Dossier

Nga maja e piramidës shtetërore në pushkatim, ish-shefi i ndërlidhjes rrëfen historitë e vitit 1982: Kush ishte “mysafiri” misterioz që fundosi Kadri Hazbiun

16:15 - 02.08.21 gsh

Në harkun e një viti, Kadri Hazbiu është ngjitur në majën e piramidës shtetërore dhe ka përfunduar para skuadrës së pushkatimit. Historia misterioze starton më 24 dhjetor 1981, me daljen e parë publike të Enver Hoxhës, pas tragjedisë së Mehmet Shehut, ku u shfaq i shoqëruar nga Ramiz Alia dhe Kadri Hazbiu, dy anëtarë të Byrosë Politike që kishin goditur më fort Shehun në mbledhjen e fundit të saj.



Në vijim të rrëfimit për Gazetën “Panorama.al”, inxhinier Luan Pogaçi tregon çfarë ka mësuar më pas për këtë histori misterioze.

Me këtë gjest të sforcuar, kreu i regjimit vinte në vëmendje dy njerëzit më të rëndësishëm të lidershipit të Partisë, me të cilët do të kapërcente, ndër të tjera, tërmetin e shkaktuar nga vetëvrasja e kryeministrit tradhtar. Në fakt, Ramiz Alia ishte “lexuar” më herët jo vetëm si dorë e fortë e Hoxhës, por edhe si pasardhësi i tij. Enigma këtë radhë lidhej me Hazbiun, që përzgjidhej ndër liderët e tjerë për herë të parë për një event të tillë. Shfaqja e tij në krahë të njeriut më të pushtetshëm në një moment kritik zgjidhte në një farë mënyre hamendjen për emrin që do të zëvendësonte kryeministrin e vetëvrarë.

 

Vetëm pak ditë pas këtij testi publik, Hoxha zyrtarizoi ofertën e tij në një takim me sekretarët e KQ, ku, midis Çarçanit dhe Hazbiut, preferoi këtë të fundit. Me bekimin e njëshit të Partisë, kësisoj, ministrit karizmatik të Sigurimit iu besua posti i kryeministrit. Plot 13 ditë më vonë, Hoxha u shfaq në Byronë Politike me një propozim të ri, sipas të cilit kreun e qeverisë e meritonte Adil Çarçani. Të tjerët, bashkë me Hazbiun, ngritën dorën (nuk kish si të ndodhte ndryshe) dhe Çarçani po atë ditë u fut në zyrën që kishte lënë bosh Shehu.

 

Ajo që kishte ndodhur në kulisat e KQ gjatë këtyre ditëve, nuk u zbardh kurrë. Sidoqoftë, vendimi për emrin e ri të kryeministrit komunist, ish-kryesigurimsit besnik, nuk do t’i kushtonte vetëm spostimin nga maja e piramidës shtetërore. Muajt në vijim do të linin prapa kreshendon e karrierës së tij dhe do ta vendosnin në syrin e ciklonit. Goditja filloi nga thashethemet e rrugës, vijoi me kryqëzatën në sekretariat e Byro dhe u finalizua me procesin gjyqësor, me verdiktin e të cilit Hazbiu përfundoi para skuadrës së pushkatimit. E gjithë kjo vetëm për 10 muaj…

 

NGA LUAN POGAÇI

 

TAKIMI I FUNDIT ME KADRI HAZBINË NË DITËLINDJEN PA HARE

Kadri Hazbiu ka qenë ndër ministrat e adhuruar, jo vetëm nga ne efektivët e ministrisë së Brendshme. E vërteta është se ai komunikonte mirë me të gjithë oficerët, bile mjaft syresh i merrte në telefon dhe i uronte kur kishin ditëlindjen. Ne e përjetuam keq, fillimisht izolimin në shtëpi dhe më vonë arrestimin e tij. Mbaj mend që kur ishte në arrest shtëpie, ai pati ditëlindjen dhe ne, një grup shokësh të drejtorisë së dytë, i shkuam për ta uruar. Kishte ndërkaq aty dhe shokë të vjetër të Hazbiut, zyrtarë të Komitetit Qendror apo dikastereve të tjera. Binte në sy që nuk kishte njeri nga udhëheqësit e lartë. E vetmja nga kjo kategori ishte ministrja e Bujqësisë, Themie Thomai, që herë pas here bënte ndonjë shaka sa për të thyer heshtjen.

 

Na priti shumë ngrohtë dhe na serviri vetë çdo gjë. Ishte një gosti disi e ftohtë dhe nuk kishte si të ishte ndryshe. Një gosti pa hare. Kadri Hazbiu e ndjente atë që pritej pas këtij izolimi, megjithatë mundohej ta përmbante veten. Ndenjëm aty rreth një orë dhe u larguam. Të nesërmen jam përballur prapë me të. Unë isha me shërbim oficer roje në Drejtorinë e Dytë, që vetëm një mur e ndante nga vila e Kadriut. Ai me një zarf të madh në dorë, hapi derën dhe me shumë mirësjellje më tha se kishte një letër për t’i adresuar shoqes Nexhmije Hoxha, madje nuk ia zuri në gojë emrin, por tha ‘asaj shoqes’, që nënkuptonte gruan e Enverit. Aty për aty i kujtova rregullin se nuk na lejohej si institucion të merrnim porosi të tilla për udhëheqjen, por ai këmbënguli, gati duke lutur aq sa u detyruam tia pranonim. Më vonë e nisëm për në destinacion, por çfarë ndodhi me fatin e saj, nuk e mora vesh kurrë.

