Këngëtarja Rita Ora e cila festoi 30 vjetorin e lindjes pak ditë më parë, është akuzuar se ka shkelur rregullat e distancimit social pasi organizoi një festë të fshehtë.
Rita tregoi se këtë ditë të shënuar e festoi në shtëpinë e saj me familjarët, teksa publikoi dhe disa foto nga festa modeste. Mirëpo, ditëlindja e Ritës nuk është mbyllur me kaq, sepse ka organizuar edhe një festë me miqtë e saj në fshehtësi të plotë.
Sipas “The Sun”, këngëtarja kishte ftuar 30 miq në një restorant në Notting Hill, mes të cilëve ishin Cara dhe Poppy Delevingne si dhe motra e saj, Elena.
Një burim tha për gazetën britanike: “Rita dhe motra e saj erdhën të parat në restorant. Kishte një numër të ftuarish, të gjitha të veshura shumë glamour dhe hynë në ndërtesë nga pas, me sigurinë duke parë në pjesën e përparme për t’u siguruar që askush tjetër të mos hynte brenda.”
Sakaq, qeveria britanike ka theksuar shmangien e kontakteve fizike mes personave që nuk ndajnë të njëjtën shtëpi si dhe shmangien e takimeve në ambiente të mbyllura.