Intervista

Flet epidemiologia në Shtetet e Bashkuara, Rubina Muzina: Infertilitet nga vaksinat? Ja argumentet që e rrëzojnë

10:03 - 12.04.21 gsh

Voltiza Duro



Vaksinimi anticovid vijon të mbetet një ndër temat më të diskutuara të momentit. Jo pak persona i frikësohen vaksinës, ndihen të pasigurtë e madje në morinë e pafundme të informacionit, ka dhe nga ata që zgjedhin t’i besojnë teorive konspirative. Në një intervistë për ‘Gazeta Shqiptare’, epidemiologia shqiptare, Rubina Muzina, e cila punon në Teksas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës sqaron mbarë opinionin publik se vaksina më e mirë është ajo që kemi në dispozicion tani, ajo që na mbron nga format e rënda të sëmundjes dhe humbja e jetës.

Si paraqitet situata e pandemisë në Shqipëri?

Të dhënat nga tre modelet ndërkombëtare tregojnë një ulje të kurbës, por ne pamë nga përvoja e shkuar se në pandemi janë shumë faktorë që luajnë rol në të. Nëse mobilititeti (lëvizja e njerëzve rritet), masat e shëndetit publik si distanca, maskat, higjiena nuk zbatohen, variantet e reja nëpër këmbë, me një Kosovë të pavaksinuar, një Evropë nën covid, ne nuk jetojmë në një ishull. Nuk ka shkop magjik dhe vaksinimi ynë nuk do të na ndihmojë në mitigimin e pandemisë nëse faktorët e mësipërm dështojnë.

Vaksinimi masiv ka filluar dhe deri tani janë vaksinuar mbi 250 mijë qytetarë. Si e vlerësoni procesin e vaksinimit?

Nuk është proces i lehtë, përfshin fasha të ndryshme, mosha të ndryshme, profesione të ndryshme. Por kur ke një plan lëviz shpejt. Më kryesorja është që ne duhet të vaksinohemi. Sa më shpejt dhe sa më agresivisht sepse 2021 do të jetë viti i një pandemie të varianteve. Sa do të ndikojnë ato tek efikasiteti i vaksinave, tek terapitë antivirale, tek sëmundshmëria që do të përcaktojë dhe kurbën e pandemisë kudo. Ne duhet të paktën të kemi mbrojtjen nga virusi origjinal që të mund të ecim përpara.

A mendoni se vaksinimi po përdoret politikisht në Shqipëri, qoftë nga qeveria, qoftë nga opozita? Dhe sa ndikon kjo në shëndetin e qytetarëve?

Shqiptarët nuk vënë bindjet e tyre politike përpara ruajtjes së shëndetit të tyre. Por politika duhet të jetë shumë e kujdesshme në retorikën e tyre. Një popull që kaloi dy trauma të fuqishme në më pak se dy vjet, nuk meriton të dëgjojë një gjuhë agresive që godet tek pika më e dobët e kësaj pandemie: vaksinimi dhe shpëtimi i jetës. Njerëzve të vendit tim unë u them: me vaksinim ju mbroni jetën tuaj dhe të njëri tjetrit. Me votën tuaj të lirë ju ndryshoni komunitetin ku jetoni. Vendimi për të dyja fillon dhe mbaron tek ju. Dhe për mjekët: besnikëria juaj fillon dhe mbaron tek pacienti. Mjekësia qëndron mbi gjithçka sepse njerëzit i kanë sytë nga ju.

Sa efektive është vaksina kineze? A mendoni se do të marre certifikim nga EMA?

