja i këputi një shkelm prapa veshit duke i thënë, – Tani shko e zbulo pasuritë e nëntokës..
Pashë Zuberin të shtrirë, me duar e me këmbë të hapura dhe me një curril gjaku që i buronte nga goja. Vranë kulturën, vranë shkencën, vranë jetën.
E kapën nga këmbët, e hoqën zvarrë, e nxorën jashtë dhe mbyllën derën, duke më lënë mua në birucë fantazmën gjakatare të kohës që vuloste turpin e këtij shekulli”.
Me akuza që mbështeteshin në “aktivitetin t’im në shërbim t’Amerikanvet”, në janar 1948 Petro Marko deklarohej “një nga agjentët aktiv të spiunazhit amerikan në Shqipëri” dhe si informator i pajtuar nga Harry Fultz-i me qëllim për t’i pajisur amerikanët me informata të llojllojshme (që nga përbërja e emigracionit shqiptar në Romë, përgjatë luftës, deri te propaganda pro-amerikane përmes shtypit shqiptar). Këtyre u shtohej akuza për “kontakte me grupin e deputetëve dhe merr pjesë në biseda të ndryshme politike qoftë në Dajti, qoftë në shtëpit’ e tyre”.
Dënimi i Petro Markos gjatë regjimit komunist pasonte dënimin e tij me gjashtë muaj internim si “bolshevik”, në kohën kur ishte redaktor politik i revistës artistike-kulturore “ABC” në 1936, apo kontributor themelues në gazetën “Bota e Re”. “Ai i mesit të viteve ‘30 ishte një opozitarizëm që nuk vinte si pasojë e një formimi të caktuar intelektual. Përkundrazi, të gjithë ne e deshëm komunizmin pa e njohur se ç’ishte komunizmi” dëshmon vetë Marko (Marko, fq. 162).
Pas qëndrimit në Greqi, Spanjë, Francë e Itali dhe përfshirjes në jetën e atjeshme, Petro Marko u arrestua nga italianët më 20 maj 1940, me akuzën e hetimit të një trakti që u shpërnda në Vlorë, për t’u liruar në dhjetor të 1941. U arrestua sërish nga italianët më 10 janar 1942, dhe u dënua me 10 vjet internim në ishullin e Ustikës. Me kapitullimin e Italisë u largua nga kampi. U arrestua sërish në shkurt të 1944 nga gjermanët, qëndroi në burg deri në maj të 1944. I burgosur në kryeqytetin italian, ai shkruan se jeta iu shpëtua falë ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të Ernest Koliqit (Marko, fq. 406). Në korrik të 1944 u largua drejt Barit, ku kishte një numër të madh shqiptarësh, me qëllim formimin e një komiteti për të bashkuar shqiptarët të gjithëshpërndarë në Itali.
Nga fundi i tetorit 1944, me një grup shqiptarësh të tjerë mori rrugën e kthimit për në Shqipëri. Në 28 nëntor 1944 u vendos në Tiranë, ku iu caktua përgatitja e buletinit të korparmatës II. Më vonë u vu në krye të gazetës “Bashkimi”, ku qëndroi deri në pranverën e 1946. Pas dënimit politik dhe daljes nga burgu, në vitin 1974 Petro Marko u përjashtua edhe nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve. “Unë shkrova si poet, si gazetar e si shkrimtar, duke iu nënshtruar mundësisht sa më pak kërkesave dhe rregullave të krijimtarisë së kohës, por u kritikova ashpër, u dënova me heqjen e së drejtës së botimit dhe disa nga veprat mu bënë karton, pa dalë në qarkullim, duke më mohuar kështu gëzimin e krijimit. Për një artist kjo është e barabartë me vdekjen. Ky është një lloj tjetër burgimi dhe izolimi: heshtja. Emri im u hoq nga të gjitha antologjitë, tekstet shkollore, në plenumet e Lidhjes nuk përmendesha kurrë më dhe asnjë organ shtypi nuk mund të fliste për mua, pra më keq se të kisha vdekur: unë vërtet isha gjallë, merrja frymë, shikoja, mendoja, dëgjoja, gjykoja, por në këtë lloj heshtjeje e ndjeva se isha eliminuar si krijues” (Marko, fq. 509).
Të gjitha këto e shtynë Markon që t’ia përshtaste krijimet letrare nevojës për një jetë më të qetë e pa përballje me regjimin.
“At’herë e gjeta çelësin dhe zgjodha temat e dashura për mua – shkruan ai – luftërat e trimave, të popullit tim për liri, pavarësi dhe çlirim» (Marko, fq. 508). Në të tjera raste, shkrimtari kthehej pas në kohë, në ngjarje që i pat jetuar vetë. Edhe në të tilla raste vazhdonte të tërhiqte kritika për shtjellimin e prirjeve autobiografike në letërsi, jo në përputhje me normat e realizmit socialist.
Në këtë vazhdë, romanet “Beteja për foletë e bardha” dhe “Çuka e shtegtarit” nuk e panë dritën e botimit dhe “Nata e Ustikës” doli në formë të shkurtuar, vetëm në vitin 1988.
Petro Marko u nda nga jeta më 23 dhjetor 1991, pasi kishte kaluar arrestimin dhe burgosjen e të birit, Jamarbër Markos, me akuzën e agjitacionit dhe propagandës më 1975, pasi ishte “internuar” vetë nga veprimtaria botuese dhe kishte kaluar, mes viteve 1988-1989 një sëmundje të rëndë.




 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.