Polica e Tiranës ka arrestuar inxhinerin teknik, me iniciale E.K. Mësohet se 47-vjeçari ra në prangat e policisë, për moszbatim të rregullave të sigurimit teknik, pasi dje në një objekt në ndërtim ra nga lartësia punëtori 25-vjeçar. Ndërkohë, është proceduar edhe pronari i firmës 44-vjeçari me iniciale S. P. Sakaq, janë arrestuar edhe 3 persona të tjerë për dhunë në familje.
Njoftimi i Policisë:
Vihet në pranga për shkelje të rregullave në punë, inxhinieri për zbatimin e rregullave të sigurimit teknik dhe procedohet penalisht pronari i firmës ndërtuese të një pallati në ndërtim, ku ditën e djeshme mbeti i dëmtuar një 25-vjeçar, gjatë kohës që po punonte në këtë objekt.
Gjithashtu, arrestohen në flagrancë 3 shtetas të tjerë, për veprën penale “Dhuna në familje”.
Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. K., 47 vjeç, me detyrë inxhinier për zbatimin e rregullave të sigurimit teknik, si dhe u procedua penalisht shtetasi S. P., 44 vjeç, pronari i firmës ndërtuese, sepse ditën e djeshme, në rrugën “Hoxha Tahsim”, ka rënë nga lartësia si pasojë e mosvendosjes së barrierave mbrojtëse në skelën e ndërtuar, gjatë kohës që po punonte, punëtori P. N., 25 vjeç, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Po nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. K., 33 vjeç, sepse ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj ish-bashkëshortes së tij, duke e kërcënuar nëpërmjet telefonit.
Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit H. L., 55 vjeç, pasi në Shkozë, në banesë, ka ushtruar në mënyrë të vazhdueshme dhunë psikologjike dhe fizike ndaj motrës së tij.
Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit P. GJ., 49 vjeç, pasi në Valias të Vjetër, në banesë, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes, të cilës iu plotësua kërkesë-padia për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Shtetasi Y. D., 35 vjeç, banues në Tiranë mbrëmjen e djeshme ka kallëzuar se i është larguar nga banesa, djali i mitur me iniciale R. D., 11 vjeç. Punohet për gjetjen e tij dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.