KULTURË

Për librin e një shoku që kurrë nuk e takova. Shënim për çka shkroi Atjon Zhiti me jetën e tij

12:34 - 28.12.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Andreas Dushi – Në ExLibris, gjatë këtyre njëqind e ca numrave, herë pas here kam shkruar për shkrimtarë, librat e të cilëve më kanë tërhequr. Ndonjërin prej tyre, rastësia e ka sjellë ta njoh, por jo deri në pikën sa ta kem apo të më ketë mik. Për çudi, i vetmi mik rreth të cilit po shkruaj është një njeri të cilin, as rastësia, as asnjë përbërës tjetër i së perceptueshmes nuk më ka mundësuar ta njoh. Ky është Atjoni, djaloshi që e fitoi përjetësinë e emrit në moshën 19-vjeçare, pak më i vogël nga sa jam unë tani.
Të shkruaj për Atjonin më ngjan e çuditshme. Qysh kur kam lexuar herën e parë librin “Për ata që dua(m)…”, ndjej si ta kem përballë. Po t’i them “Po shkruaj diçka për ty”, në brendinë e cipës së daulles së veshit më kumbon e lehtë si e shkruar me pupël të marrë nga flatra e një kerubini “S’ke ç’bën? Shkruaj për dikë a diçka tjetër!”. Respekti i tij përballë të shkruarit ngjan të ketë qenë aq i madh, saqë serioziteti me të cilën e ka përdorur fjalën, sikur manifeston atë çka latinët thoshin: Verba volant, scripta manent. Atjoni ashtu erdhi, si një fjalë e thënë në një lutje drejtuar Atit tonë dhe fluturoi bashkë me të, në qiejt e vetë lutjes.
Pas parathënies që Visari nuk e imagjinonte se do ta shkruante ndonjëherë, libri paraqet essenë “A jemi gati për atë që duam?”. Atjoni e thotë qartë se çfarë ne duam, paraprakisht duhet kuptuar e mandej kërkuar, tek analizon pararendëset e lirisë në mënyrë që kjo e fundit të përdoret ashtu sikurse duhet. Nuk dua të ndalem në një analizë të analizës sepse nuk bën sens. Ky shënim nuk qëndron në tentativën për të qenë kritikë, por me përvujtni kërkon me mbetë një bashkim shkronjash në trajtë petalesh mbi dheun ku mbinë pemët e librit të Atjonit. Prandaj ia lejoj vetes të ndalem jo në ato fraza a fjali ku dua, por ku e ndjej më pranë miqësinë e tij transhendente: …na ndodhi që një harabel a diçka e ngjashme të përplasej në dritaren, nga e cila po vështronim mendimet tona.
Mendimet e Atjonit ishin të pakufizuara, qiellore. Ata nuk shfaqeshin asnjëherë brenda diçkaje, por kërkonin të dilnin jashtë për të gjetur të parrokshmen. Pikërisht për këtë arsye, në shënimet e tij, shohim një koncept për udhëtimin e brendshëm, një tjetër perceptim të ligjit dhe shtetit (duket sikur ai princip aq i lartë nuk thotë se të gjithë ne jemi të barabartë përpara ligjit, por sikur të gjithë ne kemi mundësi të barabarta që ta përshtatim ligjin sipas njohjeve e mundësive tona), një pikëvështrim të ri mbi të bukurën dhe të shëmtuarën, konkreten dhe abstrakten, politikën, rrugën, zhgënjimin dhe shpresën. Brenda syve të tij, sikur shkëlqente një realitet tjetër, më i mirë, më i paqtë, më i bukur, më rinor, më i këndshëm, realitet që pasqyrohet në çfarë ai la të shkruar.
Qysh në fillim të vitit 2014, Atjoni ideoi një gazetë elektronike, një portal të quajtur Mesi Radikal. Se çfarë ishte kjo, e shpjegon vetë ai: Mesi Radikal është një idealizëm pa iluzione. Aty, ai sprovon veten. Provon të shkruajë në gegërishte dhe shkrimeve iu jep karakter më të qashtër filozofik, fusha akademike në të cilën po ndiqte studimet.
Për dikë tjetër do të thuhej “Është interesant fakti…”, por jo! Çfarë do të thuhet për Atjonin, nuk përbën interes, sepse prej tij pritej gjithçka, sepse dihej se ai mund të bënte gjithçka! Mes tyre, edhe përdorimin e mençur të “Facebook”-ut. Bisedat me një frymë kristalore të moshës më afrojnë edhe më shumë me të. I ndjej sikur të rrinë mbi ajër falë shtysës jogravitacionale të tymit të duhanit gjatë ndonjë bisede mes miqsh dhe buzëqesh lehtë tek vërtetoj atë çfarë besoj: Në çfarëdo rrethane e me çfarëdo mjeti, njeriu e tregon pamjen e shpirtit të tij, edhe gjatë një bisede private në “Facebook”.
Me kënaqësinë e atij ciceroni që në një muze arti veçon diçka të cilën e çmon për një sens hokatar në përmbajtje, po ndalem pak në një intervistë ku Atjoni është gazetari dhe Visari, i intervistuari. Gjatë gjithë jetës, nuk kam lexuar intervistë të tillë. Me një sinqeritet familjar, herë–herë ngjitas naivitetit që shkakton ndjenja e ngrohtësisë, Atjoni pyet të atin për gjëra që nuk i di, ose i di ndryshe.
Atjoni:… Cila ka qenë ëndrra juaj kur ishit gjimnazist dhe cila është ëndrra juaj në sirtar?
B:… Ëndrra ime në sirtar? Por po e nxora nga sirtari, s’është më e tillë. Por po ta them, se të dua shumë: ëndërroj të jem sa më i dobishëm… për tim bir, së pari, për botën, thjeshtësisht, i natyrshëm…
Atjoni:… As unë s’e di se si mund të futet ëndrra në sirtar. Nuk ka sirtar t’i nxërë ëndrrat e mia. Ngjajnë me qiellin, me yjet…
***
Ky libër vishet nga një tis letre, por brendinë e ka prej të njëjtit material me atë të shpirtit. Dyzimet tradicionale trazohen nga mendime të treta, të katërta, të pesta; problematikat nuk zgjidhen, por anojnë drejt kërkimit të kuptimit; mendimet dhe ëndrrat bëhen bashkë për t’u nisur drejt lexuesit si nusepashka – lajmëtare të dhuratës: një kuptim i ri i së tashmes, mbi bazën e të cilit fillon të marrë trajtë e ardhmja.
Atjoni nga njeri i përveçëm është kthyer në simbol të përgjithshëm, përmbledhës i një tërësie hiresh nga Ati.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.