Intervista

“Kujdes nga grumbullimet elektorale, mund të jenë “bombë infektive”, mjeku Drilon Çupi: Të vërtetat mbi efikasitetin e vaksinës ruse dhe kineze

09:36 - 26.03.21 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro




 

Dje ka nisur zyrtarisht fushata zgjedhore në Shqipëri. Pavarësisht vendimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve për ndalimin e grumbullimeve mbi 10 persona, gjasat janë që ky vendim të mos gjejë zbatim. Por sa rrezikon Shqipëria një boom infektimesh pas disa javësh? Në një intervistë për Gazeta Shqiptare, mjeku Drilon Çupi, specialist i mjekësisë interne dhe urgjencës në Gjermani thekson se fushata zgjedhore është një nga evenimentet më dinamike në Shqipëri dhe mundësia e mosrespektimit të këtyre masave është shumë i madh. Sipas mjekut të njohur mosrespektimi i masave do të sjelli një “bombë infektive” për qytetarët shqiptarë. Më tej Çupi flet edhe për vaksinat kineze dhe ruse të ardhura në Shqipëri, sigurinë dhe efikasitetin e tyre. Mjeku sqaron në mënyrë të detajuar se cilat janë kategoritë më të riskuara që duhet të vaksinohen më shpejt dhe nënvizon se fëmijët apo adoleshentët nën 16 vjeç, pacientët me sëmundje kanceroze që janë nën terapinë imunosuprimuese nuk duhet të vaksinohen ndërsa për sa i takon grave shtatzëna për momentin nuk është e këshilluar marrja e vaksinës anticovid.

Dje nisi zyrtarisht fushata zgjedhore në Shqipëri. Pavarësisht se temperaturat janë në rritje, a duhet të presë vendi ynë rritje të numrit të rasteve pozitive për shkak të grumbullimeve?

Në datën 18.02.2021 ne personeli mjekësor brenda dhe jashtë Shqipërisë (rreth 505 firmëtarë) përpiluam një letër të hapur drejtuar zyrës së Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Kryeministrit të Shqipërisë dhe njëkohësisht kryetarit të Partisë socialiste, kryetarit të partisë Demokratike, kryetares së partisë Lëvizja socialiste për integrim, kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe të gjithë kryetarëve të subjekteve politike që do marrin pjesë në zgjedhjet e 25 prillit ku ne shprehnim shqetësimin në lidhje me mbarëvajtjen e masave anticovid gjatë fushatës zgjedhore. Ne i bëmë me dije në letrën tonë statusin ligjor që vet ata e kanë miratuar dhe është në fuqi në lidhje me këto masa në kushtet e pandemisë. Fushata zgjedhore është një nga evenimentet më dinamike në Shqipëri dhe mundësia e mosrespektimit të këtyre masave është shumë i madh. Mosrespektimi i tyre do të sjelli atë që unë e kam nominuar si ” Bombë infektive” për qytetarët shqiptar. Shëndeti i çdo qytetari është më i rëndësishëm sesa aktiviteti i kryetarit të partisë që ato simpatizojnë. Prandaj faktorët politikë që kemi përmendur në fillim të letrës tonë të hapur kanë përgjegjësitë kryesore ligjore e morale që të nxisin respektimin e këtyre masave gjatë aktivitetit të tyre me elektoratin e tyre. Nuk do të jetë kryetari i partisë së tyre që do i ndihmojë qytetarët shqiptarë nëse lëngojnë në shtratin e tyre apo në spital të intubuar nga COVID-19. Premtimet që kryetarët e tyre do të bëjnë sot para zgjedhjeve nuk do jenë të mundura të realizohen pas zgjedhjeve sepse ose do jenë duke vuajtur në shtëpi apo në spital nga COVID-19 ose nuk do të jenë më në këtë botë. Prandaj i lutem në pozicionin e mjekut të gjithëve qytetarëve të Shqipërisë që mos të bien preh e thirrjeve antihumaniste për t’u grumbulluar gjatë fushatës zgjedhore, mosmbajtjes së maskës dhe distancës. Shëndeti mbi të gjitha!!!

 

A duhet që Komiteti Teknik i Ekspertëve të marrë masa për të parandaluar rritjen e kurbës së infektimeve?