 

 

AUTOKRITIKA E PARË DHE THASHETHEMET NDJELLAKEQE

Ishte prilli i vitit 1982. I pafuqishëm për të mësuar arsyet e vërteta pse Hoxha kishte humbur besimin ndaj tij, Hazbiu u paraqit para shefit të Partisë me një autokritikë, në të cilën rrekej t’i tregonte përgjegjësinë që ndiente për moszbulimin e grupit të Shehut. Mënyra si u prit ndjesa e ish-ministrit nga kreu i regjimit, i la të kuptojë se Partia dhe udhëheqja e saj nuk kishin as dyshimin më të vogël në besnikërinë e tij. Megjithatë, Hazbiu, që e njihte mirë mekanizmin e eliminimit vrastar të Hoxhës, nuk mund të qetësohej përfundimisht nga sjellja “zemërgjerë” e tij.

 

Akoma më dyshues e bënin qëndrimet e ftohta të njerëzve konfidencialë të këtij të fundit. E gjithë vera e atij viti u përjetua me një makth të jashtëzakonshëm. Zërat që qarkullonin në Tiranë, sipas të cilave Kadri Hazbiu do të arratisej, se ishte shkarkuar nga detyra e ministrit të Mbrojtjes, vinin në veshin e tij në formën e lajmeve ndjellakeqe. Ishte koha kur ish-ministri i Mbrojtjes, bashkë me Hekuran Isain, ishin caktuar në krye të grupit operativ që po studionte situatën rreth zbarkimit të një grupi të armatosur që pritej të desantonte për të vrarë Enver Hoxhën.

 

Në fakt, deri në asgjësimin e kësaj bande të kryesuar nga Xhevdet Mustafa, Hazbiu “de jure” vazhdonte të ishte në postin e ministrit të Mbrojtjes. “De fakto” gjërat rridhnin ndryshe. Më 16 shtator 1982, në ceremoninë për 40- vjetorin e çetës së Pezës, sekretari i Parë i Tiranës, Prokop Murra, gjatë fjalës së rastit “harroi” t’i përmendë funksionin qeveritar. Rebelimi për këtë ngjarje të pazakontë, në mbledhjen e sekretariatit të KQ katër ditë më vonë, mori një përgjigje tronditëse.

 

Kur priste reflektimin për pakujdesinë e protokollit, Hazbiu u vu përballë rrebeshit të kritikave që vinin në dyshim besnikërinë e tij. Tashmë dyluftimi ishte shpallur hapur e zyrtarisht.

 

“MYSAFIRI” MISTERIOZ QË FUNDOSI ISH-SHEFIN

Më 24 shtator 1982 u zhvillua plenumi i KQ, që diskutoi mbi “Tablonë sinoptike për veprimtarinë agjenturore të armikut Mehmet Shehu”, ku emri i Hazbiut u artikulua për herë të parë në listën e bashkëpunëtorëve të kryeministrit tradhtar. Shehu tashmë ishte shpallur “poliagjent” dhe kryetar i një “organizate kundërrevolucionare”, që kishte përgatitur të bënte një grusht shteti duke eliminuar kreun e regjimit.

 

Pjesë të rëndësishme të këtij plani Hoxha vlerësonte desantimin e bandës së Xhevdet Mustafës, që sipas tij ishte thirrur nga Hazbiu për të vrarë atë. Prova më e fortë e alibisë misterioze vinte nga dëshmia e porositur e të mbijetuarit të bandës, të ashtuquajturit Halit Bajrami, një shtetas neozelandez, agjent i fjetur i Sigurimit, i aktivizuar rishtas para se të vinte në Shqipëri. Ai u vendos në qendër të kombinacionit agjenturor për të vërtetuar “tradhtinë ndaj atdheut” të Hazbiut, ish-shefit të tij të dikurshëm, duke u përdorur në proceset gjyqësore të “grupeve” që kryesoheshin nga Hazbiu dhe Fiqrete Shehu.

“Mysafiri” i thirrur nga larg u stërmundua të provonte se grupi prej tre vetash ku bënte pjesë dhe ai, u thirr t’i vinte në ndihmë Kadri Hazbiut për të eliminuar Enver Hoxhën. Kaq ishte e mjaftueshme që ish-ministri të futej në kalvarin e kryqëzatës, fillimisht në sekretariatin e KQ, në Byro Politike dhe më tej në ferrin e hetim-gjykimeve speciale./panorama

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.