Unë prapë e them: Vaksina më e mirë është ajo që kemi në dispozicion tani. Që na mbron nga format e rënda të sëmundjes dhe humbja e jetës. Mua nuk do të më dëgjoni të zgjedh asnjëherë një vaksinë të caktuar, sepse ne nuk kemi studime që bëjnë krahasime kokë më kokë të vaksinave sepse ato u studiuan, miratuan në kohë të ndryshme, me ose pa variante, në vende të ndryshme, me objektiva të ndryshme. Mos u kapni shumë tek numrat e efikasitetit në studime klinike, sepse ajo është shumë e ndryshme kur aplikohet në kohë reale në popullsinë e gjerë me miliona doza. Mos harroni se vaksina e gripit ka efikasitet vetëm 40-60%, por ajo na mbron çdo vit nga format e rënda të sëmundjes. Shkenca ka vendosur si dysheme 50% efikasitet për aprovim dhe kjo vaksinë shkon nga 50% deri në 70%. Duhet theksuar se 50% u raportua në Brazil kur varianti vdekjeprurës brazilian ishte nëpër këmbë dhe tek punonjësit e shëndetësisë që kishin ngarkesë virale më të lartë sepse ishin në kontakt me të sëmurët. Grupmosha ishte 18-59 vjeç se nuk kishin mosha të treta në radhët e tyre megjithëse 5% e tyre ishte mbi 60 vjeç. E dhënë me dy doza të ndarë të paktën 28 ditë, kjo teknologji e virusit të inaktivizuar të ngjashme me atë të poliomelitit, siguron një mbrojtje me anë të imunitetit humoral dhe qelizor që është më e gjerë sesa vetëm tek antikorpet vetëm “në gjembin” e virusit. Sigurisht do të shohim të dhënat por s’ka vend për panik. Organizata Botërore e Shëndetësisë po bën inspektimin e fabrikave ku do të prodhohet vaksina që më tregon mua nga eksperienca ime se procesi është afër fundit. Nëse miratohet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë do të jetë nën një ombrellë aprovimi shumë të gjerë që është oportunitet shumë i mirë në pandemi. Varet pastaj nga plani i biznesit të kompanive nëse duan më shumë territor shitjeje të vaksinave të tyre dhe të aplikojnë tek EMA me paketën e tyre të patentës.

Po vaksina ruse?

Vaksina ruse ka mekanizmin e veprimit shumë të ngjashëm me AstraZeneca dhe Johnson&Johnson. Ndryshimi është që përdor dy vektorë (adenoviruse) të ndryshëm për të krijuar mbrojtjen tek “gjëmbi” i virsuit. Është një gjë e mirë, sepse në sëmundjet infektive kombinimi i 2 vektorëve mendohet që jep një mbrojtje përforcuese heterogjene më të mirë sesa mes një e vetme. Tashmë ka aplikuar tek EMA për aprovim. EMA po analizon paketën rregullatore të kësaj vaksine në sistem “rolling“. Çfarë do të thotë kjo? Në kushte normale ata presin të mbarojnë të gjitha fazat e studimeve klinike për të aprovuar një vaksinë. Në kushte të rënda të një pandemie, agjencitë rregullatore analizojnë të dhënat sapo ato të jenë të gatshme për t’u analizuar dhe shkurtojnë burokracinë në procesin e tyre. Pa vaksina, ne kemi 0 mbrojtje. Kujtoj që për çdo vaksinë që merr, në bazë të protokolleve tona këtu ne quhemi plotësisht të vaksinuar, 2 javë pas dozës së dytë të vaksinës.

Çfarë doni t’u thoni gjithë skeptikëve që besojnë teoritë konspirative mbi vaksinën?

Ne jemi të gjithë bashkë në luftën kundër pandemisë më të egër të shekullit por në të njëjtën kohë të ”infodemic” pandemisë së informacionit. Për këtë arsye ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm si dhe ku e marrim informacionin për të. Kur lexoni në internet, në media sociale përpiquni të merrni informacionin nga burime të besueshme por të shumta, gazeta të njohura të vendit dhe ato ndërkombëtare, nga lajmet, televizioni, profesionistët. Nëse shikoni online postime nga persona anonim, mendoni që ai informacion nuk mund të jetë shpjegimi i duhur. ‘Facebook’ tani ka vendosur një informacion që mund ta lexoni sa herë që përmendet fjala pandemi dhe vaksinë. Bëni pyetje të shumta profesionistëve të fushës për të marrë informacionin e duhur.

