Të shumtë janë qytetarët shqiptarë të cilët po përballen me një situatë absurde në pikën Kufitare në Kakavijë për shkak të radhëve të gjata mëngjesin e sotëm. Gazetarja Ira Londo shprehet se është rritur tensioni dhe po shfaqen konfliktet e para mes qytetarëve.
“Radhët e gjata në Kakavijë vijojnë, dëshmitarët thonë se është rritur tensioni dhe po shfaqen konfliktet e para. Autobusët dhe taksistët po i lënë pasagjerët larg pikës kufitare dhe ata kanë lëvizur më këmbë. Kjo gjë ka shkaktuar indinjatë mes shoferëve dhe pasagjerëve. Policia është e pranishme por nuk ka sqarime.
Formularët të cilët pasagjerët duhet të paraqesin në pikën kufitare skadojnë dhe duhen formularët e rinj. Është një situatë absurde, ndodhen familje, me fëmijë, të moshuar, nuk ka as ujë, as pika shitjeje. Situata është e njohur për palën greke por asnjë reagim dhe as ndonjë ndërhyrje nga pala shqiptare”, raportoi gazetarja Ira Londo.