Intervista

“Është rritur numri i divorceve, martesat e programuara janë shtyrë”, mjeku Avenir Balili: Si ka ndryshuar jeta intime në “erën covidiane”

11:28 - 12.04.21 gsh

Voltiza Duro



Pandemia COVID-19 ka ndikuar dhe modifikuar shumë aspekte të jetës tonë, përfshirë këtu edhe marrëdhëniet intime. Në një intervistë për suplementin “Life Pages” në ‘Gazeta Shqiptare’ mjeku obstetër gjinekolog, Prof. Ass. Dr. Avenir Balili tregon se tronditja ka ndodhur si brenda familjeve të qëndrueshme ashtu edhe në ato të çifteve të reja si dhe i të rinjve e të rejave “të lirë” në përgjithësi. Sipas tij divorcet janë shtuar, martesa të programuara janë shtyrë ose janë prishur përfundimisht. Balili nënvizon se ndikimi psikologjik, afektiv dhe ekonomik i pandemisë do të ndjehet edhe për shumë kohë mbas kalimit të saj.

Sa ka ndikuar pandemia COVID-19 në jetën tonë?    

Shpesh nëpër ekranet e kinemave e televizioneve shfaqen filma horror me kafshë gjigande, sulme bërthamore e insekte që rrezikojnë të gjithë njerëzimin. Hidhen në treg plot libra “fantasiko-shkencor” që terrorizojnë të mëdhenj e të vegjël. Sot bota po trembet nga një kërcënim i vërtetë, nga virusi i padukshëm i COVID-19 ose SARS-CoV-2. Janë harruar fare HIV/AIDS, tmerri i gjeneratave të tëra, SARS-Cov1, Ebola etj. Fjala epidemi vjen nga greqishtja e vjetër, “epi-mbi” dhe “demos-popull”, ndërsa “pan-i gjithi”. Pandemia e sotme është një rrezik ndërkombëtar për të gjithë popujt dhe ka ndikuar thellë në marrëdhëniet ndërmjet organizatave botërore, shteteve, qyteteve, shtresave të shoqërisë, familjeve dhe individëve. Ky infeksion i shkaktuar nga një mikroorganizëm i ri i panjohur më parë ka modifikuar mënyrën e jetesës tonë.

Ky modifikim i jetesës, a ka ndikuar edhe në marrëdhëniet në çift?

Ndikimi është ndjerë deri në gjirin e çifteve, por edhe në marrëdhëniet e tyre intime. Tronditja ka ndodhur si brenda familjeve të qëndrueshme ashtu edhe në ato te çifteve të reja si dhe i të rinjve e të rejave “të lirë” në përgjithësi. Papritur izolimi social, izolimi fizik, ndërprerja e aktiviteteve ekonomike, pushimet nga puna, vështirësitë ekonomike, e ardhmja e pasigurtë ka çuar në prishjen e ekuilibrave familjare. Divorcet janë shtuar, martesa të programuara janë shtyrë ose janë prishur përfundimisht. Ndikimi psikologjik, afektiv dhe ekonomik i stuhisë Covidiane do të ndjehet edhe për shumë kohë mbas kalimit të saj. Në fillim, në mediat vizive u shfaqen vdekjet nëpër rrugë të të infektuarve pastaj spitalet e mbingarkuara, mjekët nëpër pavijone me veshje si astronaut u ekstremizua deri te karvanët e kamionëve me arkivolet e të vdekurve të vetmuar. Sëmundja u bë reale kur filluan të shfaqeshin humbjet e papritura të të njohurve pastaj të të afërmve e më në fund në familje.  Në fillim mungesa e maskave pastaj lockdown-i, me vonë mungesa e vaksinës, mungesa e ilaçeve etj, patën efektin e tyre mbi qëndrueshmërinë psikike të individit dhe kolektivitetit. Veçanërisht të dëmshme rezultuan “teoritë konspirative” dhe së fundmi inefikasiteti i vaksinës Astra Zeneca. Frika nga vdekja, komplikimet psikologjike e bënë jetën seksuale të vaket e të padëshiruar për disa partner të qëndrueshëm. Për të rinjtë veçanërisht përveç të tjerave edhe me pamundësinë e lëvizjes dhe pasjes së kontakteve te afërta u dëmtuan më shumë.

Mos ndoshta partnerët kanë pasur frikën e infektimit nga sar cov2?

Coronavirus edhe pse nuk është drejtpërdrejt i transmetueshëm, seksualisht favorizon indirekt infektimin e partnerëve. Si viruse, coronaviruset kanë disa veçori të përbashkëta me viruset seksualisht të transmetueshëm si ai i HIV/AIDS etj. Prania e Coronavirusit në lëngun spermatik edhe sekrecionet vaginale është tashmë e konfirmuar.

Virusi përhapet në ajër me anë të spërklave ose pikëzave të pështymës dhe të sekrecioneve nga rrugët e sipërme të frymëmarrjes gjatë të folurit dhe më shumë gjatë kollitjes e teshtimave. Virusi eliminohet edhe në materiet fekale prandaj rruga fekalo orale është tjetër drejtim transmetimi. Të gjitha lëngjet trupore janë të ndotura duke përmbledhur pështymën, sekrecionet e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, limfën, gjakun, feçet, urinën, djersën e lotët.