Vendimi i Komitetit të datës 24 mars për të vazhduar masat shtrënguese dhe vazhdimin e urdhrit për mosgrumbullimin mbi 10 persona edhe gjatë fushatës zgjedhore është për t’u përshëndetur. Mbarëvajtjen e këtyre rregullave duhet ta ketë vetë çdo qytetar në radhë të parë e pastaj të kërkojmë fajin tek zyrat ligjzbatuese. Gjatë fushatës zgjedhore duhet që krerët e partive të bëjnë sa më shumë mesazhe sensibilizuese së bashku me median për të respektuar masat anticovid. KQZ-ja është shumë mbrapa, sipas opinionit tim, në prezantimin e mesazheve sensibilizuese për masat anticovid gjatë fushatës dhe në ditën e zgjedhjeve. Nuk është e rëndësishme vetëm të informosh popullatën sesi vendoset kryqi tek fleta e votimit por më e rëndësishme është si të sillet popullata gjatë fushatës dhe ditën e votimit në lidhje me masat anticovid.

Shqipëria ka marrë dozën e parë të vaksinave Sputnik. Sa e sigurtë dhe eficente është vaksina ruse?

Vaksina Gam-COVID-Vac (Sputnik V) përdor dy vektorë viralë jo-riprodhues (adenovirusët njerëzorë Ad26 për injeksionin e parë dhe Ad5 për të dytin), të rekombinuara për të shprehur të gjithë proteinën Spike (S) të SARS -CoV-2, përfshirë domenin e tij të lidhjes së receptorëve ACE2 (RBD, Domain binding Receptor).

Zgjedhja e dy vektorëve të ndryshëm bazohet në dëshirën për të anashkaluar problemin e imunitetit të drejtuar kundër vektorit pas injeksionit të parë, imunitet i cili mund të dëmtojë efektet imunogjene të injeksionit të dytë. Kjo vaksinë u zhvillua nga Qendra Kombëtare Ruse për Kërkime në Epidemiologji dhe Mikrobiologji (e njohur si “Qendra Gamaleya” me emrin e një vaksinologu sovjetik, i cili ishte një student i Louis Pasteur), e cila tashmë e ka përdorur këtë teknologji në kërkimin e një vaksine kundër Ebolës. Magazinimi dhe shpërndarja e tij afatgjatë është në -18 ° C, por mund të ruhet midis 2 dhe 8 ° C. Paraqitur në formë të lëngshme, duhet të administrohet në mënyrë muskulore, në 2 injeksione të ndara me 21 ditë. Efektiviteti i saj rezulton të jetë 91,6 % ku është e studiuar në 21,977 Proband përpara se të administrohet gjerësisht në popullatë. Në datën 4 mars të 2021 agjencia europiane e barnave (EMA) ka filluar aktivisht të shqyrtojë këtë vaksinë në lidhje me të gjitha hallkat që nga fazat e studimit, fabrikimit e në rezultatet aktuale në popullatë. Skepticizmi ndaj kësaj vaksine erdhi si pasojë e përshpejtimit në kohë të fazave të prodhimit të vaksinës vitin e shkuar. Rusia në shtatorin e 2020 filloi transportimin e tyre edhe pse Faza III e studimit nuk ishte mbyllur në shtete si India, Brazili, Meksika dhe Kazakistani. Në 2 dhjetor të 2020 ishin rreth 100.000 njerëz të vaksinuar me këtë vaksinë. Në datën 5-6 dhjetor Rusia filloi procesin masiv të vaksinimit për qytetarët e saj. Çmimi i eksportit për këtë vaksinë u vendos mos të jetë mbi 20 dollarë. Në datën 20 Janar 2021 u bë kërkesa zyrtare tek Agjencia Europiane e Barnave (EMA) për licencimin e kësaj vaksine në tregun brenda Bashkimit Europian. Më 20 janar të 2021 Hungaria ishte i vetmi shtet brenda Bashkimit Europian që realizoi një licencim urgjence për vaksinën ruse dhe prenotoi rreth 2 milionë vaksina ruse. Konfrontimi i kësaj vaksine me variantet mutante të SARS-Cov-2 (Mutacioni anglez, brazilian dhe afrikano-jugor) nuk është paraqitur ende në studime dhe nuk dihet efektiviteti i saj në raport me këto mutacione. Rusët luajtën ruletën ruse me shpikjen e kësaj vaksine, por që, siç koha po e tregon, edhe këtë radhë nuk shkrepën plumbin.

 

Ndërkohë është finalizuar marrëveshja për të sjellë vaksinën kineze në Shqipëri. Po kjo vaksinë sa e sigurtë është?