Të rinjtë përgjithësisht po hezitojnë pasi mendojnë se vaksina do të ndikojë negativisht në fertilitet. Cila është përgjigjja juaj lidhur me këtë?

Faleminderit për pyetjen, sepse ky dezinformim është vërtet shumë i rrezikshëm. Dua të ndaloj pak këtu. Ky dezinformim qarkullon dhe këtu në internet ku shumë të rinj e marrin si informacion të vërtetë. Nuk është as fenomen shqiptar dhe as një fenomen i ri në këtë pandemi. Ne e kemi hasur shumë si taktikë të lëvizjes antivaksinë dhe në vaksinat e tjera si asaj të hepatitit B, HPV, të poliomelitit etj. Kaq keq ndikoi kjo tek kjo e fundit saqë në vendet në zhvillim shumë njerëz refuzonin vaksinat kundër polios nga frika e infertilitetit duke e mbajtur të gjallë sëmundjen. Por çfarë e bën këtë dezinformim një nga më të rrezikshmit? Është fakti që ky dizinformim “mbulohet” me terma shkencore që ngatërrojnë njerëzit e thjeshtë dhe imponojnë një ‘bindje të rremë” që kjo është një “teori shkencore e provuar”. Ne dimë tashmë që vaksina kundër covid-19 krijon mbrojtje nëpërmjet antitrupave. Nëse pas vaksinimit ne do të biem në kontakt me virusin, këto antitrupa do të lidhen tek pjesa e proteinave të “gjembit” të virusit duke e bërë të pamundur që virusin të infektojë qelizat e tjera në organizmin tonë. Ky disinformim shkon më tej duke thënë që antitrupat e covid-19 lidhen dhe tek proteinat e placentës të quajtura “syncytins”. Pse kjo është pa baza shkencore? 1. Nëse kjo teori do të ishte e vërtetë, tek ata që do të ishin të infektuar nga COVID-19 dhe që pas shërimit do të krijonin antitrupa, mjekët do të shikonin raste të shtuara të humbjeve të shtatzënive (infertilitetit) në muajt e parë në krahasim me rastet në pjesën tjetër të popullsisë. Kjo nuk është e vërtetë. Dhe nëse nuk është e vërtetë për ata që e kalojnë infeksionin në mënyrë naturale pse atëherë vaksinat që kanë të njëjtin princip duhet ta bëjnë? 2. Struktura e Proteinave të “gjembit” të virusit janë pak të ngjashme por jo të njëjta me ato të placentës. Si rrjedhim sistemi imunitar nuk mund të ngatërrojë placentën me virusin dhe ta sulmojë atë në vend të virusit. 3. Covid-19 kalon më rëndë tek gratë shtatzëna, por në muajt e fundit të shtatzënisë dhe kjo kryesisht lidhet më tepër me prekjen e sistemit respirator (mushkërive). 4. Miliona njerëz prej një viti e gjysmë këtu janë të prekur nga kjo sëmundje. Ne tashmë do të shikonim trendet e infertilitetit që në fakt kjo gjë nuk ndodhi. 5. Covid-19 është një sëmundje që lë pasoja dhe shumë po vuajnë pasojat afatgjata të inflamacionit kronik. Pra të kërkosh që më mirë ta kalosh sëmundjen në mënyrë natyrale sesa të marrësh një vaksinë nuk është zgjedhja e duhur. CDC, Kolegji Amerikan i Obstetrikës dhe Gjinekologjisë së bashku me liderët e tjerë të kësaj fushe nxorën një deklaratë të përbashkët ku thonë që nuk ka evidencë që vaksina çon në infertilitet.

A do të kemi nevojë për vaksinën anticovid çdo vit?