Cili është roli i marrëdhënieve seksuale në jetën e njeriut?

Ndryshe nga shumica e kafshëve ku afrimi dhe bashkëveprimi seksual kryhet sezonalisht nën instinktin e riprodhimit tek njeriu ky aktivitet nuk njeh stinë e moshë dhe është një burim i fuqishëm mirëqenies fizike, mendore, psikike, emocionale e sociale. Aktiviteti seksual është një nevojë biologjike jetike si për meshkujt ashtu edhe për femrat. Efekti i seksit mbi shëndetin e njeriut njihet prej kohësh. Seksualiteti i çdo individi përcaktohet brenda përmbajtjes sociale kulturore në etapa të caktuara të jetës dhe është produkt i gërshetimit të faktorëve biologjik, social, historik e besëtytnor. Ndër faktorët biologjik ka rëndësi trashëgimia, mosha, mirërritja, mirëqenia, niveli hormonal, sëmundjet etj. Faktorët socialë përcaktues janë edukata familjare, shkollimi, kultura, pozicioni social etj. Faktorë historik kanë përcaktuar seksualitetin e shoqërisë dhe individit në mënyra të ndryshme po ashtu edhe besimet e ndryshme kanë pasur influencë edhe në jetën intime të njeriut.

Mund të na përmendni disa nga përfitimet shëndetësore të raportit seksual?

Gjatë raporteve seksuale çlirohen një seri lëndësh të quajtura endorfina ose droga të brendshme që krijojnë një gjendje mirëqenieje fizike e mendore në organizmat pjesëmarrëse. Një jetë seksuale e rregullt dhe e kënaqshme ka ndikim direkt e indirekt pozitiv mbi shëndetin e secilit: Forcon sistemin immunitar; Mbron sistemin kardio-vaskular në kombinim me dietën e ekuilibruar dhe aktivitetin fizik; Të mban të ri e ne formë të mire fizike; Vonon plakjen; Përmirëson gjumin; Përmirëson humorin, dhe ul agresivitetin; Rrit rendimentin në punë; Lehtëson dhimbjet sidomos ato të kokës; Rrit vetëbesimin e vetërespektin duke përmirësuar cilësinë e jetës; Përmirëson kontrollin e diabetit si dhe ul kolesterolin në gjak; Ul sëmundshmërinë nga patologjitë e prostatës tek meshkujt.

Cilat janë rekomandimet tuaja për të parandaluar parandalimin e COVID-19 nëpërmjet sjelljes seksuale?

Po paraqes disa rekomandime që japin seksologët e gjinekologët, infeksionistët për parandalimin e infektimit nga sjellja seksuale e gabuar: Praktikimi i seksit vetëm brenda një çifti të qëndrueshëm.

Të evitohen lidhjet me partnerë të rastësishëm dhe të panjohur; Puthja mund te bëhet një vektor i transmetimit të Coronavirusit si brenda çiftit ashtu edhe jashtë tij; Respektim i higjienës intime në maksimum, bërja e dushit përpara dhe pas raporteve seksuale. Kujdes i veçantë për pastërtinë e duarve; Të mënjanohen raportet kur njëri prej përbërësve të çiftit rezulton pozitiv me coronavirus dhe të ndiqen udhëzimet e izolimit brenda shtëpiak; Të evitohen praktikat seksuale që mbartin rrezikun e infektimit ano oral ose me anë të spermës dhe urinës; Të higjenizohet ambienti ku kryhen marrëdhëniet; Prezervativi dhe pilula kontraceptive mbrojnë nga infeksionet seksualisht të transmetueshme dhe barrat e padëshiruara, por jo nga COVID-19.

Si shikohet e ardhmja, a do të mund të kthehemi si më parë? 

Nga anketimet e bëra rezulton si alternativë e seksit real ajo e seksit virtual shfrytëzimi i shtuar i: Pornografisë online; Seksit vetmitar. Disa specialistë këshillojnë si masa parandaluese pozicione të caktuara, jo fytyrë me fytyrë. Ekstremizohet deri në kompletimin e mbrojtjes gjatë bashkimit seksual me maska kirurgjikale, “prezervativë anticovidiane”, dezinfektante të duarve dhe të trupit edhe në fund me përdorimin e barrierave mbrojtëse sintetike ndërmjet dy trupave.

Fatkeqësisht është rritur dhuna në familje dhe veçanërisht ndaj femrave me tepër si pasojë e vështirësive ekonomike dhe pasigurisë për jetesë nga Corona. Depresioni post Covid i shoqëruar me vetëvrasje është i shpeshtë. Për shumë çifte, problem po bëhen impotencat mashkullore post covidiane disa herë tranzitore e të tjera që po zgjasin. Ndoshta duhet pak më shumë kohë për të rimarrë veten. Influenca mbi infertilitetin femëror do të saktësohet vite më vonë.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.