Prodhuesit kinezë të vaksinave anticovid janë: Sinopharm, Sinovac dhe CanSinoBIO që sipas strukturave të kontrollit të barnave në Kinë i kanë kaluar testet kërkimore me sukses. Sinopharm më 30 dhjetor u realizua licencimi i përdorimit të kësaj vaksine në Kinë kur ndërkohë më 9 dhjetor u licencua në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe më 12 Dhjetor në Bahrein.

Në konceptin e mekanizmit të tyre është përdorur një nga konceptet klasike të vaksinave si ajo e viruseve te inaktivizuara. Sinopharm në fazat I dhe II të studimit u publikuan në revistën shkencore “LANCET” që prania e antitrupave u provua të ishte e pranishme 4 ditë pas aplikimit të vaksinës. Për sa i takon fazës 3 të studimit sipas prodhuesit farmaceutik janë 125 shtete dhe rreth 60.000 persona që janë testuar e monitoruar dhe efektiviteti rezulton rreth 86%. Më 15 janar sipas të dhënave të kompanisë prodhuese janë rreth 10 milion njerëz të vaksinuar me këtë vaksinë. Në 29 janar Hungaria ka porositur 5 milionë doza edhe pse kjo vaksinë nuk është licencuar akoma nga Agjencia e Barnave Europiane. Sinopharm në fund të dhjetorit ka dërguar dokumentacionin në zyrat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për të kërkuar miratimin për përdorim të gjerë të kësaj vaksine. Vaksina e dytë Coronavac e firmës farmaceutike Sinovac mekanizmin e veprimit e ka siç e përmenda dhe më lart me virus të inaktivizuar. Faza e tretë e studimit u realizua në Turqi, Kili dhe Brazil. Në Brazil ne nëntor pati një ndërprerje të studimeve për arsye të rritjes së infektimeve gjatë testimeve, por Sinovac referoi që kjo s’ka lidhje me këtë vaksinë dhe procesi i testimeve rivazhdoi. Në Turqi rezultoi që efektiviteti i kësaj vaksine është rreth 91,25%, në Indonezi 65%. Në Brazil rezultoi 50,4% që në studim grupet e monitoruara ishin ato që kishin mutacionin brazilian dhe virusin dominant dhe në studim nuk u mor veçimi i tyre. Firma e ka dërguar dosjen për licencim nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në mesin e janarit dhe pritet vendimi i saj pas ekspertizës. Kompania prodhuese e tretë kineze është CanSinoBIO që mekanizmi i veprimit është i bazuar në një vektor adenovirus human që në fazat e para të studimit I dhe II rezultoi që organizmi i njeriut të arrijë nxitjen e imunitetit 14 ditë pas aplikimit të kësaj vaksine dhe maksimumi i titrit të antitrupave ishte në ditën e 28. Të dhënat u publikuan gjithashtu në revistën shkencore “LANCET” në korrik të vitit 2020. Faza e tretë e studimit filloi masivisht në Argjentinë, Kili, Meksikë, Pakistan dhe Rusi. Kërkesa për miratim nga Organizata Botërore e Shëndetësisë është depozituar dhe vendimi akoma nuk ka dalë.

 

A është problem fakti që nuk janë të certifikuara dhe a duhet që qytetarët të vaksinohen pasi një pjesë e mirë janë skeptikë për vaksinën?

Certifikimi nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe EMA (Agjencia e Barnave Europiane) është një standard sigurie dhe transparence për çdo medikament apo vaksinë e re që hidhet në treg. Në situatën që ne jetojmë është një konfuzion shumë i madh në lidhje me procesin e vaksinave saqë të gjithë dyshojmë që rregullat e tregut makroekonomik në çështjen e vaksinave kontrollohen politikisht dhe veprohet sipas fuqisë lobuese të firmave farmaceutike të shteteve korresponduese. Vaksinat që janë aktualisht në treg që ende nuk janë licencuar nga zyrat përkatëse ruse dhe kineze për momentin janë të administruara në një numër shumë herë më të madh në popullatën botërore sa vetë vaksinat e licencuara. Fakti praktik i tyre që popullatat që janë vaksinuar nuk kanë pasur efekte anësore dhe që të vaksinuarit nuk kanë pësuar një dekurs të rëndë klinik kur janë të infektuar me COVID-19 na bëjnë të mendojmë që aplikimi i tyre edhe në Shqipëri në kushte emergjence është i duhuri. Asnjë shtet nuk ndodhet në luksin e përzgjedhjes së vaksinave, kështu që dhe Shqipëria nuk e ka këtë luks.