Ajo do të varet nga kohëzgjatja e mbrojtjes nga vaksinat. Rreziku më i madh qëndron tek variantet e virusit dhe impakti direkt i tyre tek efikasiteti i vaksinave. Të dhënat e fundit nga Pfizer dhe Moderna tregojnë se mbrojtja e organizmit nga Covid-19 kur merr një nga këto vaksina aktuale zgjat të paktën 6 muaj. Studimet klinike kanë filluar për një dozë përforcuese “booster” 6-12 muaj pas marrjes së dozës fillestare të këtyre vaksinave. Mund të jetë një kombin riformulimi i vaksinës origjinale me atë kundër varianteve ose vetëm një përforcues kundër varianteve. AstraZeneca po punon për një të tillë. Johnson& Johnson po bën studime klinike për vaksinë dy-dozëshe. Vera do te na tregojë se si do të jetë strategjia për vjeshtën-dimrin 2021 prandaj merr shumë rëndësi vaksinimi masiv me vaksinat aktuale. Kjo është luftë e gjatë dhe ne duhet të kemi mbrojtjen kundër virusit origjinal derisa vaksinat e tjera të jenë gati.

Aktualisht sa variante të COVID-19 po qarkullojnë? Sa të rrezikshëm janë?

Në radhë të parë ne duhet të kuptojmë që sa më shumë një virus transmetohet nga njëri person tek tjetri, aq më shumë ai ka mundësi të replikohet, aq më shumë ka mundësi të krijojë mutacione dhe më pas variante. Kur virusi futet në organizmin tonë, ai pushton ADN-në e qelizave dhe fillon të kopjojë (replikojë) materialin e vet gjenetik. Gjatë këtij procesi krijohen gabime (mendoni sikur shtypni një letër në kompjuter) dhe lindin mutacione. Jo të gjitha ato janë të rrezikshme por disa prej tyre shkaktojnë valë infektimi siç ishte e fundit me variantin britanik në Europë. Pse themi këtë? Se ne po shohim nJë lidhje shkak-pasojë. Kur një variant arrin të infektojë 50-60% të rasteve në një zonë, një valë e re fillon. E pamë në Angli kur në pikën e kurbës në dhjetor 2020, 62% e rasteve ishin të variantit B.1.1.7. E pamë në Itali kur në fund të shkurtit, 60% e rasteve me covid ishin B.1.1.7. Italia u mbyll për të frenuar atë. Po e shohim dhe këtu javët e fundit. Prandaj vaksinimi merr rëndësi të madhe që ta frenojë këtë zinxhir mutacionesh por ai duhet të jetë në një nivel shumë të lartë të popullsisë që të pengojë atë. Me anë të sekuencës gjenetike ne kemi identifikuar 4 variantet më të rëndësishme: B.1.1.7: U identifikua për herë të parë në Britaninë e Madhe; B.1.351: U identifikua për herë të parë në Afrikën e Jugut në dhjetor 2020; P.1: U identifikua për herë të parë tek udhëtarët që kishin udhëtuar në Brazil; B.1.427 dhe B.1.429: Gjithashtu një variant mutacioni I dyfishtë po shikohet në Kaliforni në shkurt 2021. Ne e kemi klasifikuar atë tek variantet që shkaktojnë shqetësim për shkencën.

Pse janë variante aktuale të rrezikshme?

Ne po i studiojmë ato për impaktin që ata kanë në transmetimin e sëmundjes, në format më të rënda të sëmundjes, në efektivitetin e terapive antiviraleve, në efektivitetin e terapive të antikorpeve monoklonale, në efikasitetin e vaksinave, në identifikimin e tyre nga testet PCR. Së fundmi tre teste PCR rezultuan jo efikase ndaj tyre. Ne i quajmë vaksinat këtu një armë statike që lufton një target (një virus origjinal plus me variantet) që është gjithmonë në lëvizje.

 

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.