Sipas ministres së Shëndetësisë javën tjetër në vend do të nisë vaksinimi masiv. Si e gjykoni këtë dhe sipas jush cilat janë kategoritë që duhen vaksinuar më parë?

Prioriteti i vaksinimit kategorizohet në prioritet të lartë që ndahen në 3 grupe (ngjyra): E kuqe, portokalli dhe e verdhë dhe në grupin e 4-rt që nuk kanë prioritet. Grupi 1 (Kuqe) : Personat mbi 80 vjeç, personat në shtëpitë sociale/azile, personeli mjekësor dhe personeli i shtëpive sociale/azile. Grupi 2 (portokalli) : Personat 70-80 vjeç, personat invalidë, personat e transplantuar apo me sëmundje imunitare kronike apo të imunosuprimuar nga terapitë, personeli arsimtar, personat me sëmundje mendore, të sëmuret onkologjik, personat me sëmundje të rënda të rrugëve respiratore, policët dhe zjarrfikësit, personat që qëndrojnë me një grua shtatzënë, personat që punojnë në poste kyçe qeveritare apo kompani të mëdha. Grupi 3 (verdhë) : personat 60-70 vjeç, personat me sëmundje kronike, personat që punojnë në tregun ushqimor, personat që punojnë në institute apo organizata. Personat që punojnë në vijën e parë të fushës së transportit. Grupi i katërt që nuk ka prioritet është: personat më jo më shumë se 60 vjeç dhe pa sëmundje shoqëruese.

 

Sa ekziston rreziku i tregtimit të vaksinave nën standard apo të falsifikuara?

Procesi i vaksinimit dhe i transportimit është në masa shumë të larta sigurie. Kontratat me firmat farmaceutike janë shumë serioze dhe kanë një siguri shumë të lartë. I gjithë aparati shtetëror i një vendi merr pjesë në këtë proces dhe gjasat që spekulantët të përfshihen në këtë proces janë shumë të vogla. Në vendet e varfëra nëse spekulantët arrijnë derisa të bëjnë kompromise me aparatin shtetëror për të administruar vaksina te rreme, atëherë ai vend me ato pushtetarë është i destinuar të shkatërrohet.

Cilat janë kategoritë që nuk mund të vaksinohen?

Kategoritë që nuk duhet të vaksinohen janë: fëmijët apo adoleshentët nën 16 vjeç, pacientët me sëmundje kanceroze që janë nën terapinë imunosuprimuese, për sa i takon grave shtatzëna për momentin nuk është e këshilluar të vaksinohen. Një vaksinim aksidental i tyre nuk do të thotë me ndërprerë shtatzëninë pasi është pothuajse e pamundur që vaksina të jetë ndonjë risk për fetusin. Personat që kanë një temperaturë mbi 38,5 gradë Celsius duhet ta shtyjnë vaksinimin deri sa të jenë fizikisht të shëndoshë. Një ftohje e lehtë stinore apo temperaturë nën 38,5 gradë Celsius nuk është kundraindikacion për t’u vaksinuar. Personat që janë alergjikë ndaj substancave që bëjnë pjesë në një vaksinë nuk duhet të vaksinohen me atë vaksinë, por duhet të gjejnë mundësinë për të njëlloj tjetër vaksine. Të infektuarit me Sars-CoV-2 duhet të presin 6 muaj që të kenë mundësi të vaksinohen.

 

Ka shumë teori konspirative që pretendojnë se vaksinimi do të shkaktojë sterilitet me synim uljen e popullsisë. Cila është përgjigjja juaj për këto teori?

Teoritë konspirative janë të shumta që me daljen e koronavirusit e deri te vaksinimi ndaj tij. Sipas komisionit të vaksinave me Institutin Robert Koch Berlin Gjermani vaksinat që janë licencuar nga EMA deri tani nuk e kanë si efekt anësor sterilitetin si efekt te padëshiruar. Për të ulur numrin e popullsisë ekzistojnë rrugë të tjera më transparente e ligjore siç ka bërë praktikisht shpesh dhe shteti kinez. Vaksinimi është rruga e vetme që kemi për të dalë nga pandemia dhe nuk kemi luksin e alternativave të tjera. Të zgjedhësh rrugën e vetinfektimit është rrezik i lartë që çdokush bën me jetën e tij. Prandaj i sugjeroj të gjithë njerëzve kudo që janë të shfrytëzojnë mundësinë e vaksinimit në mënyrë që t’i kthehemi aktivitetit normal jetësor.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.